A po dorëzohet Haradinaj për taksën si për demarkacionin me Malin e zi?

Opinione

A po dorëzohet Haradinaj për taksën si për demarkacionin me Malin e zi?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 15 janar 2019 Në ora: 18:48
Ramush Haradinaj

Muajt e fundit të vitit 2018 u përcollën me dështime të njëpasnjëshme të Qeverisë Haradinaj. Kosova dështoi të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL.

Ndërkohë, Serbia bëri atë që bën në vazhdimësi: Fushatë të egër, duke iu bërë apel shteteve që e kanë njohur Kosovën, ta tërheqin njohjen.

Diplomacia e Kosovës ndodhej buzë greminës, kjo për shkak të mungesës së strategjisë për lobim në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër. E dështimi më i madh i Qeverisë ishte lajmi se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhte deri në vitin 2020. Diplomatë të lartë të BE-së që vizituan Kosovën, ua bënë me dije liderëve të saj, se nuk duhet të japin data për liberalizimin e vizave.

Si për t`i mbuluar këto dështime, por edhe për t`i treguar Serbisë që Kosova është shtet, Kryeministri Ramush Haradinaj, erdhi me vendimin për taksën 100% ndaj mallrave që hynin nga Serbia dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina.

Vartësit e Haradinajt, si Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, të entuziazmuar nga vendimi, shprehën gatishmërinë për ta zbatuar deri në fund. Kushtet e Kosovës ishin të qarta: Taksa do të largohej vetëm pasi Serbia ta njihte Kosovën si shtet.

 Kjo eufori që përfshiu të gjithë nuk zgjati shumë. Të martën e 15 janarit, Qeveria e Kosovës mori vendim që të gjitha mallrat që kanë hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës para datës 21 nëntor të vitit të kaluar, kur edhe është marrë vendimi për ngritjen e taksës në 100%, të lirohen nga kjo taksë.

Ky vendim mund të konsiderohet si tërheqje e pjesshme nga vendimi për taksën 100%. Askush në Kosovë, nuk do të dëshironte që ky të ishte një sinjal se Haradinaj dalëngadalë do të vendosë për heqjen e tërësishme të kësaj takse.

Askush nuk do të dëshironte që Haradinaj t`i jepte si “dhuratë” Serbisë heqjen e taksës, me rastin e vizitës së Presidentit të Rusisë atje.

Vend për frikë ka sa të duash, duke marrë për bazë qëndrimet e mëhershme të Haradinajt dhe tërheqjet e tij nga këto qëndrime.

Kur kësaj ia shtojmë faktin se vendimi i Haradinajt erdhi vetëm pak ditë pasi Presidenti Thaçi, tha se do të shqyrtohet vendimi për taksën, atëherë nuk mund të mos mendojmë se Haradinaj po shkon duke u tërhequr.

Një tërheqje të tillë e bëri edhe me demarkacionin me Malin e zi, kur marrëveshjes ia shtoi një aneks marrëveshje kinse për “korrigjimin” e të parës.

Mjafton ta kujtojmë qëndrimin e kryeministrit dhe kreut të AAK-së për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi dhe të shprehim dyshimet e arsyeshme. Haradinaj sulmonte secilin që mundohej ta bindte se përcaktimi i vijës kufitare me Malin e zi, i nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë ishte në rregull.

Kjo marrëveshje u votua me të njëjtin version nga deputetët e AAK-së të përkrahur nga kryetari i tyre dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, meqë bëhet fjalë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë Haradinaj duhet të bëj diferencën.

Duhet t`i qëndrojë deri në fund vendimit ashtu sic edhe është zotuar.

E nëse tërhiqet atëherë duhet të jap dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat