Korrupsioni dhe gjysma e “padukshme” e mëkatit të drejtësisë...!

Opinione

Korrupsioni dhe gjysma e “padukshme” e mëkatit të drejtësisë...!

Nga: Ilir Çumani Më: 31 janar 2019 Në ora: 19:42
Ilir Çumani

Transparency International në raportin e saj vjetor mbi shkallën e korrupsionit në botë, e  ka renditur Shqipërinë në vendin e 99 – të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur në vendin e 91 – të. Ky raport, ka përfshirë 180 vënde të botës dhe ka përdorë një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku shifra zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Dihet se korrupsioni është një plagë e rëndë, me kosto të lartë sociale, i cili shtrihet në formë kapilare dhe shfaqet me rrënjë të thella në çdo sistem, veçanërisht në vëndet me demokraci të brishta, sidomos në shoqëritë hibrite si kjo e jona.

Arsyeja, përse korrupsioni është i vështirë për tu goditur frontalisht dhe me efikasitet të plotë, qoftë edhe me mjete më të stofistikuara që i zotërojnë sot agjensitë ligjitzbatuese,  është fakti se, në të përfshihen një masë e madhe individësh që ushtrojnë paligjshmërinë e tyre në raport me ligjin. Në tipologjinë klasike të ekzistencës së këtij fenomeni mjaft shqetësues, të parët që përfshihen në skemat okulte dhe konspirative të korrupsionit, janë individët e pushtetshëm, ata që zotërojnë funksione kyçe të ekonomisë dhe shërbimeve publike, jo vetëm përmes pushtetit politik dhe administrativ, por edhe përmes pushtetit të parasë. Këta individë, të  vetëndier të “pushtetshtëm” e të “paprekshëm”, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kurajohen dhe guxojnë të shkelin në “sinoret” e paligjshmërisë, shpërdorojnë detyrën, keqpërdorin besimin e publikut në mënyrë tepër të zgjuar dhe të rafinuar, duke rekrutuar një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh “besnik”, në tërë zinxhirin korruptiv të administratës ku ata ndërveprojnë.

Për rrjedhojë, të gjithë individët e përfshirë në këtë skemë, kush më shumë, e kush më pak, janë përfitues të drejtëpërdrejtë përmes paligjshmërisë, makinacioneve të shpërdorimit të detyrës. Ajo që e bënë të veçantë por edhe të vështirë luftën ndaj korrupsionit, është fakti se, të gjitha hallkat e zinxhirit që e mbajnë të sigurt rrjetën e tjerur të këtij sistemi të kalbur e të rrezikshëm për çdo ekonomi e shoqëri, janë aq shumë të koklavitura e të lidhura fortë, (në mënyrë kapilare), saqë ato shfaqen të sigurta e të pazgjidhshme me njëra tjetrën. Duket gati e pamundur t’i zgjidhësh ato nyje me fije të dukshme e të padukshme që përdoren për ta mbajtur sa më vital, veprues, rentabël dhe aktiv këtë fenomen të krimit klasik dhe modern. Gjykoj se, fenomeni i korrupsionit në vendin tonë, gëzon një “imunitet” për shkak të indiferentizimit tonë kolektiv si shoqëri. Ai ka një “kod sekret” dhe një “pakt” konsensual mjaft të heshtur me mentalitetin konservator në një mjedis si ky i yni. Mbase edhe për shkak të mos prezencës së shtetit në mbrojtje të qytetarit, mungesës së mekanizmave gjithëpërfshirës të ndërgjegjësimit dhe reagimit qytetar, pamjaftueshmërisë së kulturës demokratike, të bashkëjetesës komunitare me interesin publik, perceptimit dhe vlerësimit subjektiv që mbart dhe ushqen  në psikologjinë e vet një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare në raport me të.

Nga ana tjetër, është edhe një kategori shoqërore, (ku pjesa më e madhe i përket kontigjentit të të zhgënjyerëve, të dëshpëruarëve dhe të pashpresëve), që gjithmonë i konsideron individët e përfshirë në korrupsion si njerëz të “zot”, të “shkathët”, “të kohës”, që janë të aftë të bëjnë atë që shumica e shoqërisë nuk e bën dhe nuk mundet ta bëj dot. Madje, modeli i përfitimit përmes abuzimit, duke u pasuruar lehtë dhe në një kohë të shkurtër në kurriz të paligjshmërisë, në dëm të shoqërisë dhe të interesit publik, është ai më tunduesi, më joshësi, që ndodh shpesh tek ajo kategori njerëzish që kurajohen dhe guxojnë të shkelin në terrenin e ”minuar” të antiligjit. Këtu qëndron edhe dilema që ndan e pozicionon në anë të kundërta dy kategoritë e shoqërisë: ata që i kundërvihen dhe ata që nuk i kundërvihen ligjit. “Të jesh” apo të “mos jesh”, “të bëhesh” apo të “mos bëhesh”, është dilema që kategoria e tretë, ajo e individëve të lëkundur, të ndikuar edhe nga nevojat bazike e rrethanat e pafavorshme sociale ekonomike, përfshihen lehtësisht në korrupsion.

Ata nuk arrijnë të kuptojnë qartësisht shkallën e lartë të rrezikshmërisë, pasojat që sjell ky fenomen në dëm të shumicës, në dëm të shoqërisë. Kjo skemë, funksionon e plotë dhe në mënyrë organike, veçanërisht në ato shoqëri që luhaten në ekzistencën dhe mosekzistencën e tyre, sidomos në periudha të zgjatura krizash politike e sociale – tranzitore, siç është edhe shoqëria shqiptare, e cila, përshtatet lehtë me kushtet e mosfunksionimit të plotë të ligjit, e në veçanti kur ligji kapet peng nga ushtruesit dhe uzurpuesit e tij. Padyshim, armiqtë më të mëdhenj të korrupsionit deri në vdekje, për çdo sistem shoqëror demokratik, kanë qenë dhe është ajo pjesë e kalbëzuar, e kriminalizuar, e pushtetit Gjyqësor dhe e Prokurorisë, që fatkeqësisht, në emër të DREJTËSISË instalojnë sistemin e PADREJTËSISË. Por, e gjitha kjo, nuk mund të mendohet se funksionon në tërësi, pa marrë parasysh edhe një sektor tjetër  po aq problematik, siç është edhe një pjesë e korruptuar e shërbimit të trupës avokatore, gjysma e “padukshme” e mëkatit të së tërës pjesë e kriminalizuar të sistemit tonë të drejtësisë. Tashmë vettingu ka hyrë në një proces të pashmangshëm dhe po kalon në filtër çdo profesionist që shërben në sistemin e drejtësisë. Do të gaboheshim rëndë nëse do të gjykonim se, ky do të ishte fundi dhe shpëtimi nga e keqja e madhe, po të mos kemi parasysh edhe rëndësinë që ka vettingimi i gjysmës tjetër të “padukshme”, po aq e rëndësishme në këtë sistem drejtësie që është avokatia, pala  kundërshtare që përballet çdo ditë me prokurorinë dhe gjykatën në mbrojtje të të akuzuarve.

Askush nuk duhet të mendoj se,  të gjitha zullumet dhe mëkatet e kryera për afro tre dekada në sistemin tonë të drejtësisë, të mund të kenë ardhur si pasojë, vetëm e asaj pjesë  të dukshme e trupës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar. Kjo do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e ngushtë të gjysmës tjetër të “padukshme” edhe më të korruptuar, edhe më e kriminalizuar e një pjese të pamoralshme të trupës avokatore, e cila, për hir të së vërtetës, në kushte normale do të konsiderohej si “arteria” mjaft e rëndësishme për mbarëvajtjen e një procesi të drejtë, e paanshme për zbardhjen e së vërtetës në dhënien e drejtësisë. Në fakt, përvoja ka treguar se shembujt janë tepër tronditës. Shifrat janë shokuese dhe të frikshme kur konstaton se, në këto tre dekada janë gjykuar qindra e mijëra çështje për të cilat, njerëz të botës së krimit i kanë shpëtuar paq marrjes së dënimit të merituar për vepra të ndryshme penale të kryera prej tyre. Nga ana tjetër, shumë qytetarë të pafajshëm kanë mbetur viktima të një drejtësie të mohuar, për shkak të pazareve me rryshfete të majme përmes marëdhënive okulte të bashkëpunimit korruptiv prokuror – avokat – gjyqtar. Kohët e fundit, dy avokatë të Dhomës së Avokatisë në Tiranë, B.B dhe E.S, në mënyrë abuzive u përfshinë në një proces civil të korruptuar përmes dokumentave të fallcifikuara nga klineti i tyre K.A.

Në bashkëpunim me njëri tjetrin, ata i paraqitën gjykatës së Tiranës të dhëna të rreme, përmes dy padive të sajuara. Qëllimi i këtij veprimi të paligjshëm dhe i pastër korruptiv, synonte që, së bashku me klientin e tyre fallcifikator, të përfitonin në mënyrë abuzive e të pandershme një shumë të konsiderueshme vlere monetare prej 50.000.000 lekë. Pandershmëria dhe manipulimi i këtyre avokatëve e kalonte cakun e etikës profesionale, duke vepruar dhe manovruar me dy standarte në dy gjykata. Në Gjykatën e Shkallës së Parë,  përmes shkresës së Akt – Padisë, ata nuk kishin pranuar të publikonin logon e studios që administronte avokati B.B, me qëllim për të mos u identifikuar nga gjykata për faktin se,  babai i tij A.B, dikur kishte punuar si gjyqtar në këtë gjykatë. Mirëpo, pasi gjykata u shpreh me vendim dhe e rrëzoi padinë e sajuar prej tyre si të pa mbështetur në prova dhe në ligj, biri – avokat, B.B, “vrapon”  në Gjykatën e Apelit ku punon aktualisht babai i tij gjyqtar, A.B, me shpresën e vetme se  çështjen që kishte humbur në gjykatën e shkallës së parë, të mund ta “fitonte” atje, në “gjykatën” e babait. Për t’ia arritur këtij qëllimi, biri – avokat, B.B,  përdori në Gjykatën e Apelit (ku punon babai i tij gjytar A.B), një metodë të pandershme, të ndryshme nga praktika që ndoqi në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në krye të shkresës: kërkesës – ankimore,  në mënyrë të dukshme, ai kishte evidentuar logon e studios avokatore që administron, me qëllim që çështja që përfaqësonte, të binte në sy të kolegëve të babait – gjyqtar që gjykuan çështjen.

Me anë të këtij veprimi të pandershëm, biri – avokat synoi që të luante me trafikun e influencës për të ndikuar në vendimarrjen e trupës gjyqësore në favor të çështjes që ai përfaqësonte, me dokumenta të fallcifikuara dhe me të dhëna të rreme, (kjo e fundit, është një vepër penale e dënueshme, e parashikuar nga neni 190 të Kodit Penal). Ky pra, është edhe “kodi” i komunikimit i një rasti flagrant korruptiv në një marëdhënie okulte bir – avokat dhe baba – gjyqtar brenda gjykatave tona. E solla këtë rast për të theksuar faktin se,  janë disa palo “avokatë” – sekserë që kanë pushtuar tregun inflacionist të shërbimeve publike me të ashtuquajtura “studio avokatore”, të cilat  i kanë  kthyer në “kuzhina” ku gatuhet lënda e parë e korrupsionit për gjykatat tona.

Përmes modelit korruptiv të “gjykatave familjare”: baba – gjyqtar, bir – avokat, baba – prokuror, bijë – përthyese, është ndërtuar një ngrehinë e frikshme e korrupsionit, ku të gjithë së bashku, marrin dhe japin në një marëdhënie okulte, duke i degraduar institucionet e drejtësisë në një sistem të (pa)drejtësisë, në një katrahurë që nuk e merr vesh i pari të dytin. Procesi i vettingut ende vazhdon. Deri tani, ai ka zbuluar dhe nxjerrë jashtë sistemit një pjesë të konsiderueshme të trupës Gjyqësore dhe të Prokurorëve, të cilët, në këto 28 vjet kanë dhënë vendime në emër të “drejtësisë”, por që në fakt, u provua  e kundërta, ngase ata nuk i plotësonin kriteret e profesionalizmit, për justifikimin e  pasurisë dhe të integritetit moral. Atëherë, natyrshëm lind pyetja: me këtë produkt mizerabël kanë shpresuar për afro tre dekada shqiptarët për të marrë drejtësi në gjykatat tona…!? Por, a mundet të mendohet se, e gjithë kjo katrahurë ka ardhur vetëm si pasojë e mëkateve të kësaj pjese të trupës gjyqësore, me Gjyqtarë dhe Prokurorë të korruptuar e të paaftë, që  procesi i vettingut  i kapi gafil, duke lënë mënjanë “infrastrukturën” dhe “lëndën e parë” të këtij sistemi, shërbimin e avokatisë…!?

A lypset vetting edhe për edhe për këta “kuzhinier” të (pa)drejtësisë që e kanë ngritur dhe e mbajnë gjallë të gjithë skemën e korrupsionit në kurriz të qytetarëve të pafajshëm për afro tre dekada…!? Ligji i vettingut, doemos, duhet të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë jo vetëm atë pjesë të trupës gjyqësore të korruptuar e të pa denjë, por edhe atë kontigjent kriminal pseudoavokatësh, manipulatorë, fallcifikatorë, mashtrues e matrapazë profesionistë, të cilët përmes abuzimit dhe paligjshmërisë janë zhytur në luksin e parave të krimit dhe të korrupsionit, pispillosen e kapardisen me veshje firmato, me makina dhe banesa super të shtrejnta. Disa syresh, edhe pse buzët i kanë ende me qumësht dhe mjekrën me push, falë baballarëve e mamallarëve – gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, (edhe pse i kanë të mjaftueshme orët e përvojës së punës në profesionin që ushtrojnë), sot, ata zotërojnë studio superluksoze në qendër të Tiranës.

Zotërojnë dhjetra numra llogarie bankare në lek e valutë, dhjetra tituj pronësie të luajtshme dhe të paluajtëshme, saraje me pasuri të frikshme që në fakt, një avokat i karrierës në moshën 80 vjeçare me mjekër në Gjermani, në SHBA, në Kanada apo në Zvicër, do ti kishte zili këta “avokatë” – axhami. Padyshim, duke marrë parasysh realitetin shqiptar, me shumë gjasa, të gjitha këto janë realizuar në kushtet e ushtrimit të profesionit në mënyrë abuzive dhe të pandershme, përmes një evazioni fiskal. Ndoshta, ka ardhë momenti që të ndërmerret një hetim i thelluar nga institucionet e ligjitzbatues për këtë çështje, në kuadër të transparencës dhe ballafaqimit me ligjin. Nga ana tjetër, për të qënë të drejtë, të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për të mos e përgjithësuar të gjithë atë armatë gjyqtarësh, prokurorësh, noterë dhe avokatë profesionistë e të zotë, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre integritet të lartë profesional e moral, duke mos patur asnjë lidhje me pjesën tjetër paçavure, këta të fundit, pa asnjë rezervë mund të konsiderohen një rrezik potencial për të gjithë sistemin e drejtësisë, një epidemi me sëmundje malinje për shtetin ligjor dhe mbarë shoqërinë.

Kjo pjesë e shëmtuar e sistemit të drejtësisë, e konvertuar në matrapazë e sekserë gjykatash, zotërojnë sot “studio avokatie” me infrastrukture superluksoze që në fakt, s’janë gjë tjetër, veçse zyra gjobevënëse ndaj individëve dhe qytetarëve të pambrojtur, që janë pjesa më e dobët e shoqërisë, viktima dhe gjahu i lakmueshëm i kapur në rrjetat e tyre të manipulimit dhe mashtrimit. Këta individë, jo vetëm që nuk i shërbejnë profesionit të nderuar të avokatit, por me veprimet e tyre të paligjshme dhe korruptive i kundërvihen ligjit, kryejnë hapur vepra të ndryshme penale. E gjitha kjo, vjen në kundërshtim me frymën e doktrinës së jurisprudencës për drejtësi dhe paanshmëri, deformon parimet universale për të vërtetën, dëmton rëndë boshtin human për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi sociale, barazi para ligjit nga institucionet kushtetuese të Shtetit të së Drejtës. Së fundmi, gjykoj se “vettingu”, nuk mund të mos përfshijë në gjerësi dhe thellësi edhe shërbimin e avokatisë, që ka një peshë dhe përgjegjësi jo të vogël në fenomenin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përmes të cilit, nga pjesa e korruptuar e saj, kompromentohen gjyqtarë e prokurorë. Pa vettingimin e shërbimit të avokatisë, reforma e nisur nuk do të ketë gjasa që të finalizoj me sukses misionin e nisur për të reformuar dhe modernizuar realisht të gjithë sistemin e drejtësisë në vendin tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat