Edi Rama kërkon çamë me qira

Opinione

Edi Rama kërkon çamë me qira

Nga: Arben Llalla Më: 30 janar 2019 Në ora: 21:41
Arben Llalla

Edi Rama, i cili e kërkoi tepsinë vetëm për socialistët, është shumë i vëmendshëm të gjejë aleanca apo njerëz që dalin tepër si mish i huaj nga lëvizjet e tjera politike. Kujdes të veçantë ai ka për PDIU-në, të cilës që pas zgjedhjeve të qershorit të 2017 është kujdesur t’i gjejë kryetarë të ri, t’i vjedhë votat, t’i shkarkojë deputetë dhe të emërojë deputetë të tij e kështu me radhë. Nuk ia ka dalë dot me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndaj ngushëllohet me çfarë mbetet rrugës, sepse opozita është sport i rëndë, se vetë Edi Rama e ka pas thënë.

Së fundmi, qeveria e tij që nuk do e ndante tasin e groshës jashtë Rilindjes, ka emëruar Vjollca Brahon drejtore të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Zonja është e njohur në politikë vetëm pasi u themelua PDIU. Ajo është e vetmja që ia ka parë hairin partisë, sepse e zgjodhën kryetare të Forumit të Gruas, PDIU e emëroi drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore – ISSH, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – FSDKSH, zëvendësministre e Punës, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës e kështu me radhë. Shumë kritika të drejta të votuesëve besnikë kanë ardhur në adresë të kësaj partie, falë këtyre njerëzve që përfituan gjithçka dhe nuk e kthyen një herë kokën prapa. Tashmë Vjollca Braho, vazhdon lart e më lart, jo më si përfaqësuese e PDIU-së, por mercenare e rilindur e qeverisë.

Nuk është çudi që Edi Rama të shpikë një tjetër lëvizje a parti si bëri dikur, meqë ende mendon se PDIU-në e gjen e keqja nga fuksat. Bëri dikur aleancë me një Aleancë dhe i numëroi votat me gishtat e njërës dorë, prandaj ku i dihet e provon prapë dhe gjen ndonjë tutkun tjetër me qira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat