Polarizim i skajshëm i politikës shqiptare

Opinione

Polarizim i skajshëm i politikës shqiptare

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 janar 2019 Në ora: 17:54
Sherif Ramabaja

Në vitet e 80 me fillimin e demonstratave të studentëve në Kosovë filloi edhe kriza dhe polarizimi i shoqërisë së atëhershme jugoslave. Një polarizim i tillë vazhdoi me decenie të tëra ku pastaj shpërthyen luftat dhe erdhi fundi i Jugoslavisë. Sot po diskutojmë për t`i përmirësuar marrëdhënjet me Serbinë, si dhe po punohet për afrimin me EU-në. Përvoja me Serbinë ka treguar se ajo sjell gjithmonë vështirësi, sepse është një vend dhe popull të cilit nuk i besohet, ngase ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Këtë ne e dimë, po  brenga e jonë është se ne mes vete kurr nuk kemi arritur të kemi një unitet minimal. Kjo na ka kushtuar në të kaluarën dhe po na kushton edhe tash.

Nuk zgjidhen mjete për  t`ardhur në pushtet dhe kur e kemi pushtetin, mendojmë se e kemi të përjetshëm. E keqja është se nuk e vëmë shtetin apo çështjen nacionale në rradhë të parë, po interesin personal. Kjo po dëshmohet qysh para fillimit të luftës në Kosovë. Nuk u zgjodhën mënyra për ta fituar pushtetin. Pala tjetër paraqitej tradhëtare. U bënë edhe shumë vrasje politike. Ne kemi krijuar heronj partiak në vend se të jenë heronj kombëtar. Ne luftën dhe meritat e saj, i paraqesim si merita personale dhe partiake, në vend se të jenë kombëtare.

Vrasjet politike ishin dhe mbeten shumë të dhimbshme, ngase ishin personalitete me merita kombëtare dhe mes tyre kishte edhe personalitete të kulturës. Organet e drejtësisë kanë dështuar në këtë drejtim, sepse askush nuk është zbuluar e as akuzuar për këto vrasje. Akuzat rëndojnë rëndë ngase akuzohen rivalët politik. Zbulimi i së vërtetës do të sqaronte shumë gjëra. Askush nuk e ka vrarë mendjen ndonjëherë, se këto vrasje ka mundur t`i organizoj Serbia, për t`i armiqësuar dhe përqar shqiptarët. Akuzat ne i drejtojmë vetëm kundër taborrit tjetër apo partive të tjera politike.

Me këto veprime ne e kemi dëmtuar rëndë veten. Po i japim shembull të keq rinisë sonë dhe në vend se të ecim përpara po stagnojmë. Gjëja e parë që duhet bërë është forcimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë që të merren me këtë punë. Ne nuk duhet t`i harrojmë, po duhet vetëm të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësi për ta. Me akuza ndaj njëri tjetrit nuk arrijmë asgjë, vetëm kthehemi mbrapa dhe të ardhmen e rinisë po e mbajmë peng.

 Rivaliteti ka arritur kulminacionin

 Pas bashkimit të Gjermanisë me 1989 u punua edhe për bashkimin shpirtëror dhe partiak të vendit. Partia ish komuniste e Gjermanisë Lindore u shndërrua në parti të majtë PDS “ Die Linke “. Kjo parti ishte mjaft e polarizuar dhe udhëheqësit e saj janë hetuar, kuptohet pa u burgosur për të vërtetuar se a ishin bashkëpunëtorë të shërbimit të brenshëm të shtetit komunist. Gregor Gysi ishte udhëheqës i kësaj partie, avokat me profesion. Rregullisht akuzohej si bashlëpunëtor i shërbimit shtetëror “Stasi”, po fakte nuk gjenin. Hetimet ndaj tij s`kanë pushuar kurrë, derisa vetë vullnetarisht është tërhequr nga udhëheqja e partisë. Kjo parti kualifikohet si parti e ekstremit të majtë. Është simpatizuese e Rusisë dhe thirret në idetë Marksiste - Leniniste. Para bombardimeve të NATOS ndaj Serbisë, udhëheqësi i kësaj partie Gregor Gysi kishte udhëtur në Serbi për ta bindur Miloshevicin për një zgjidhje politike.

Kjo parti edhe sot është kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë e mora vetëm si shembull për të treguar se revalitet dhe luftë për pushtet ka gjithkund, po në kuadër të rregullave demokratike, pa kërcënime dhe gjithmonë organet e drejtësisë vlerësojnë, kur tejkalohen kompetencat dhe marrin vendime adekuate. Askush nuk fyhet se është tradhëtar dhe nuk bëhen kategorizime si te ne, vetëm bardh dhe zi. Mendimet në vende demokratike ka të drejtë të shfaq secili, pa pasur frikë se ndiqet apo burgoset. Askush nuk duhet të satanizohet apo të shfaqet tradhëtar pse është për ndryshim të kufinjëve. Ne më me dëshirë do të vendosim për Shqipëri etnike. Organet shtetërore të zgjedhura nga populli, pa ndikim nga partitë në pushtet, duhet ta mbrojnë dhe të vendosin për çështje shtetërore dhe nacionale.

 Rivaliteti dhe polarizimi deri më tash ishte i pranishëm më së shumti në Kosovë, shkaku i rrethanave të njohura politike, po tash së fundit u shfaq edhe në shtetin amë shqiptar. Sidomos ky polarizim u thellua mes kryeministri të shtetit, zotit Rama dhe kryetarit shtetëror, zotit Ilir Meta. Kryeministri Rama është i njohur si njeri, që për të ardhur në pushtet  dhe për ta ruajtur karrigen nuk zgjedh mjete. Kryetari Meta, deri më sot e kishte kryer detyrën shtetërore me kompetencë të lartë, kurse tash insistimi i kryeministri Rama për caktimin e zotriut Cakaj, për ministër të punëve të jashtme e kishte vënë Kryetarin Meta para një akti të kryer. Kryetari Meta e kundërshtoi vendimin e Ramës dhe kështu polarizimi i tejkaloi kufijtë Kosovës dhe e përfshiu edhe Shqipërinë. Për afrimin dhe uljen e tensioneve nuk po mendon askush, e zjarrit të polarizimit shtetërorë vetëm sa po i fryhet më shumë. Populli pret nga udhëheqësit e vetë, të pushojnë me gjëra të rrezikshme dezintegruese  dhe me inate personale, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, dhe t`u kthehen çështjeve madhore kombëtare dhe halleve të popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat