Katandisjet preshevare gjatë vitit 2018 dhe sfidat për vitin 2019

Opinione

Katandisjet preshevare gjatë vitit 2018 dhe sfidat për vitin 2019

Nga: Nehat Hyseni Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 09:19
Nehat Hyseni

iti 2018 në komunën e Preshevës filloi pa konsolidim të pushtetit lokal, meqë nuk kishte përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve të 24 dhjetorit 2017, që do të mbahej më 14 janar 2018.

Realisht, prishja e legjislaturës së vjetër të KK të Preshevës u shkaktua nga obstrukcionet këmbëngulëse të PDSH-së dhe kryetarit të saj, Ragmi Mustafës, që nuk pajtohej me të qenit në opozitë, meqë kishte numrin më të madh të këshilltarëve, gjithsej 14, por ishte komprometuar skajshmërisht me abuzimet dhe keqqeverisjen rreth dymbëdhjetëvjeçare.

Prandaj, me këtë parti nuk pranuan kategorikisht të bëjnë koalicion qeverisës APN e Shqiprim Arifit që fitoi 11, por as PVD e Riza Halimit me 10 këshilltarë.

Kështu, Shqiprim Arifi u bë kryetar komune, edhe pse ishte me pa përvojë politike, që i jepte të drejtë gjatë fushatës parazgjedhore të kritikoj pafundësisht “partitë e vjetra”, duke premtuar “parajsë” dhe “shpëtim” për komunën e Preshevës poqese ai bëhet kryetar.

Prandaj, doli se mos përvoja politike e tij në skenën e zymtë të politikbërjes së shqiptarëve në Serbi, ishte një përparësi dhe avantazh vendimtar.

Pjesërisht, për shkak se Shqiprim Arifi ishte i panjohur plotësisht për votuesin preshevar, por edhe për shkak se ai vinte nga diaspora, si gjeneratë e dytë e një “gastarbajteri” i fshatit Tërnavë me “punë të përkohshme”, siç thuhej asokohe në zhargonin politik të Jugosllavisë socialiste të epokës së Josip Broz Titos. Por, dhe për shkak se ai arriti t’i “korrë” edhe votat e xhematlinjëve” nëpër xhamitë anembanë Komunës së Preshevës, duke rekrutuar si militantë propagandues e mobilizues shumë imamë, të cilët ishin tejet aktivë në propagandën e rekrutimit të shumë të rinjëve dhe të rejave për “luftën e shenjtë në Sham” (Siri).

Pritjet se APN do të sillte përvoja pozitive të politikbërjes demokratike të frymës europiane, shumë shpejtë u shuan, sidomos me rastin e miratimit të Buxhetit komunal për vitin 2017, i cili ishte kryekëput në funksion të financimit të të ashtuquajturit “Plan Aksional “ të Republikës së Serbisë për kolonizimin e Preshevës me kriminelë serbë të dëbuar nga Krocia, Bosna dhe Kosova, si dhe me refugjatë nga Afganistani, Siria dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme, që pasoi me prishjen e kolacionit qeverisës APN-PVD dhe më 10 mars 2017 u formua koalicioni i ri qeverisës PVD-LRPDSH, me zonjën Ardita Sinani kryetare të Komunës.

Keqqeverisja dhe ambiciet e tepruara egoiste dhe karrieriste të Ragmi Mustafës, i cili me kokëfortësi u imponua për kryetar të PDSH-së, shkaktuan ndarjen e kësaj partie me fraksionin “Lëvizja për Reforna”, me Sami Salihun nga fshati Rahovicë, kryetar të saj. Ky fraksion i PDSH-së mori me vete nëntë nga gjithsej 24 këshillëtarë të saj, dmth shumicën prej 64%, ose rreth 2/3 dhe rreth Ragmi Mustafës mbeti 1/3 e këshilltarëve të PDSH-së në Kuvendin e Komunës së Preshevës.

Natyrisht se Ragmi Mustafa nuk mund të pajtohej me këtë gjendje të disfavorëshme për te dhe partinë e tij dhe veproi me arrogancë ekstreme për rrënimin e pushtetit lokal PVD-LRPDSH, me zonjën Ardita Sinani, si kryetare e parë femër në historinë e kësaj komune.

Obstrukcionet e Ragmi Mustafës me ata pak këshilltarë të mbetur rreth tij realizoheshin në koordinim me APN dhe Shqiprim Arifin dhe u nxitën e u ndihmuan në mënyrë ekstreme nga kreu i pushtetit të Serbisë, duke i vendosur Masat e Përkohshme (lexo: të dhunshme), më 14 shtator 2017 nga Qeveria e Serbisë dhe kryetarja e saj, Ana Bërnabiq, që e shkarkoi kryetaren e Komunës Ardita Sinanin dhe emëroi Shqiprim Arifin kryetar të këtij pushteti të dhunshëm të Serbisë, në koalicion me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, në komunën e Preshevës, me reth 95% shqiptarë!

Kurse, Ragmi Mustafa (PDSH), si kontribuues i madh në këtë veprim makabër antipreshevar dhe antishqiptar, që e dëmtoi seriozisht mbarëvajtjen e politikbërjes së mirëfilltë të shqiptarëve të kësaj komune, mbeti me “gishta në gojë”, duke i bërë shërbim instalimit të krahut proserb APN-LRPDSH dhe SNS-it të Vuçiqit, të cilin ai personalisht, derisa ishte kryetar komune e kishte dekoruar me “Zahvalnicë” (Mirënjohje).

Prandaj, viti 2018 nuk kishte si të përfundonte ndryshe, pos si një katandisje politike dhe institucionale të Komunës së Preshevës me mbylljen e Administratës Tatimore dhe zhvendosjes së saj në Bujanoc, që i dëmtoi rëndë afaristët dhe qytetarët preshevarë.

Pastaj, pasoi mbyllja e Terminalit doganor dhe njëkohësisht pasoi edhe mbyllja e Drejtorisë së Doganave në Preshevë, si dhe mbyllja e Shtëpisë Kulturës “Abdulla Krashnica”, mbyllja e Bibliotekës “Mehmet Jusufi”; mbyllja e Zyrës së Rinisë si dhe mbyllja e zyres së PDSH-së, më arsyetimin absurd dhe skajshmërisht banal e anticivilizues, se kinse “nuk posedojnë planet dhe pajisjet e mbrojtjes kundër zjarrit”.

Pra, komuna e Preshevës gjatë vitit 2018 u degradua institucionalisht e politikisht nga institucionet vitale shtetërore, ekonomike, kulturore e politike që kanë mirëfunksionuar me dekada, në shërbim të qytetarëve të kësaj komune të banuar me shumicë absolute të shqiptarëve.

Absurdi më i madh i kësaj katranosje institucionale të Komunës së Preshevës ka ndodhur në qeverisje të pushtetit lokal nga vasalët shqipfolës të Serbisë nga radhët e shqiptarëve.

Pasojat trishtuese të kësaj politikbërje makabre antishqiptare janë shpërngulja masive e të rinjëve të pashpresë dhe ekzodusi i paparë shqiptarëve drejtë Europës, duke i lënë të boshatisura shkollat dhe institucionet parashkollore dhe trojet e tyre stërgjyshore.

Mjerisht, në këtë gjendje të mjerueshme që është krijuar nga regjimi antishqiptar e gjenocidal i Serbisë dhe është ndihmuar nga vasalët e pushtetit lokal të Preshevës, viti i ri 2019 nuk pritet me entuziazëm dhe shpresë se për shqiptarët e kësaj komune do të bëhet më mirë.

Sidomos për faktin se viti 2019 është paralajmëruar e deklaruar si vit i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, me pretendime të qarta për “korrigjim kufijësh”, për “bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën” apo edhe për ndarjen eventuale të veriut të Kosovës dhe bashkëngjitjen e tyre me Serbinë.

Pasojat e këtyre proceseve politike, që kanë karakter të qartë gjeopolitik, mund të kenë pasoja fatale për shqiptarët, sidomos me këtë pushtet lokal në komunën e Preshevës, që është lojal dhe në koalicion qeverisës me SNS-in e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe funksionon si vasal besnik i pushtetit antishqiptar të Serbisë, në këtë pjesë të Shqiptarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat