Asimetria e kobëshme antishqiptare e Dialogut të Brukselit

Opinione

Asimetria e kobëshme antishqiptare e Dialogut të Brukselit

Nga: Nehat Hyseni Më: 10 janar 2019 Në ora: 15:06
Nehat Hyseni

Gjatë këtyre ditëve, në vigjilie të takimit të grupit negociator të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga dy bashkëkryesus: Shpend Ahmeti i PSD dhe Fatmir Limaj i Nismës, me komisioneren e lartë të BE-së, zonjën Federica Mogherini, më 8 janar 2019 në Bruksel, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i janë drejtuar zyrtarisht, zonjës Mogherini dhe pjesëmarrësve nga Kosova në këto negociata, me kërkesë që Lugina e Preshevës të përfshihet në fazën finale të dialogut të Brukselit për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe një kërkese e tillë, realisht, është dashur të dërgohet shumë më heret, mbase qysh në bisedimet e Vjenës gjatë viteve 2005-2006, e sidomos gjatë vitit 2011, kur filloi i ashtuquajturi Dialogu i Brukselit, midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqit nga Serbia, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE, Baroneshës Catherine Ashton.

Sikur të ishte përfshirë asokohe Lugina e Preshevës, Dialogu i Brukselit me siguri nuk do të dështonte.

Përkundrazi, përfshirja e përfaqësuesve të shqiptarve të Luginës së Preshevës në atë dialog, do të ishte garancë e fuqishme për suksesin e tij.

Pse ?

Sepse në këtë mënyrë do të sigurohej një balancë dhe simetri midis problemeve të shqiptarve në Serbi me problemet reale të serbëve në Kosovë.

Pra, Dialogu i Brukselit si dhe bisedimet e Vjenës para tij, ishin asimetrik ose të njëanshëm, meqë përfshinin vetëm çështjen e statusit dhe të drejtat e serbëve të Kosovës, por jo dhe të drejtat dhe statusin politik të shqiptarve në Serbi. Ky është një absurd dhe akt tradhëtie kombëtare e palës negociuese të shqiptarve të Kosovës, që do t’i gjykoj me siguri historia dhe paraqet një njollë dhe faqe të zezë antishqiptare, por dhe anticivilizuese. Sepse, me mospërfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në tavolinën e bisedimeve të Vjenës dhe të Brukselit, realisht i ka dëmtuar rëndë jo vetëm shqiptarët e Luginës, por e ka dëmtuar edhe më rëndë edhe çështjen Pavarësisë dhe sovranitetit territorial dhe funksionimin institucional të Republikës së Kosovës.

Sepse, poqese do përfshihej nga fillimi çështja e tyre, kërkesat maksimaliste e megalomane, madje edhe absurde të serbëve të Kosovës do të relativizoheshin dhe neutralizoheshin me kërkesat e shqiptarve të Luginës së Preshevës, që do t’i mundësonte palës kosovare një lehtësim radikal dhe një komoditet negociues, duke kërkuar reciprocitet dhe kushtëzim të plotë për të drejtat e serbëve të Kosovës me shaiptarët e Luginës. Në këtë mënyrë, bota demokratike do të na kuptonte më mirë dhe miqtë tanë do na mbështesnin më fuqishëm, kurse Serbia dhe Rusia, së bashku me mbështetësit e tyre, Kinën, Indinë dhe një mori shtetesh të Botës së Tretë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ishin më të “arsyeshëm”.

Mjerisht, presidenti Thaçi, si përmbyllje të fazës finale të dialogut ka parapare edhe bashkimin e Preshevës, Bujanovcit Medvegjes me Kosovën, por asnjëherë më parë, edhepse ka pasur mundësi si kryeministër dhe kryenegociator i palës kosovare në Bruksel, për arsye të pakuptueshme, ai nuk e ka bërë një gjë tillë.

A ka në plan BE dhe ekipi negociator i Kosovës që t`i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese të shqiptarve të Luginës së Preshevës, tani është vështirë të pritet një gjë e tillë për faktin se goxha larg kanë shkuar punët në avancimin e idesë serbe të Daçiqit e Vuçiqit për “shkëmbim territoresh” apo për “përkufizim etnik”, dmth për ndarjen e Kosovës.

Kurse, ideja e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit për bashkimin me Kosovën, realisht paraqet vetëm anën tjetër të medales së propozimit të Serbisë për bashkimin e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës me Serbinë.

Kështu, Republikës së Kosovës i është imponuar opsioni i ndarjes, apo si alternativë e dytë, opsioni i pranimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, që realisht do të thotë një “minishtet” serb brenda shtetit të Kosovës.

Edhepse pala kosovare në këtë fazë të bisedimeve nuk e pranon këtë realitet të hidhur, të cilit i ka kontribut jashtëzakonisht shumë me paaftësinë e vet shtetformuese, megjithatë, shumë pak manovrim negociator i ka mbetur edhe për faktin se në veri të Kosovës mbretëron një realitet i hidhur, kudo valojnë flamujt e Serbisë dhe ajo pjesë vetëm formalisht figuron si territor i Republikës së Kosovës, kurse realisht çdo gjë funksionon si pjesë e shtetit të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat