Greva në arsim, një tjetër plagë e aktualitetit në Kosovë.

Opinione

Greva në arsim, një tjetër plagë e aktualitetit në Kosovë.

Nga: ADEA HASI Më: 28 janar 2019 Në ora: 22:02
ADEA HASI

Në një shtet si ky i joni është e pamundur që punët të shkojnë mbarë. Sa mendojmë se mund të bëhet përparim në ndonjë fushë, bllokohet ose dështon ndonjë fushë tjetër. Gjithcka është tepër jetëshkurtër dhe prapë secili prej nesh bie pre e pakënaqësisë dhe pesimizmit.

Kohët e fundit, situata me grevat na ka prekur shumë secilin prej nesh për faktin se ka prekur mu aty ku nuk duhet të ndikojë politika, ku nuk duhet të depërtojë interesi apo lakmia , pra ka prekur tek fëmijet. Greva si praktikë e shfaqjes së pakënaqësisë ose e paraqitjes së kërkesave të ndryshme është shumë në rregull, mirëpo të jetë brenda limiteve dhe jo të teprohet dhe të abuzohet.

 Së pari, nuk është në rregull që greva të hyjë në javën e tretë dhe madje as të mos shihet një datë e  përafërt se kur mund të mbarojë. Kjo sepse pastaj e shëndron greven në një instrument të ulët që tenton vetëm të plotësojë interesa egoiste dhe vetjake të atyre që janë pjesë e saj.

Eshtë dhimbje e madhe për secilin kur i sheh fëmijet në shtëpi, të ekspozuar me orë të tëra para kompjuterit ose para televizorit, duke i humbur ditët kot, kur ndërkohë duhej të ishin në shkollë, tu përkushtoheshin mësimeve dhe së bashku me mësimdhënësit të punonin me përkushtim drejt rrugës së diturisë. Të qenurit mësimdhënës është profesion i shenjtë, që mban vështirësi dhe sakrifica të shumta që janë bërë ndër vite, mirëpo nuk duhet që ky profesion të hyjë në ndikime politike, nuk duhet të bëhet ndërmjetësues për realizimin e qëllimeve të të tjerëve por cka është më e rëndësishmja nuk duhet të baraspeshojnë vlerën e punës së tyre në aspektin monetar. Sepse, puna e një mësimdhënësi nuk paguhet asnjëherë, është aq e vlefshme sa nuk ekziston vlerë monetare që do ta paguante rëndësinë e saj.

Por, në anën tjetër nuk është hera e parë që mësimdhënësit hyjnë në grevë për të realizuar qëllimet e tyre. Mirëpo, kjo greva momentale shihet më shumë si grevë për të fituar nga shteti sa më shumë që të munden, si një shfrytëzim rasti për të ngritur mirëqenien financiare me cdo kusht.

E di që për këtë që mësimdhënësit kërkojnë sot, vetë qeveria u ka shtruar rrugën drejt arritjes në këtë pikë, me rritje rrogash të kabinetit qeveritar. Mirëpo, mësimdhënësit momentalisht kërkojnë më shumë sesa që mund të përballohet.

Të kthehemi në realitetin tonë të dhimbshëm, po pjesa tjetër e popullatës? Po pjesa e familjarëve dhe e të rinjve që punojnë nëpër sektore private, po kryefamiljarët që mbajnë familje vetëm, po të rinjtë që mezi financojnë studimet e tyre, po cka na vret ndërgjegjen më së shumti o të nderuar, po ata që mezi sigurojnë kafshatën e gojës? Po atyre kush do u rritë rrogat?

Këta mësimdhënës të shtetit tonë që sot ditët e punës i kanë shëndruar në ditë pushimi, a mendojnë vallë për ata nxënës që i kanë përcjellë nëpër bankat shkollore, e të cilët kanë grada magjistrature e doktorature e sillen zyreve duke aplikuar dhe duke u refuzuar, madje pa as rrogën elementare bazë.

A mendojnë këta për këtë shtet që e ka mbushur kupën, për këtë shtet që njerëzve u fal vazhdimisht pesimizëm, për keta njerëz që durojnë qindra probleme dhe halle dhe u bëjnë ballë me zor , por ua shtojnë edhe një problem që të them të drejtën se kishin mangut, problemin e fëmijëve, të arsimimit të tyre. Kur e mendon, ky popull duron vërtetë shumë, shkelet në cdo aspekt të mundshëm dhe prapë ja ku janë, mbijetojnë përkundër padrejtësive që vazhdimisht u bëhen.

Mësimdhënes të nderuar, në Kosovë ka njerëz që punojnë punë nga më të mundimshet, pa orar, të shfrytëzuar e të lodhur deri në skajin e shpirtit të tyre, dhe paga e tyre nuk krahasohet me të juajën. Ka të rinj me të njejtat kualifikime si të juajat e ndoshta edhe më tepër që rrinë në shtëpi, dhe po tu jipej mundësia do punonin edhe për gjysmën e rrogës tuaj. Prandaj unë them që tu thirrni mendjes dhe të qëndroni me këmbë në tokë. Ruajeni dhe mbrojeni atë që është më e rëndësishmja për ju – nderin dhe figurën e pastër të mësimdhënësit, ju jeni shembull , qëndroni gjithmonë shembull i së mirës! Por, edhe jeni të kënaqur me këto që keni dhe me këto cfarë ofrohen. Sic thotë një shprehje, gjithmonë është dikush që vlerëson dhe dëshiron të ketë atë që ju keni momentalisht. Prandaj, mesoni të vlerësoni gjithcka që keni përpara se koha tu bëjë të vlerësoni atë që kishit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat