Evropa, të gjejë një zgjidhje shkolonizuese për shqiptarët në Ballkan

Opinione

Evropa, të gjejë një zgjidhje shkolonizuese për shqiptarët në Ballkan

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 31 janar 2019 Në ora: 19:17
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

* **Konferencë ndërkombëtare për gjithë Ballkanin, jo vetëm për Kosovën, sepse pa zgjidhjen gjithëpërfshirëse të problemit kolonial të gjithë shqiptarëve, bashkëpunimi, sigurija, stabiliteti dhe paqja, do të jenë të brishta në Ballkan.

Prandaj, Tirana dhe Prishtina të mos frikëshen nga  nisma për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare, por, ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse për tërë rajonin e Ballkanit, jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, sepse kjo do të ishte një padrejtësi e madhe ndaj territoreve të tjera të kolonizuara shqiptare  dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan(1878-2019).

Ky problem do të mund të zgjidhej vetëm  nëse organizohet mbajtja e një konference ndërkombëtare, ku do të merrnin pjesë Amerika me aleatët e saj evro-ndërkombëtarë perëndimorë dhe Rusia etj.

Edhe pse Beogradi dhe Moska kanë rënë në ujdi, që të organizohet një konferencë  ndërkombëtare vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, politika e jashtme dhe diplomacia e  boshtit Tiranë-Prishtinë, nuk do të duhej ta pranonin një propozim të tillë serbo-rus  vetëm për Kosovën, por të dalin me kundërpropozimin unik me consensus të tyre, duke kërkuar një konferencë ndërkombëtare për gjithë Ballkanin, Jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, sepse problemi kolonial i shqiptarëve shtrihet tej kufijve administrativë dhe artificialë Kosovës  (Preshevë, Bujanoc, Medevgjë, Novi Pazar, Maqedoni, Mali i Zi dhe Greqi), të imponuar sipas Kushtetutës së ish-RSFJ-së së vitit 1974.

-Kohëve të fundit po spekulohet shumë se, do të mbahet apo jo një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit historik mes Serbisë dhe Kosovës, duke qenë se Dialogu i Brukeslit mes palës kosovare dhe asaj serbe të Beogradit, qe 9 vjet nuk ka dhënë asnjë  rezultat konkret pozitiv për t’u arritur ndonjë kompromis politik mes Prishtinës dhe Beogradit (2011-2019).

Mirëpo, me gjithë këtë dështim 9-vjeçar të politikës serbo-kosovare dhe të asaj ndërmjetësuese të BE-së, po ushtrohet trysni e madhe nga diplomacia evro-ndërkombëtare, që palët negociuese të vazhdojnë Dialogun e tyre të dështuar në Bruksel  me ndërmjetësimin e  përfaqësues së lartë për siguri dhe çështje të politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogeherini. Kjo është vetëm humbje kohe, sepse në mbylljen e atij dialogu “maratonik” pothuajse një dekadë (2011-2019), Serbia nuk do të pranojë ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008). Ai dialog mund të zgjatë me vite e me dekada, por Beogradi nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara (10.06.1999), e cila de fakto dhe de jure e mohon pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, e vetmja rrugëdalje është, që Prishtina dhe Tirana, urgjentisht të kërkojnë mbajtjen e një Konferene ndërkombëtare për gjithë Ballkanin, sepse vetëm aty mund të “avullohet” Rezoluta 1244 për Kosovën si dhe hapet kapitulli historiko-politik dhe diplomatik për shkolonizimin e shqiptarëve në Ballkan, me ç’rast do të bëhej korrigjimi, përkatësisht ndryshimi i kufijve ekzistues artficialë dhe jolegalë  i shteteve kolonialiste sllave të Ballkanit, të cilat përpos Shqipërisë Etnike, u kanë borxhe territoriale edhe Kroacisë, edhe Hungarisë etj.

Me dialog demokratik, me paqe dhe me mbështetjen e fuqive të mëdha botërore, mund të ndryshojnë edhe kufijtë e diskutueshëm dhe të padrejtë  të Ballkanit

Fundja, shekulli XXI ndryshon nga shekujt e kaluar për sa i përket zgjidhjes së konflikteve me bagazh kolonial mes vendeve të ndryshme, sepse në vend të praktikës së derisotme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të opsionit me forcë (me luftë) dhe me ndërhyrje nga jashtë, sot rekomandohet, mbështetet dhe praktikohet dialogimi demokratik dhe paqësor mes shteteve demokratike, ashtu siç parashikojnë Karta e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e normat e së drejtës ndërkombëtare (jo forca, agresioni dhe gjenocidi kolonial).

Mirëpo, kjo formë e ligjshme, demokratike dhe paqësore sipas normave juridike të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve  të Bashkuara, ende është e papranueshme për Serbinë, për Malin e Zi,për Greqinë dhe për Maqedoninë Veriore, që  t’i zgjidhin problemin kolonial të tyre me shqiptarët e kolonizuar, të ankesuar dhe të copëtuar me luftë dhe me gjencid kolonial gjatë shekujve të kaluar të historisë (1878-2019).

Shtetet e theksuara kolonialiste dhe neokolonialiste sllave të Ballkanit po veprojnë kështu me shqiptarët e kolonizuara dhe me territoret e tyre të pushtuara me agresion dhe me gjenocid për shkak se, edhe në këtë shekull, ende po vuajnë nga sëmundja psikopatologjike për shfarosjen e shqiptarëve dhe të pushtimit të territoreve të Shqipërisë Etnike.

Ky është rreziku që po kanos gjithë kombin shqiptar në Ballkan, që edhe në shekullin XXI, të mbetet i copëtuar në sundimin e egër kolonial sllav mbase, ende në shtetet e theksuara kolonialiste sllave nuk kanë ndodhur reforma thelbësore për demokratizimin e sistemeve të tyre të kalbura kolonialiste dhe hegjemoniste.

Edhe pse në fund të dekadës së dytë të këtij shekulli, tani është çekuilibruar sistemi unipolar i marrëdhënieve politike ndërkombëtare ngaqë veç Amerikës si  superfuqi e vetme botërore në zgjidhjen e krizave dhe të konflikteve ndërkombëtare janë involvuar edhe aktorë të tjerë siç janë Rusia dhe Kina etj.

Mirëpo, me gjithë këtë ndryshim  në skenën politike ndërkombëtare, Prishtina dhe Tirana zrytare nuk duhet të hezitojnë dhe të frikësohen, që para të gjitha shteteve fqinje në rajon, të ushtrojnë kërkesën e tyre Amerikës dhe BE-së për organizimin urgjent të një konference ndërkombëtare për BALLKANIN, jo vetëm për Kosovën!

Ky do të ishte shansi historik, i fundmë në shekullin XXI, që të riaktualizohej dhe të rindërkombëtarizohej zgjidhja e problemit kolonial të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Nëse nuk do vinte në shprehje mbajtja e një Konference ndërkombëtare për ballkanin, atëherë dëmin dhe pasojat më të mëdha sërish, do të binin mbi supet e shqiptarëve të kolonizuar dhe të territoreve autoktone  të Shqipërisë, duke ngelur “peng” edhe më tej  me status kolonial të pandryshuar si këtu e dy shekuj më parë (XIX, XX).

Mirëpo, derisa shqiptarët e kanë mbështetjen e Amerikës dhe të aleatëve të saj evro-perëndimorë, është moment historik ta shfrytëzojnë këtë përparësi ndaj të tjerëve, të veprojnë si një komb dhe si një shtet i vetëm, duke kërkuar urgjentisht mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Ballkanin, jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, sepse çdo marrëveshje e arritur mes tyre nuk do të jetë kurrfarë zgjidhjeje e as kurrfarë garancie për shqiptarët e kolonizuar në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoninë Veriore dhe në Greqi, por vetëm rikonfirmim i gjendjes së tyre status quo nën kthetrat e përgjakshme të sundimit kolonial shekullor të metropoleve kolonialiste sllave  të Ballkanit (1878-2019).

Dy Republika shqiptare ose një shtet i  bashkuar kombëtar shqiptar në Ballkan

Duhet kuptuar politika dhe diplomacia shqiptare, se me njohjen e Kosovës (të cilën nuk po e njohin OKB-ja dhe Serbia), në asnjë kuptim nuk është afër zgjidhja e problemit kolonial të shqiptarëve në Mal të Zi, në Serbi (Presheva, Bujanoci, Medvegja), në Greqi dhe në Maqedoninë Veriore, sepse mbi 2 milionë shqiptarë kanë ngelur jashtë Kosovës ahtisariane dhe Shqipërisë londineze (1913).

Në Koneferencën eventuale për Ballkanin, liderët politikë shqiptarë, veç opsionit për bashkimin gjithëkombëtar dhe shtetëror të Shqipërisë Etnike,  sipas  sugjerimit vlerësues të ish-akademikut të ndjerë dhe  patriotit të shquar shqiptar Prof.Dr. Mark Krasniqi, do të mund të përdornin edhe Planin “B” – “Formimin e Republikës Shqiptare Sovrane Demokratike në të cilën do të përfshiheshin të gjitha viset etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët. Kjo do të thotë se, në këtë Republikë, të përfshihen : Kosova, Maqedonia Perëndimore, Presheva, Bujanoci,  Plava, Gusia, Hoti, Tuzi, Gruda, Ulqini, Tivari. “ (Akademik Prof.Dr. Mark Krasniqi, “Kosova Sot” /Referat i paraqitur në Senatin Belg/, Prishtinë, 1992, f.31-32).

Sipas këtij propozimi të Akademikut të shekncëtarit të merituar Mark Krasniqi, kjo KJO do të duhej të ishte REPUBLIKA E DYTË SHQIPTARE NË BALLKAN,  në rast dështimi të opsionit të parë-BASHKIMI I GJITHË KOMBIT SHQIPTAR DHE I TERRITOREVE SHQIPTARE NË NJË SHTET KOMBËTAR, ASHTU SIKURSE QË U BASHSKUA GJERMANIA MË 1989.

Në rast aprovimi të kësaj REPUBLIKE TË DYTË SHQIPTARE NË BALLKAN, atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja racionale, ku po mbetet  REPUBLIKA E SHPALLUR E ÇAMËRISË?

-Dihet, patjetër këtë çështje jetike dhe të patejkalueshme në planin gjithëkombëtar dhe ndërkombëtar, Shqipëria londineze, duhet ta parashtrojë me argumente dhe me fakte, të mbështetura në të drejtën historike dhe të së drejtës së vetëvendosjes, që bashkësia ndërkombëtare, ta njohë si shtet më vete (shteti i tretë shqiptar në Ballkan), ose me çdo kusht  t’i bashkohet Shqipërisë së sotme.

Nuk ka asnjë dyshim se një zgjidhje e tillë e problemit kolonial shekullor të shqiptarëve në Ballkan, do të ishte garancia e sigurt dhe afatgjatë e ruajtjes së stabilitetit, të sigurisë, të demokracisë dhe të paqes  në Ballkan dhe më gjerë. Mirëpo, për t’u realizuar një koncept i tillë  i shndërrimit të Ballkanit në zone paqeje, sigurie dhe mirëqenieje për  të gjithë popujt e tij, pikësëpari, nevojitet që në vendet e theksuara kolonialiste sllave, të vijnë në pushtet forcat e njëmednta demokratike dhe paqësore, të cilat, mirëfilli do të kishin pasur edhe mbështetje të fuqishme politike, ekonomike dhe diplomatike etj. nga  bashkësia ndërkombëtare, siç janë OKB-ja, BE-ja, NATO-ja, OSBE-ja etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat