Ideja për shkëmbimin e territoreve ka ardhur në kohë më të keqe të mundshme

Opinione

Ideja për shkëmbimin e territoreve ka ardhur në kohë më të keqe të mundshme

Nga: Nezir Kraki Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 00:28
Nezir Kraki

Ideja e shkëmbimit të disa komunave veriore me Luginën e Preshevës nuk ka qenë kurrë ide krejt absurde.

Personazhet që e propozojnë sot këtë ide janë absurde dhe koha në të cilën e propozojnë është më e keqja e mundshme për shqiptarët.

Asnjë mendje e shëndoshë, nëse nuk është argat i verbër i klaneve politike, nuk mundet dhe nuk do duhej ta përkrahëte një absruditet të tillë në këtë moment politik.

Kosova e ka humbur rastin dhe momentin për ide të tilla kur bisedohej për statusin e saj në vitet 2005-2007.

Strategjia serbe është shumë më e thellë sesa buzëqeshjet robotike të Vuçicit në Bruksel. Ata duan t’i fusin shqiptarët në një cikël të ri kohor të turbulluar nga dosjet e vjetra ballkanike. Cikli që Serbia e propozon dhe që bandat tona e përqafojnë supozohet (gabimisht dhe mashtrueshem) se do mbyllet me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dmth të asaj që do mbetej nga  Kosova e sotit.

Në realitet, nëse ndalemi dhe mendojmë logjikisht duke e parë rajonin dhe botën, ky cikel neve na merr 20, 30 ose 40 vite tjera dhe na nxjerrë përfundisht nga çdo proces shtetndërtues dhe integrues. Asnjë shqiptar nuk do duhej të pajtohej me pazare që na marrin një gjysëm shekulli për t’u sqaruar.

NUK KEMI KOOOOHË !

Sepse Serbia e di që Kosova dhe Shqipëria janë më të vonuarat në Ballkan në çdo aspekt. E di poashtu që bandat tona, të kapura nga krimi e nga dosjet nuk do kenë kurrë vullnet as guxim që ta bejnë Kosovën shtet, Shqipërinë shtet e aq më pak t’i bashkojnë ato si duhet.

Serbia poashtu e di që ne me talent jemi duke i humbur aleatët tanë historikë sikurse e di që n’Evropë e n’Amerikë kurrë për jetë më Kosova s’do jetë kryetema e diplomacisë.

Shikoni në çfarë gjendje na sollën. E sabotuan bërjen e Kosovës me krim dhe me korrupsion. E dhunuan çdo shpresë dhe endërr që patem këto 20 vite. Na obliguan të mos quheshim shqiptarë duke na kërkuar që t’i harrojmë edhe simbolet tona…Po Shqipëria ku ishte gjatë kësaj kohe? Si ajo më! Në fund të pusit. Më e korruptuara, më e varfëra, më e vonura, më e çoroditura në rajon.

E sot dalin disa kapadai dhe na thonë se bashkë me kravatën e lulëzuar të Tiranës, që s’i di mirë as hallet e Shkodres, e kanë gjetë formulën magjike dhe e kanë kuptuar se Kosova s’mund të bëhët pa u coptuar dhe pa u bashkuar me një Shqipëri jofunksionale dhe të shthurur.

Kush mund ta pranojë këtë absurditet?!

Kush është ai person që di shkrim lexim, që flet shqip, që ka moral e integritet kombëtar dhe që i del në mbrojtje këtyre absurdëve?!

Unë jo!

Shpresoj as ju.

Prandaj na duhet urgjentisht t’i kthehemi Kosovës dhe ta bëjmë Kosovën. Tirana duhet urgjentisht t’i kthehet Shqipërisë dhe ta bëjë atë, se u bënë 30 vite që është gazi i botës.

Dhe, ditën kur Kosova e Shqipëria të bëhën, ditën kur ato na krenojnë neve që i shpresuam, i pritem, i mitizuam, ditën kur ato s’janë më pronë e bandave, nga ajo ditë s’do ketë politikë as dreq që do të mundet të luajë me ne dhe as të na pengojë në bashkime apo ndarje.

Deri atëherë, nuk kemi kohë as për lëshime tjera as për falje toke, as për kombinime të mjegullta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat