Sa shpejt i harruam telat me gjemba e kampet e shfarosjes!

Opinione

Sa shpejt i harruam telat me gjemba e kampet e shfarosjes!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 08:00
Gani Mehmetaj

Kur e shikoj për të satën herë filmin gjerman "Tuneli", i cili ka për temë dramën e kapërcimit të murit gjatë luftës së ftohtë, se si më ther në zemër që ne nuk e kemi asnjë film të ngjashëm. Kur e kujtoj Murin e Berlinit shqiptar, që i ndau shqiptarët mbi 50 vjet nga bota, më mbërthen pikëllimi për telat me gjemba që e rrethuan trupin dhe shpirtin e shqiptarit po aq vjet, ndërsa filmi e drama e heshtën. Diktatura në Shqipëri ishte ndër më të egrat në botë, vrasjet në ish-Jugosllavi ndaj shqiptarëve etnikë ishin më të shumtat e më mizoret në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa kinematografia shqiptare e të dy krahëve e ka shpërfillur në mënyrë të pafalshme.

Muri i Berlinit është ndër temat më të trajtuara të kinematografisë gjermane. Muri i Berlinit, një kufi i frikshëm që e ndërtuan gjermanët sovjetikë, hëngri shumë koka, ndau familje, e zymtoi jetën e kombit gjerman, shënoi kulmin e luftës së ftohtë në mes të Perëndimit e të Lindjes. Por kinematografia gjermane e trajtoi dendur e me sukses këtë tragjedi. Veçanësia e trajtimit është e dallueshme.  

Për luftën e ftohtë, për ndarjen me mure e tela me gjemba, për terrorin, apo ngjashëm me filmat polakë, hungarezë e çekë për diktaturën, ishte e pritshme që të trajtohej tema e telave me gjemba gjatë kohës së diktaturës edhe në kinematografinë shqiptare. Ashtu sikurse ndau muri një pjesë të kombit gjerman nga qytetërimi e demokracia, telat me gjemba në kufirin shqiptar të njëjtin funksion kryenin: e shkëputën Shqipërinë e shqiptarët nga bota, e bënë shtetin kamp të madh përqendrimi.

Filmi gjerman "Tuneli" paraqet një mënyrë se si e kaluan gjermanët këtë pengesë të frikshme. Janë realizuar e shfaqur dhjetëra filma për Murin e Berlinit, për diktaturën komuniste, për krimet e STAS-it etj.

Ngjashëm me tragjedinë gjermane, qindra shqiptarë u vranë në përpjekje për të kaluar telat me gjemba. Kufomat e tyre kufitarët shqiptarë i tërhiqnin zvarrë katundeve e qyteteve për të dhënë shembull në stilin: “mëso nga mynxyra!”, pra për të tmerruar popullatën që të mos provojë edhe një herë. Përpjekje për të kaluar kufirin pati edhe nga ana e kundërt. Madje, UDB-ja jugosllave i cyste njerëzit të kalonin përtej, ua organizonte ikjen, ndërsa pastaj ua zinte pritën dhe i vriste disa qindra metra më tutje, duke i hedhur humnerave e gërgjave.

Ka shumë rrëfime e shkrime rrëqethëse për vrasjet në kufi, por nuk është bërë asnjë film për këto drama që me shkallën e lemerisë ua kalojnë dramave për Murin e Berlinit  Më tregonte një shok shkolle se si ushtria jugosllave i rrihte si kafshë ata që i kapte duke kaluar kufirin, ndërsa po aq fatkëqij sa të rrahur mizorisht ishin ata që i vrisnin ende pa i kapur. Tmerret e kapërcimit të fshehtë të kufirit shqiptar i tregonin edhe katundarët që jetonin afër kufirit, i shihnin viktimat apo i ndienin klithmat e tyre, por s'kishin si t'u ndihmonin.

Nuk u mor me këtë temë brezi i kineastëve që e përjetuan kohën e telave me gjemba e kampet e përqendrimit, por nuk e trajtuan as kineastët që lindën pas shkërmoqjes së diktaturës. Janë shkruar qindra shkrime gazetash, janë botuar ditarë të mbijetuarish, janë botuar kujtime, por në film nuk u jetësuan të tilla ngjarje.

Image

Nuk është xhiruar film as për kampet e përqendrimit në Shqipëri, apo “kampet e punës” sikurse i quanin zyrtarët shqiptarë, ndërsa në fakt ishin kampe të shfarosjes së shqiptarëve kundërshtarë të regjimit, intelektualë e fatkëqij që ranë në grackën e diktaturës.

 Telat me gjemba kanë rënduar mbi ndërgjegjen shqiptare, e kanë lënë prapa kombin, pasojat e telave me gjemba e të kampeve të përqendrimit kanë lënë vragë të pashlyeshme në brezat e rinj. Edhe për keqtrajtimet e tmerrshme brenda kampeve shqiptare të shfarosjes kemi mësuar nga rrëfimet e atyre që mbijetuan. Por prapë në shirit filmi kjo dramë nuk u bart. Është e pakuptueshme, që të mos themi e pafalshme. Kinematografia shqiptare është e vetmja në Evropë që nuk u mor me diktaturën, me terrorin, kampet e përqendrimit, telat me gjemba, krimet e shërbimit të fshehtë etj. Pos Saimir Kumbaros e ndonjë tjetri, diktatura pothuajse mbeti e patrajtuar. Shqipëria është i vetmi shtet që nuk u shkëput nga e kaluara, nuk i hapi dosjet, shteti i mban peng shtetasit, ua fsheh kriminelëve krimet, në vend se të ndiqte shembullin e mirë të Polonisë, Gjermanisë, Hungarisë etj. Në Shqipëri ata që e mbajtën diktaturën me fëmijët e tyre ende e bëjnë ligjin.      

Si nuk e provokoi asnjërin nga kineastët e moçëm e kineastët e rinj kjo temë, që do të pritej mirë jo vetëm nga shikuesit vendës, por do të pritej mirë edhe nga shikuesit europerëndimorë, ashtu sikurse i pritën filmat gjermanë, polakë hungarezë e çekë. Kinematografia gjermane, polake, çeke e hungareze bëri emër me këto tema, ndërkaq regjisorët shqiptarë pa dashje që t'i fyejmë shpesh merren me tema të kota, pa asnjë peshë e vlerë artistike vetëm e vetëm sepse dikush ua ka mbushur mendjen se do t'i presin mirë në Perëndim. Me tema për telat me gjemba, për kampet e përqendrimit, për krimet e partizanëve e përbetimet e proletarëve do ta krijonin veçanësinë e vet, por jo në stilin “poshtë diktatura!” e “rroftë demokracia!”

Ashtu sikurse e ka heshtur kinematografia shqiptare kapërcimin e kufirit nëpër det e nëpër tela me gjemba, edhe letërsia shqiptare e ka trajtuar fare pak këtë temë. Ndonjë novelë e Ismail Kadaresë, ndonjë roman në formë fragmentare ose ndonjë tregim i shkurtër.

Ne nuk kemi filma për masakrën e Tivarit, për masakrën e Bihorit, për gjenocidin në Sanxhak,  nuk kemi filma as për  masakrën e partizanëve serbë e malazezë ndaj popullatës shqiptare në ish-Jugosllavi, sikurse nuk kemi filma për masakrën e partizanëve shqiptarë në Shqipëri. Jemi i vetmi vend e komb që fare pak jemi marrë me të kaluarën e hidhur, madje nuk kemi filma as për krimet e pushtuesve turq, serbë e grekë.   

"Vdekja e kalit" i Saimir Kumbaros është ndër filmat e rrallë për diktaturën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat