Zgjedhje presidenciale, apo çmenduri politike në Maqedoni?!

Opinione

Zgjedhje presidenciale, apo çmenduri politike në Maqedoni?!

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 25 janar 2019 Në ora: 14:43
Abdulla Mehmeti

Sipas medieve të vendit, njëri nga kandidatët e mundshëm për KRYETAR shteti në Maqedoni do të jetë ish studenti, protestues në Shkup më 1997 kundër arsimit në gjuhën amtare shqipe, kundër hapjes së Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe në Shkup dhe sidomos kundër Universitetit të Tetovës.

Sot na ndajnë mbi 20 vjet nga këto ngjarje të trishtueshme, të cilat kanë lënë gjurmë të errëta në historinë e këtij shteti, në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe përhapjen e frymës shoviniste e raciste nga grupe studentësh të atëhershëm, nga radhët e Forcave rinore dhe aktivistë të OBRM-PDUKM.

Këta ish studentë më vonë u ngritën në skenën politike të vendit, përparuan, u avancuan dhe shpërblyen nga partia e tyre dhe nga shteti me poste deputetësh e ministrash, në koalicion edhe me partitë shqiptare, partnere „strategjike“ gati dy dekada me radhë të kësaj partie dhe të këtyre shovinistëve me damkë.

Kandidatë të këtillë tani u ofrohen qytetarëve të vendit për president shteti, të cilët gjuhën e dikurshme helmuese të nepërkës mundohen ta shndërrojnë në gjuhë dashamirësie, dialogu e miqësie, në dorë të zgjatur pajtimi e afrimi tinëzar, sa për t'i joshur shqiptarët të votojnë për kandidatë të këtillë, nga radhët partive dhe qytetarëve më të pamerituar të vendit.

Njëra nga parullat më të zëshme dhe më dukshme të protestave kundër arsimit shqip në Shkup, më 1997, ka qenë me këtë përmbajtje: „TË GJITHA SHKOLLAT NË GJUHËN MAQEDONASE“!

Çfarë mund t'u ofrojë shqiptarëve ky kandidat për president shteti në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore, të cilat pritet të mbahen në muajin prill të këtij viti?

Cilat do të jenë partitë shqiptare që do të mund të rreshtohen në anën e kandidatëve të këtillë, cilët do të jenë „partnerët strategjikë“ të tyre dhe cilat do të jenë mediet në gjuhën shqipe, që do të mund t'u bëjnë prezantim dhe reklama kandidatëve të këtillë, dikur me helm në gojë, zjarr e flakë kundër shqiptarëve dhe GJUHËS SHQIPE?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat