Vetëm me protesta nuk zgjidhen problemet e Shqipërisë

Opinione

Vetëm me protesta nuk zgjidhen problemet e Shqipërisë

Sadik Elshani Nga Sadik Elshani Më 18 shkurt 2019 Në ora: 06:15
Pamje nga protesta

Dje (16 shkurt, 2019) në Tiranë u organizuan protestat e partive opozitare të Shqipërisë për të shprehur pakënaqësinë, zemratën e tyre kundër qeverisë shqiptare për disa zhvillime të kohëve të fundit në Shqipëri dhe për punën jo të lakmueshme të qeverisë së Shqipërisë në përgjithësi. Kërkesa kryesore ishte rrëzimi i qeverisë. Derisa vitin e kaluar protestat e opozitës ishin kryesisht paqësore e të organizuara mirë, kjo nuk ndodhi me protestën e djeshme. Protesta doli jashtë kontrollit, u sulmua policia, u sulmua dhe u dëmtua ndërtesa e Kryeministrisë. Në shumicën e rasteve të tilla, në këto protesta dalin në pah militantët, kapadainjtë, të cilët në jetën e tyre nuk kanë çka ofrojnë diçka te vlerë, por vetëm dhunë, shkatërrim. Të njejtën gjë e bëri pozita e sotme kur ishte në opozitë, duke ushtruar të njejtën dhunë në demonstratat e 21 janarit të vitit 2011.Dëmet janë të mëdha nga çdo anë që ta shikosh, por për fat të mirë, këtë radhë nuk pati të vrarë.

Protestat në një shoqëri të lirë e domokratike janë krejt normale, të garantuara me ligj dhe mundësojnë shprehjen e lirë të pakënaqësive, shqetësimeve të qytetarëve, e zgjojnë qeverinë nga gjumi, e ngacmojnë ndjeshmërinë e pushtetarëve për çështjet e caktuara për të cilat protestohet dhe janë pjesë e proceseve demokratike, e mozaikut të demokracisë. Protestat, demonstratat nuk janë diçka e re në hapësirën shqiptare, posaçërisht atë kosovare dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi.

Demonstrata të fuqishme janë zhvilluar më 1968, 1981, 1988 - 1999 dhe këto demonsrata u zhvilluan kundër regjimit jugosllav e më vonë atij serb, për të kërkuar të drejtat tona të ligjshme. Por edhe më herët, shqiptarët gjithmonë e kanë ngre kokën dhe kurrë nuk u janë nënshtruar pushtuesve tanë të shumtë.

Vetë jeta jonë, vetë të qenit tonë (ekzistenca jonë) është një protestë. Këto demonstrata, këto përpjekje jaëe shuar me dhunë: me përndjekje, burgosje, vrasje të pjesëmarrësve dhe organizatorëve të tyre.Sot, fatmirësisht Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur, ndërsa Shqiperia që nga 28 nëntori i vitit 1912. Demonstrata të qeta e paqësore, po, te dhunshme, jo. Dhuna nga asnjëra palë nuk është e pranueshme. Po, protesta paqësore, dinjitoze e me qytetari, por jo, protesta me rrugacëri e huliganizëm. Jo, protesta ku dëmtohet prona private dhe ajo shtetërore, sulmohen protestuesit, sulmohet policia.

Është bërë normë në tërë hapësirën shqiptare që pas zgjedhjeve, rezultatet të mos pranohen nga pala humbëse, ose në çdo mënyrë të pengohet pala fituese për të qeverisur. Në Shqipëri, partia që sot është në pushtet, kur ishte në opozitë, për dy vite e bojkotoi punën e Kuvendit (Parlamentit) dhe vazhdimisht e thërriste popullin në demonstrata, njëra përfundoi edhe me vrasjen e katër qytetarëve. Ndërsa tani, partia që dje ishte në pushtet, dhe sot është në opozitë, e bën të njejtën gjë. Kuptohet, secila parti mendon se është më e suksesshme se tjetra, por fjalën e kanë votuesit me votën e tyre të lirë. Secila parti, me punën, përkushtimin dhe  angazhimin e saj t'i bindë votuesit për ta votuar herën tjetër dhe kur të zgjidhen, t'i përmbushin premtimet e dhëna.

Partitë politike i shohin problemet nga këndvështrime të ndryshme, ofrojnë qasje të ndryshme për zgjidhjen e tyre, por qëllimi duhet të jetë i përbashkët, duhet të jetë i njejti qëllim: ndërtimi i shtetit ligjor, institucioneve demokratike dhe mirëqenja e popullit. Ineresat madhore të Shqipërisë të jenë preokupimi kryesor dhe i përhershëm i pozitës, opozitës dhe çdo qytetari. Të saktësohet qartë në kushtetutë se kur dhe si bie qeveria dhe jo kur e kujt t’i teket.

Image

Siç jemi, ashtu edhe punët i kemi

Jemi ata që jemi, dhe siç jemi, ashtu edhe punët i kemi. Asnjëri udhëheqës, asnjëra parti politike në Shqipëri e Kosovë, as ata që janë në pushtet dhe as ata që janë në opozitë, në këtë çast nuk janë në nivelin e duhur për të qeverisur me kompetencë, ndershmëri. Ajo që po na mungon në skenën politike e publike të Shqipërisë e Kosovës, si dhe në gjithë hapësirën shqiptare, janë njerëzit e ndershëm që kanë ndjenja kombëtare, udhëhiqen në jetë nga parime e qëllime të larta, rrezatojnë vlera kombëtare e njerëzore. Nuk do të thotë se nuk kemi njerëz të tillë, por ja që nuk janë të angazhuar në rrjedhat, proceset, jetën politike të vendit. Por derisa të gjejmë atë shkop magjik, që me një lëvizje do t'i zgjidhte problemet e Shqipërisë, Kosovës, le t'i përvishemi punës. Ndoshta duke punuar me përkushtim, duke e ndihmuar njëri - tjetrin do të kemi me shumë suksese - ndoshta ky është ai shkopi ynë magjik që të gjithë e ëndrrojmë.

Shqipëria po ballafaqohet me shumë probleme, me shumë sfida: varfëria, papunësia, korrupsioni i lartë qe ka përfshirë çdo sferë të shoqërisë, imigrimi i popullsisë, kanabizimi i vendit e shumë probleme tjera. Po çka të habit më shumë, është se, asnjëra parti, asnjëri politikan në Shqipëri nuk është i angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve jetike për Shqipërinë. Madje nuk paraqesin asnjë propozim konkret, por vetëm e akuzojnë njëri – tjetrin.  Për këto probleme më herët i kam botuar dy shkrime: “Shkëlqimi i kryeministrisë dhe mjerimi i popullsisë – qeverisje kozmetike” (Dielli, 27 gusht, 2015) dhe “Zhgënjimi i Lulzim Bashës” (Illyria, 6 gusht, 2017).  Pra, shihet qartë se unë nuk jam as me njërin dhe as me tjetrin, por do ta përkrah edhe njërin edhe tjetrin kur bëjnë vepra të mira, kur punojnë për interesat e Shqipërisë dhe të kombit tonë. Çdo qeverie shqiptare i dëshiroj vetëm suksese, sepse kur dështon qeverisja e mirë, dështon Shqipëria, vuan populli. Përkrahjen e verbër nuk e meriton asnjë qeveri.

Në Shqipëri dallimet në mes të parisë në pushtet, Partisë Socialiste, dhe asaj në opozitë, Partisë Demokratike, janë të dukshme. E para është duke u munduar që ta mbajë gjallë trashëgimine e baballareve të tyre komunistë dhe e dyta është duke u munduar që të largohet nga kjo trashëgimi shkatërruese, por është duke vazhduar të njejtat taktika, rrugë. Në Shqipëri ka për çka të protestohet çdo ditë, por vetëm me protesta nuk mund të zgjidhen problemet e Shqipërisë. Atëherë, përse mbajmë zgjedhje, kur problemet po u zgjidhkan në rrugë?! Prandaj, siç duket partitë politike shqiptare nuk e çajnë fare kokën që të organizohen, profilizohen mirë, të paraqesin një program pune të arritshëm, një platformë të qartë kombëtare, të punojnë me zgjedhësit dhe t’i bindin ata se përse duhet ta gëzojnë votën, besimin e tyre.

Udhëheqësit e tyre mendojnë se qeveria ndërrohet në rrugë dhe jo në kutitë e votimit. Revolucionet Demokratike, Bolshevike e të Vonuara Demokratike i kanë dalur për hunde popullit tonë. “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat sapo të kenë përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre” – ka thënë Mit’hat Frashëri. Për fat të keq, shqiptarët ende janë duke u kacafytur, duke luftuar me njëri – tjetrin.

Të ndërtojmë një shtet modrn, funksional e demokratik

Në një shtet demokratik, siç është deri diku sot Shqipëria, betejat le të zhvillohen në Kuvendin e Shqiperise dhe jo në rruge. Partitë politike t'i paraqesin planet e tyre dhe të angazhohen për zgjidhjen e problemeve të Shqipërisë, dhe jo vetëm të gjuhen me njëri - tjetrin duke u munduar t'ia zënë vendin, karrikën njëri - tjetrit. Dukuritë negative që po manifestohen në jetën shoqërore - politike, sjellja e papërgjegjshme dhe joserioze e udhëheqësve shqiptarë, zyrtarë teëkorruptuarë, ministra të lidhur me krimin e organizuar, mosfunksionimi i ligjit, mungesa e rendit, nuk paraqsin pamjen e një shteti të qëndrueshëm.

Kur jam duke i shkruar këto radhë po më vjen ndërmend edhe një thënie tjetër e Mit’hat Frashërit për shqiptarët, e thënë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por që vlen edhe sot: “Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos patur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente”. Ka mbi 106 vite që Shqipëria është çliruar, ëshëe shtet i pavarur - tani të clirohemi edhe nga vetja jonë, nga smira, xhelozia, joshjet, lakmitë dhe interesat e ngushta vetjake. Shqipërinë mund ta ndërtojmë vetëm ne.

Të ndërtojmë një Shqipëri të vizionit, ëndrrave të Rilindësve tanë mendjendritur, të ndjekim një qasje tjetër, një qasje kombëtare:Të angazhohemi e të përpiqemi me mish e me shpirt që të ndertojmë një shtet modern demokratik, me institucione demokratike funkcionale e të inkuadruar në familjen e madhe të vendeve demokratike, ku gjithmonë në qendër të vëmendjes është mirëqenja e qytetarit. Po, të ndërtojmë një shtet ku qytetarët janë të lirë të protestojnë të qetë, me dinjitet e qytetari. Punë të mbarë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat