Shkrimet satirike të Kimete Berishës

Opinione

Shkrimet satirike të Kimete Berishës

Remzi Salihu Nga Remzi Salihu Më 23 janar 2019 Në ora: 12:32
Kimete Berisha

Nuk kam brengë, sot, se mund të ndodh diçka e papritur, e çuditshme, në këtë shoqërinë tonë kalimtare, se shumë gjëra të hidhura apo të mira, në mënyrë spontane, kanë lëvizur deri më tani nga vendi, e nuk është bërë asgjë befasuese për t’u gëzuar e hidhëruar tej mase, dhe jeta prapë ka vazhduar me ritmin e saj të përhershëm. Sigurisht se secila periodë ka veçantitë dhe risitë e veta. Ka individët e saj që i zmadhojnë ose i zvogëlojnë gjërat rreth vetes. Kjo varet nga interesi që lansohet nëpër këtë kozmos jetësor. Shoqëritë i këmbejnë interesat e tyre sipas nevojave të projektuara në vete. Secili ka madhështinë dhe vogëlsinë e tij, që kontrollohet dhe vlerësohet nga të tjerët. Disa gjëra janë të pranueshme e disa të tjera janë konfrontuese. Disa ndodhi janë të gëzueshme e disa ndodhi janë shumë neveritëse. Njerëzit e veçantë i perceptojnë me kujdes gjërat ekzistuese dhe inspirohen për të ndryshuar diçka nga rrethi dhe vetja.

Kështu vepron me shkrimet e saja edhe Kimete Berisha. Janë shkrime që mund të të gëzojnë apo edhe të të frikësojnë, për mesazhin që japin dhe kjo varet kush si i sheh dhe si i analizon gjërat kundrejt vetes. Por tani e tutje po tutem edhe unë shumë, kur lexoj këto shkrimet e njëpasnjëshme të kësaj zonjushe, që derdhen me sens artistik nëpër media. Sepse kur e çel gojën e merr fjalën, Kimete Berisha, papandehur mund të na trokas edhe trishtimi i ndodhur, bashkë me ato shigjetat e saj, shkrimore, helmuese edhe në derën e shtetit tonë të brishtë. Vaj halli se me ardhjen e saj nëpër kallaballëkun e kësaj ane, të tallavasë kulturore e politike, mund të na humbet rahatia, pastaj ne këtë vend ‘’të panjohur’’, ajo, na e sheh ashiqare edhe renditjen intelektuale dhe atë të shijen vendosjes së orendive të dhomës sonë politike të varfër, pastaj mjerë ne nga kritikat dhe për lidhjen e qasjeve që kemi kërkuar me të.

Sidomos tutem tani nga pena e saj magjike që mund të shkrep, herë do kurdo, pa hiri dhe pa u kujtua, pastaj mund të na dalin në skenë debati edhe më shumë pisllëqe e huqe tjera, tona, të prapambetura, e të renditura pa rend e pa shije standardi, nëpër dhomën tonë politike, jo higjienike. Pisllëqe sistemore, që janë të grumbulluar dhe të akumuluar keq gjatë këtyre viteve të brishta demokratike të politikë-bërjes sonë. 

Kësaj Kimetes tani si i ka dalë nami, me gjezdisjen e saj artistike shkrimore edhe përtej oborrit dhe kufijve të saj politik, kamxhikues, tuta na behet edhe më e madhe. Barrierat e kufizimeve shkrimore i ka thyer me dëlirësinë e saj shpirtërore. Të pa mundshmen e bënë të mundshme. Dhe këtë detyrë thumbimi objektiv, të sistemit, mund ta bëj shumë shpejt dhe shumë lehtë, sepse ajo nuk ka mbare, peris në gojë e shkrim, për ta nxjerr në shesh të vërtetën ekzistuese të sistemeve tona manipuluese.

Pas marrjes së komenteve dhe komplimenteve të shumta gjithandej gjeografisë së madhe shqiptare, për shkrimet dhe për "syretet" e saja atraktive, që i plason, pa drojë, nëpër portale e gazeta, sidomos në Facebook, mbetemi të emocionuar, mbetemi se ajo e ka rritur rrjedhën e vet të shkrimit rutiniror. Pastaj ne bëhemi më trima më të plotësuar, me ato frymëzimet dhe shkrimet e saja të veçanta dhe sensacionale, që gërvishtin pafrikë anomalitë e fytyrës sonë të përgjumur demokratike. Tani sa ora mund të ndodh edhe kjo dashuri e papritur kontakti, e cila dashuri mund të vij lirshëm nga djelmoshat e pa trembur të kësaj ane, që marrin kurajë të vrullshme, për thënien e të vërtetës kohore, nga një femër, jo e zakonshme, si kjo Kimetja sypatrembur. Hallall i qoftë qumështi i nënës, për trimërinë që ka, se ajo këtë veprim kreativ e bën me guximin e saj të pa lodhshëm e të pa përkulshëm, duke kaluar pa pancir e mburojë nëpër fishekët e këtyre trimave të sotëm, që janë duke bërë shtet, kryesisht ajo ka dhuntinë dhe kalitjen e talentit, për ta plasuar qasjen e saj gjykuese, ashtu siç e percepton dhe përjeton vet.

Guxim i saj ironik dhe i veçantë, për ta shpaluar të vërtetën, që tanimë e gjithë ditën, ka ngjallë simpati marramendëse te të tjerët, sidomos te këta simpatizantët tanë, kalemxhi të Facebook-ut, se janë kurbetçi të fortë e të ‘’largët’’, që vëzhgojnë prej anësh ngjarjet e ndodhura dhe që i duan pa masë manifestimet e shumta të kanaxhexheve dhe flirtet letrare të afirmimit të shpejtë. Këto lakmues bien shumë shpejtë dhe lehtë në ekstazën e (sevdasë), dashurisë marramendëse të komenteve dhe nuk kanë pardon në këtë kalamendje të vardisjes erotike, të ndërmarrë, e të pa kontrolluar nga ndërgjegjja e pastër, pasi hutohen shumë lehtë në kohë dhe nuk dinë se çka bëjnë me komplimentet e tyre të shumta, të dhëna vend e pa vend nëpër portale e rrjete tjera sociale. Dhe Kimetes nuk i bëhet vonë nga këto hiperbolizime dhe nga këto fjalë të rralla e lavdëruese, të dedikuara në adresë të saj, me mesazhe e epitete të shumta për vendosmërinë dhe guximin që ka. Ajo nuk ka mërzi dhe dalldi kohe, se mund t'i merret mendja pa hiri dhe të bie në ‘’dashuri’’ të flaktë për ndonjërin prej tyre, nga këto lëvdata komentuese, se(Kimetja është ende beqare), pastaj mund t'u ndodh edhe me e keqja, si ajo meseleja e Tristanit me Izolden, po e kafshove pa vetëdije mollën e ndaluar, e pat puna e beqarisë. Dhe pastaj krejt kjo aferë dhe punë e ngutshme, mund të vij shumë shpejtë, se Kimetja, duke ironizuar me të madhe politikën dhe qeverisjen klasës së sotme politike, në Kosove e Shqipëri, ka bërë shumë armiq, bile armiqësia ka shkuar aq larg nga kritikat e saj, sa që, tanimë, ajo duhet të kërkoj azil politik te ‘’Maqedonia shqiptare’’, sa për ta mbyllur, më në fund, gojën për dhënien e gjykimeve ndaj njerëzve dhe fenomeneve, dhe sa për t’u qetësuar ajo njëherë e përgjithmonë shpirtërisht. Ndoshta duke e ngrënë këtë mollë sherri të helmuar dhe të dashurisë së pa pritur nga të tjerët, ajo, mund ta humbur rahatinë dhe qetësinë e vetes, që askush për sakrificën e saj nuk do t’ia di fare, se kjo botë duhet ndryshuar për të mirë dhe jo të lihet në status quo, me një zë të vetmuar dhe të veçantë, që anomalive përherë u ka bërë balle. 

Ajo pa peris (diet) në gojë e ka bërë namin në opinion, duke i shpaluar të vërtetat me shkrimet artistike të humorit të zi, bile edhe ngjyrat e tangave të politikanëve: ministrave, kryeministrave, presidenteve të këtyre shteteve tona për rreth, i ka vënë në bishtin e lahutës, por nga ana tjetër e vullnetit të mirë, të kuptimit të demokracisë, ajo ka motivuar dashuri dhe potencë të shumanshme optimiste, pozitive, te të pa kënaqurit e shumtë të kësaj shoqëritë të pafajshme e të dhimbshme, të rrugëtimit të gjatë demokratik . 

Mua tani, të them të drejtën, më ka hyrë tuta edhe më shumë, nga kjo gjuha e saj e lezetshme dhe e goditur, që është pa kime në gojë, për anomalitë e shoqërisë së mallkuar, edhe pse ngandonjëherë ajo gjuhë e guximshme saj, bëhet edhe thikë e mprehtë, që të përgjak thellë deri në palcë, por kjo gjuhë epa frikshme kuptimi edhe mund t'i ngatërrohet shumë lehtë nga ndonjë çamçakëz i hedhur pahiri në gojë, duke e përtypur e duke e bërë ndonjë pufkë të fryrë, para fytyrës së vrazhdë të realitetit e të vepruesve tjerëve të ngathtë, që japin vlerësime të pamatura mirë, sepse nga nervozizmi apo nga komplimentet e shumta që ia dedikojnë asaj, nuk mund të rehatohet njeriu lehtë dhe aq më pak ta kontrolloj veten me veprimin e armatimit dhe të lëvizjes së saj gjuhësore të fortë, përballë ekzistimit të fenomeneve të vrazhda në shoqëri. Sidomos në vazhdimësi të preken e thumbohen të gjithë ata që nuk marrin veshtë fare se çka është ironia e sarkazma në këtë shoqëri, dhe çka duhet ndryshuar për hir të njerëzimit. Ata të pa informuar edhe mund të pësojnë infarkt nga plasja e asaj  balonës së fryrë nga çamçakëzi në gojën e saj të zhdërvjelltë a të pa kursyer nga rreziqet që mund t’i vijnë. 

Por gjuha e saj artistike, thumbuese, pa koc, nuk ka brengë fare, por kocin e thyen, për të krijuar etikë e moral njerëzor të duhur e të vlefshëm. Ajo thotë të vërtetën e hidhur. Punë e rëndë e kësaj zonjushe të ndritur, që gjithë ditën e gjithë natën i është përveshur e përkushtuar detyrës kreative të saj, nuk shpreh lodhje, po duke bluar me përkushtim e guxim ketë dashuri të madhe e të hapur kreativiteti, për ndërgjegjësimin individual e shoqëror të shqiptarit, hap shtigje dhe perspektivë të nevojshme për gjeneratat që vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat