Gjuha shqipe e demokratizon Maqedoninë

Opinione

Gjuha shqipe e demokratizon Maqedoninë

Nga: Rexhep Torte Më: 30 janar 2019 Në ora: 09:28
Rexhep Torte

E padrejtë, e patolerueshme dhe tejet e gabueshme është  kur sot dëgjojmë mendime shovene maqedonase ndaj shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Është fatkeqësi e madhe që sot në shekullin e 21 jetojnë njerëz me mentalitetin mesjetar në zemër. Për këta njerëz  dashakeq nevojitet të sqarojmë se edhe  në ish Jugosllavi gjuha shqipe ishte e barabartë me gjuhën maqedonishte.

Vahide Hoxha, deputete e Kosovës në Kuvendin Federativ të ish Jugosllavisë me nismën e saj dhe me përpjekje intensive, në vitin 1978  arrijti që në Kuvendin Federativ dhe në Këshillin Ekzekutiv Federativ të ish Jugosllavisë të themelohen edhe redaksitë në gjuhën shqipe krahas  redaksive në gjuhën serbishte, kroatishte, sllovenishte, boshnjakishte, hungarishte e maqedonishte. Vahide Hoxha po  në këtë vit e para e nisi diskutimin e saj  në Kuvendin Federativ të ish Jugosllavisë në gjuhën shqipe dhe bëri që deputetët pjesëmarrës ti vënë kufjet në veshë e ta dëgjojnë diskutimin e saj të përkthyer.

Dekretimi i amendamenteve kushtetuese të miratuara mbi bazën e  Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë e Greqisë, si edhe i  Ligjit për  përdorimin gjuhëve të  nënshkruar  nga Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë  dhe shpallja e tyre në “Gazetën Zyrtare” të Maqedonisë, janë dy ugurët e mirë dhe hapat e duhur e shpresëdhënës në këtë fillimvit  për Maqedoninë dhe banorët e saj.

Kundë kësaj mbarësie dolën vetëm protagonistët negativë tashmë të dëshmuar Gjorgje Ivanov, Kristian Mickovski  dhe bashkëmendimtarët nacionalist-shovenistë që  u shkojnë pas.

Të gjithë ata që kontribuan dhe miratuan ndryshimet kushtetuese mbi bazën e Marrëveshjes së Prespës dhe më parë edhe  Ligjin për  përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, kanë vënë nga një gur në murin e ri të demokracisë në Maqedoni që tashmë ka filluar të ndërtohet. Tani është koha e reformave që çojnë drejt BE-së  dhe NATO-s, e jo koha e romantizmit nacional-shovenist maqedonas.

Në këto lëvizje demokratike shqiptarët në Maqedoni dhanë shembullin më të mirë të durimit e  konstruktivitetit.

Si pasojë e vendimvene  të Kongresit të Berlinit në 1978, të Konferenvës së Ambasadorëve në londër  1913 dhe  të Konferencës së Paqes në paris 1920  më shumë se gjysma e trojeve dhe e popullit shqiptar  pa vullnetin e tyre u ndanë nga shteti amë Shqipëria  dhe  sot gjenden e jetojnë në pesë shtete  fqinje.Gjëja më e vogël që sot duhet ta kenë shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e tyre por në shtete të ndryshme është përdorimi i gjuhës amtare shqipe, i simboleve kombetare dhe të jenë  të barabartë me popujt e tjerë ku jetojnë.

Gjuha shqipe është gjuhe me origjinalitet e identitet  të padiskutueshëm, me integritet, sovrane, autoktone dhe e pastër, që nuk mund të kontestohet nga askush, të cilën në Ballkan e flasin  më shumë se 6 milionë shqiptarë, dhe në saje të këtyre cilësive i ka përballuar stoikisht të gjitha fortunat armiqësore asimiluese. Nuk mund të ketë  arsyetim për pengimin e  përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni në të gjitha strukturat dhe nivelet vendore dhe shtetërore.

Shqiptarët në Maqedoni edhe pas Luftës së dytë Botërore  mbetën të zhgënjyer nga premtimet që u dhanë gjatë luftës kundër nazifashizmit, sepse pas çlirimit shqiptarëve në vend që tu mundësohet vetvendosje siç ishin premtimet  gjatë luftës, filluan përndjekjet, persekutimet, burgosjet dhe vrasjet e djemve më të mirë shqiptarë vetëmse kerkonin të drejtat elementare e legjitime. Kjo situatë solli edhe luftën e UÇK-së në vitin 2001. Me ardhjen e demokracisë në Maqedoni ndaj shqiptarëve vazhduan  represaljet policore siç janë ngjarjet tragjike të  Gostivarit, ngjarjet  me rastin e hapjes së Universitetitm të Tetovs, ngjarjet e Bit Pazarit, Ladorishtës, Gradecit, Sopotit, Monstrës dhe të Kodrës së Trimave në Kumanovë. Të gjitha këto të iskenuara  dhe të përgatitura nga shteti dhe strukturat e tij maqedonase.

Shqiptarët në Maqedoni janë faktor i rendësishëm dhe përcaktues pro Perëndimor, ndaj edhe shteti duhet të kujdeset për të mirën e shqiptarëve në aspektin e përfaqësimit, zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor.

Frymës së re që tashmë ka filluar hapërimin duhet ti jepet mbështetje  e gjithanshme nga të gjitha forcat progresive. Nuk mund të shkohet para dhe të aderohet  në strukturat euroatllantike duke i urryer dhe nëpërkëmbur shqiptarët dhe banorët e tjerë që  jetojnë në Maqedoni. Vetëm kështu mund të zhvillohemi, ta përmirësojmë mirëqenien tonë, të krijojmë vende pune  për të rinjtë nën strehën e BE-së dhe NATO-s për të mos u larguar nga vendlidja.

Në periudhën kur shqiptarët dhe maqedonasit ishin nën ombrellën e Federatës Jugosllave përkundër politikës së njohur antishqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe ishte i barabartë me gjuhën maqedonishte dhe me gjuhët e kombeve  e kombësive tjera. Për këtë qëllim ishin themeluar  shërbimet përkatëse të përkthimit veçmas në Kuvendin Federativ dhe veçmas Këshillin Ekzekutiv Federativ të Ish Jugosllavisë, ku kryheshin përkthimet me shkrim dhe me gojë (simultane dhe konsekutive), në të gjitha gjuhët e kombeve dhe të kombësive dhe në gjuhët e huaja.

Të gjitha materialet, duke përfrshirë edhe ato zyrtare sekrete, rezervat dhe tepër rezervat, përktheheshin  edhe në gjuhën shqipe, për çka ishin ngritur redaksi  të kompletuara dhe profesioniste.

Këto të dhëna  dëshmojnë qartë se Maqedonia dhe populli maqedonas  nuk kanë asnjë të drejtë  ta kufizojnë dhe nëpërkëmbin gjuhën shqipe, sepse shqiptarët janë shtetformues dhe se  regjistrimi i ardhshëm që pritet  të  mbahet  në vitin 2020 do të dëshmojë se shqiptarët në Maqedoni janë shumë më tepër se 20 përqindëshi me të cilin manipulohet sot në Maqedoni, ndaj edhe shovenët maqedonas përpiqen ta heqin rubrikën e përkatësisë etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat