Udhëzime për të mbetur në mend

Opinione

Udhëzime për të mbetur në mend

Nga: Kimete Berisha Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 13:34
Kimete Berisha

Ec e mos plas. 
Ta urojnë pavarësinë mashkujt më të këqij t'këtij vendi e ti s'ke çka me ba.

Të urojnë: 
- ata që s'kanë lënë t'zezë pa bë;
- që kanë mbyll dyer me therra;
- që kanë bë nam e kanë shkretu;
- që kanë privatizu toka me nga 1 euro;
- që pasunisë nuk ua dinë fundin e neve na kanë bë popullin më zibidi në Evropë;
- fabrikat i kanë shndërru në motele
e bordelo;
- sot ky popull argëtohet në qendra tregtare në vend të kinemave e teatrove;
- kanë vjedh në emër të lirisë, pavarësisë dhe të çdo gjëje që ekziston, 
- e kanë nxi e fëlliq edhe ajrin e Kosovës.

Për mos me kalu nga depresioni i njofshëm në depresion klinik, u rekomandoj si vijon:

1. Kurrqysh mos e dëgjo këngën 'Sërish vjen marsi' se provokohesh, të duket sikur lufta nuk përfundon kurrë dhe ti s'ke tjetër punë n'këtë jetë veç me luftë marsë'm-mars.

2. Mos i lexoni lajmet ku këta kriminelë i quajnë 'liderë' sepse këta janë bosa nuk janë 'liderë', e Kosova e pavarur është 'fabrika' e tyre, me të cilën bëjnë qysh duan vetë.

3. Mos e këqyrni opinionin e Blendit me shorce të kuqe, hiç mos shihni TV emisione sot, kqyrni filma, ua propozoj filmat: 'Roma' dhe 'Nuk jam mashkull i lehtë'! 
Në filmin 'Roma' e gjen këtë fjali të bukur: 'Edhe malet janë të vjetra, por të gjelbëruara'.

4. Mos pyesni kush i vodhi 700 mijë euro që i ndau qeveria për festën e pavarësisë! 
Dhe pse gënjyen se Rita Ora vjet këndoi falas-kur s'këndoi falas. 
Dikush vjet i mori gjysmë milioni. Mos pyet 'kush'.

5. Ha ushqime që e luftojnë mërzinë. Për fatin tonë të mirë, pasuli e lufton depresionin prandaj sot shtini pasul. 
(Pasuli është miku ynë i ditëve të vështira që historikisht na ka shpëtuar nga depresioni, dhe na ka bërë optimistë. E më mirë optimist i rrejshëm sesa pesimist i vërtetë).

6. Mos hyn në Facebookun e Edi Ramës, jo sot por kurrë më për jetë të jetëve.

Sepse Edi Rama u ka thënë 'belbanë': Joe Biden-it , Winston Churchillit, Bruce Willist, Marylin Monroes, Tiger Wodsit dhe Edi Palokës.

I njohur për fjalimet e tij inspiruese, Churchilli e ka pas zor t'i shqiptojë 's' dhe 'z'.

Joe Biden ka shkruar ese për pengesat e tij në të folur dhe ka thënë se kur ka qenë fëmijë në shkollë e kanë ngacmuar dhe e kanë thirr 'Joe Impedimenta'. 
I ka 'çu të fala' Rdi Ramës me një ese ku e spjeguar se sa i dëshpëruar dhe i turpëruar është ndjerë nga ngacmimet e nxënësve kur e kanë fyer dhe se si ka lexuar poezi para pasqyrës për t'i luftuar pengesat në të folur.

Shqipëria sot e ka një kryeministër që e 'shtramon' dhe e përqesh një deputet për pengesat e tij në të folur: kjo është jo veç diskriminim që gjithkund në botë ndëshkohet me ligj, por është vrasje.

S'ka shqiptarë, se nuk u duhet arsye më e madhe shqiptarëve se kjo për ta çu 'përtej diellit'. Mbasi e durojnë do me thënë janë si ai, u duket normal me qenë i ultë dhe monstrum.

Qe në dorë të kujt ka mbet 'bashkimi i shqiptarëve' në dorë të 'Platonit' që nga Shteti i tij i përzë të gjithë njerëzit me 'pengesa'.

7. Mos hyn në Instagram, është reparti më i madh neuropsikiatrik. Përfytyroje Instagramin si senatorium me pasqyra në vend mureve, ku gjithë ditën e lume femrat fotografohen e marrin poza për t'i parë e pëlqyer reparti i djemve dhe burrave që s'hanë pasul.

8. Ngjiti vetullat e pak karmik (se inat po t'sheh naj shoqe e i flladitet zemra me t'pa
keq) e dil ec ngadale, pos u ngut me mbërri se s'është kah t'pret hasret askush.

9. Ndoshta të ndihmon m'i luftu depresionin edhe ideja e ikjes. 
A ke mendu ndonjëherë qysh shkohet jeta kështu pa ia plotësu vetes asnjë dëshirë, plus tuj jetu nën presion të vazhdueshëm m'i bë të tjerët 'të lumtur e të disponumë', në daç me t'pranu n'shoqni.

Shqiptarët i çoroditë liria. E ka ditur Ismail Kadare, që si ka ra diktatura në Tiranë-ka ikur në Paris. E ka ditur se 'turku do zor'.

Prandaj, imagjinoje veten sikur po ikë, po ua ftof krejtve, se si po shkon në Zelandë të Re me drita. Mos shko larg me paramendu sikur po të pret presidenti i atjehit por përpiqu me përfytyru se si ta kanë gjetur një shtëpi me oboorr diku në njërën nga qendrat e qyteteve atje, se çfarë fati kemi ne na qëllon zari me jetu në naj 'Poklet' t'Zelandës.

Së palu apliko për vizë, nëse refuzon pastaj me shku, së paku e ndjen veten t'vlefshëm, demek t'u ba puna edhe ty me refuzu.

10. Delegoje mërzinë tënde. Mos u çel me shqiptarë se s'mundet kush me t'ba çare, se krejt janë tuj vujt si ti. Po, delegoja Zotit mërzinë. Ai e di çka bën me të.
Pra, nëse je duke e lexuar rekomandimin e 10-të të këtij dhe je je rast 'më i rëndë', provo hyn në videot ku flitet për Zotin sipas fesë islame, ama jo në ato videot ku flitet shqip, se kur flasin shqip na duket si po rrejnë e i kanë qitë fjaltē prej vetit. 
Po, ti hyn në video anglisht, ku flasin për Zotin që i mundon të dashurit e tij. Dhe, me kaull të kthehet buzëqeshja.

11. Mos pi raki, mos pi birra e as kokrra t'nervav', se pastaj s'mundesh as me ëndrru.

P.S. 
Për me pshtu na: 
Këta kriminelë, ose duhet m'i pas familjarë; 
ose me pranu me ju ra n'dy gjunjtë e m'u ba lojna të tyne;
ose me vjedh për ta;
ose me u 'dashunu' naj njani prej tyne n'ty;
ose me ju nënshtru e me vazhdu m'u tutë prej tyne;
ose me ju jep pare; 
ose m'u trimnu e m'e ua thy hundën.
Ose me ua lshu udhën.
Me ikë.

Urime Urime 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat