Ali Kalia, me gurin dhe mallin e Lurës si një gur Sizifi…

Opinione

Ali Kalia, me gurin dhe mallin e Lurës si një gur Sizifi…

Nga: Gëzim LOKA Më: 24 janar 2019 Në ora: 20:58
Ali Kalia

Mëngjezet e mia nisin me takime pune me lurianët e mi, njerëz të thjeshtë apo intelektualë qofshin, pasi njerëzit nuk maten nga pesha e pozitës dhe kuletës, por nga pasha e mirësisë së zemrave. Ndaj e kam çmuar dhe e çmoj Ali Kalinë, jo për shkak të biznesit të tij, që edhe ai sigurisht është një krenari luriane, por mbi të gjitha për shkak të ngrohtësisë në komunikim, mirësisë në sjellje dhe korrektesës në gjithçka. Lura është guri ynë i përbashkët i Sizifit, të cilin e çojmë gjer në majë e përsëri, sin ë legjendën antike, na rrokulliset teposhtë e ne rishtas e ngrejmë, e kështu pafundësisht, siç iu takon bijve të devotshëm lurianë…

Teksa qëndrojmë në kafene e flasim për tema nga më të ndryshmet, fjala shkon nga shkon, vërtitet nga vërtitet e kthehet e vjen tek rrënjët tona, te pragu ynë, te kullat e lëna bosh dhe ara e livadhe të heshtur, në Lurën tonë të një mijë e një mrekullive që i ka falur natyra, por për fat të keq dora e njeriut dhe përkujdesja qeveritare ia ka refuzuar. Takimi me Ali Hamit Kalinë është gjithnjë suprizues. Flet e flet për lurianët e tij e duket sikur një det dashuria I buron në çdo fjalë e gjest, në atë vështrim të pastër që tregon mirësi e respect të pakufi për gjithëkënd.  

Gjithkush, lurian apo jo lurian qoftë, që kërkon gjurmët e një njeriu që di të jetojë bukur, jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë bashkëmalësorët e tij, mund ta gjejë atë tek një personazh i thjeshtë, një njeri i zakonshëm, por me vlera të vërteta njerëzore e qytetare, siç është Ali Hamit Kalinë. Teksa po shkruaj këto radhë për këtë bashkëfshatar, për një mik, për një lurian të pasioneve të bukura njerëzore, për një njeri me një komunkim aq të ngrohtë, aq të gjendshëm në çdo hall e nevojë, janë të shumta episodet që më vijnë në ndihmë për të ilustruar këtë të vërtetë.

Familja e Ali Kalisë ka qenë një vatër e ndezur prush për lirinë e trojeve shqiptare, që ka dhënë bukë, ka shtruar konak e ka dhënë ndihma për partizanët, këta luftëtarë të qëndresës së madhe.Kjo familje, me njerëz punëtorë dhe të drejtë, gëzon një respekt të thellë mbarëpopullor jovetëm në Lurë, por dhe në krahinat përreth, për bujarinë, korrektësinë, ndershmërinë, gadishmërinë për të ndihmuar nevojtarët dhe të pamundurit.  

Ai është pinjoll i një familje me tradita të ngulitura luriane të bukës dhe besës, të fisnikërisë dhe bujarisë, të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, ku Bajram Kalia ka shoqëruar Dali Ndreun nga Lisi i Matit në Lurë, pasi i kishin dalë në pritë forcat e reaksioni. Atje në shtëpinë e tij në Gurë Lurë dhe në shtëpitë e tjera luriane i shpërndau dhe hëngrën drekë e pushuan dhe i shoqëroi gjer në Zall Dardhë. . Sali dhe Arif Kalia kanë qenë partizanë. Por historia shtyhet më thellë në kohë, që në kohën e turkut, në luftë me serbët dhe me Nemcen, ku Hasan Kalia ka qenë pjesë e luftës qëndrestare të lurianëve për liri dhe dinjitet shoqëror.

I ati, Hamiti, ka qenë burrë i lartë, me virtyte të ngulitura luraine e shqiptare, burrë me besë e dinjitet, të cilin Lura e ka nderuar dhe do ta ndreojë në jetë të jetëve kujtimin e tij të paharruar. Nëna, Bardhe Kalia, edhe pse e shtyrë në moshë, ka një kujtesë brilante për të mirën dhe të keqen, di të ndajë kohët dhe t’iu jap drejtimin e duhur emocioneve të saj për një jetë të kaluar mes lurianëve, në të mirë e në të keq, me shpirt të pastër e dashuri të pashuar kurrë për vendlindjen.

Ali Hamit Kalia lindi më 25 mars 1966 në Lurë, ku kreu shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen ekonomike e kreu në Lezhë. Gjatë viteve 1962-1986 do të punojë si normist në kooperativën e Lurës, një vit do të punonte me tregtinë, gjersa nisën proceset e ashtuquajtura demokratike që sollën krahas hapjes së nevojshme të vendit dhe një kaos dhe anarshi të organizuar për të fituar oligarkët e politikës.

Aliu nisi në vitin 1994 rrugën e biznesit, mes vështirësive dhe sfidave të shumta, por me vullnetin dhe kurajën e një luriani të sprovuar që nuk dorëzohet kurrë. Firma e tij, të cilën e quajti “Kalia SHPK-Import-Eksport” u ngrit me mjaft mundime, por me pasionin dhe përkushtimin e presidentit të saj të paepur, mjaft shpejt do ta gjente rrugën e saj dhe do të bëhej një zë me profil të veçantë në këtolloj shërbnimesh për tregun e lirë në vendin tonë.

Gjithmonë ndihmëtar ndaj atyre që janë në nevoja të ngutshme, me një shpirt të madhe fisnikërie e buajrie, Aliu ka bërë dhe bën për lurianët e tij atë që mund të bëjë vetëm një njeri zmerëgjërë dhe shpirtmadh.

Vëllai i tij, Ramazani është një gjigand i biznesit lurian, gjithashtu një bujar me shpirt të madh dhe zemër të ndjeshme për vendlindjen e tij të dashur dhe njerëzit e saj kudo që ndodhen.

Aliu ka një djalë të shkëlqyer, dritën e syve të tij, Alvin, nxënës shembullor në të gjitha lëndët, në shkollën e mesme, me mall e pasion për trevën e tij të rrënjëve, nën shembullin e të atit…

Ali Kalia dhe familja e tij e rrënjëve dhe degëve, që gjithçka në jetë e kanë lidhur me Lurën, këtë vend të magjive të fshehta e të hapura, janë një shembull që duhen ndjekur nga çdo lurian, nga çdo dibran, nga çdo shqiptar i drejtë dhe i ndershëm, që kërkon të krijojë një jetë të ndershme dhe me dinjitet në tokën e tij, në vendin e të parëve të tij.

Ali Kalinë unë jam krenar që e kam mik, që shkëmbej me të një fjalë, një përshëndetje, që rrugëtojmë së bashku në kohën e kujtimeve dhe mbrezsave të përbashkëta të Lurës sonë, në kohën e ëndrrave të jetës, disa prej të cilave mbetën në sirtar, por shumica marrin udhë kudo nëpër Lurë e gjetkë nëpër atdhe dhe Ali Kalia mbetet lajmëtar i këtyre ëndrrave, lajmëtar i vlerave të mëdha të dashurisë së pathyeshme për tokën e të parëve, për gurin e pragut dhe të varrit, që lidhin kohët dhe njerëzit, brezat dhe epokat.

Jam krenar që kam kontakte të vazhdueshme me Aliun, këtë njeri shpirtbukur, me pasione të mëdha dhe ëndrra po kaq të mëdha më shumë se për veten e tij për Lurën dhe lurianët tanë.

Njerëz si Ali Kalia nuk janë aq të shumtë në këtë përditshmërinë tonë të tejngarkuar e stresante, se po të ishin…ah, po të ishin, ndoshta gjërat nuk do të shkonin kështu rrokopujë e pafundme në këtë vend…Ndoshta, prandaj e mban ai në shpinë gurin e Lurës, atë gurë të rëndë sizifian, për ta matur vetveten me peshën e rëndë të mallit dhe kujtimit, për të ndërtuar në vetvete një urë dashurie mbarëluriane, çfarë është pasioni i tij më i madh në këtë jetë dhe për çka ëndëron e vepron biznesmeni i suksesshëm lurian Ali Kalia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat