Asgjë nuk mund ta ndal kohën

Opinione

Asgjë nuk mund ta ndal kohën

Nga: Arben Ganiu Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 18:55
Arben Ganiu

Thënia mbërtheu në pika të shkurta një margaritar që ndonjëherë, ne në veçanti dhe të gjithë në përgjithësi nuk jemi të vetëdijshëm për vlerën e saj. Mospërfillja jonë për diçka që ka vlerë na sjellë pasoja në të ardhmen tonë ku pikëllimi ynë fillon kur ne e humbim atë pa e shfrytëzuar në mënyrë konstruktive dhe të duhur, apo në momentin që vetëdijesohemi  për  humbjen e saj. Çdo gjë që humbet, ka shpresë se mund ta kthesh përpos kohës. Nëse humbet koha atëherë nuk ka shpresë për kthimin e saj. Ne duhet me nxitim të kujdesemi për kohën që kemi dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht .

Koha ka qenë prej kohësh një lëndë e rëndësishme e studimit në fe, filozofi dhe shkencë, por përcaktimi i saj në një mënyrë të zbatueshme për të gjitha fushat pa rrethana ka evituar vazhdimisht studiuesit. Për kohën janë dhënë definicione nga më të ndryshmet. Fizika është shkenca e vetme që eksplicitisht studion kohën, por edhe fizikantët pajtohen se koha është një nga pronat më të vështira të universit tonë për të kuptuar. Edhe në modelet më moderne dhe komplekse fizike, koha konsiderohet zakonisht një koncept ontologjikisht "themelor" ose primar, dhe nuk është i përbërë ose i varur nga asgjë tjetër.

Ka dy koncepte kryesore për kohën, e njohur si e para, koha fizike që është objektive dhe së dyti, koha psikologjike që është subjektive dhe ka një ekzistencë të varur nga mendja. Koha është përparimi i vazhdueshëm i pacaktuar i ekzistencës dhe ngjarjet që ndodhin në vazhdimësinë e dukshme të pakthyeshme nga e kaluara në të tashmen deri në të ardhmen. Koha është një sasi përbërëse e matjeve të ndryshme të përdorura për ngjarjen e ngjarjeve, për të krahasuar kohëzgjatjen e ngjarjeve ose intervalet midis tyre, dhe për të përcaktuar sasinë e ndryshimeve të sasive në realitetin material ose në përvojën e ndërgjegjshme.  Koha shpesh përmendet si një dimension i katërt, së bashku me tre përmasa hapësinore.

Kafshët për dallim nga njerëzit jetojnë në një të tashme të vazhdueshme, pa kuptim të dallimeve materiale të së kaluarës, të tashmes dhe të së ardhmes. Ndërgjegjësimi ynë i kohës është pra një nga veçoritë më të rëndësishme dalluese të njerëzimit dhe një nga gjërat që me të vërtetë na ndan nga kafshët.

Kur je i ri, jeta që ndodhet para jush ka mundësi të pafundme. Ju ende nuk e dini se çfarë do të bëni, kush do të jeni, ku jeta do t'ju marrë. Ndonëse do të ishte fantastike sikur dita të kishte ca orë më shumë, por kjo është vetëm një ide dhe mendim i thatë që nuk ka për të ndodhur asnjëherë, pasi që 24 orë interval kohor është interval i përkryer dhe i mjaftueshëm për kryerjen e atyre punëve për të arritur suksesin. Pra, ç’të bësh? Shumë të rinj kanë parë se, duke e shfrytëzuar kohën me mençuri, kanë gjetur ato orë shtesë që u duheshin aq shumë. Gjithashtu kanë vënë re se, kur nuk e çojnë kohën kot, kanë më pak stres, marrin nota më të mira dhe prindërit kanë më shumë besim tek ata.

Në rrethanat aktuale të globalizimit, potenciali i madh tekniko-shkencor karakterizohet nga akceleracioni i zbulimeve të reja shkencore e tekniko-teknologjike, kështu që na kushtëzon që në kuadër të veprimtarisë sonë të përditshme ta zipojmë faktorin kohë dhe ta trajtojmë atë si problem social me rëndësi të dorës së parë.

Nëse doni të bëni përdorimin e mire të kohës, duhet të dini se çfarë është ajo që është më e rëndësishme dhe t’i kushtoni të gjithë kohën tuaj. Që të kemi produktivitet dhe shfrytëzimi i kohës të jetë sa më i madhë duhet përpiluar një program, i cili duhet të përbëhet prej tre pikave siç janë plani afat shkurtër, afat mesëm dhe afat gjatë dhe të jemi të qëndrueshëm dhe të disiplinuar në realizimin deri në fund të tij.

Jemi dëshmitar se shumica e njerëzve kërkojnë mënyra të shpejta dhe të lehta, për të marrë në çast gjërat që duan, pa u shqetësuar për pasojat afatgjata të sjelljeve të tyre. Shumica e njerëzve bëjnë atë që u jep kënaqësi për momentin dhe atë që është e lehtë, në vend të asaj që është e domosdoshme për suksesin. Kur gjërat ngatërrohen, fundi i tyre duhet vlerësuar nga fillimi i tyre.

Vetë disiplina është aftësia për të bërë gjënë e duhur, në kohën e duhur, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Njerëzit e suksesshëm janë njerëz të disiplinuar. Ata kontrollojnë 100 për qind dëshirat, ndjenjat dhe mendimet e tyre, të cilat ndikojnë në fjalët dhe veprimet e tyre. Vetë disiplina është çelësi për suksesin personal. Falë saj, njerëzit e zakonshëm mund të rriten shpejt dhe shumë, në varësi të talentit dhe inteligjencës së tyre. Pa vetë disiplinë, pavarësisht prejardhjes, arsimit dhe mundësive, shumë rrallë dikush mund të ngrihet mbi mediokritetin.

Ashtu sikurse vetë disiplina është çelësi i suksesit, mungesa e saj është shkaku kryesor i dështimit, mërzisë, pakënaqësive dhe mungesës së arritjeve në jetë. Shoqëria e sotme po lëviz gjithnjë e më shpejt. Tani kemi më shumë stacione televizive, internet, filma, revista, libra, një shumëllojshmëri zgjedhjesh dhe kërkesash. Të gjitha këto së bashku të krijojnë iluzionin se koha fluturon dhe është shumë e pakët për t'i bërë të gjitha.

 Koha është e vetmja gjë që nuk mund ta magazinosh apo ruash për përdorim të mëvonshëm, thjesht mund ta menaxhosh në mënyrë efektive. Mund të rishpërndash përdorimin e kohës nga fushat me vlerë të ulët në ato me vlerë të lartë. Koha e keqpërdorur nuk mund të rifitohet. Gjithsecili e di që koha është e kufizuar dhe duhet menaxhuar mirë, por pak janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt.

Ajo që duhet kuptuar është se, jeta jonë nuk është shkel e shko. Nëse nga kalimi i kohës përfitojmë sa më shumë, vetes tone i kemi regjistruar amshueshmëri, të cilën nuk do ta rrëmbejë koha, as me vjetërim, e as me kalbje. E atë e gjejmë te shoqëria e lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat