BERxiti shqiptar!

Opinione

BERxiti shqiptar!

Nga: Mero Baze Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 21:24
Mero Baze

Perëndimi nuk ka asgjë me Partinë Demokratike. As Brukseli, as SHBA, nuk kanë ndonjë konspiracion kundër saj. Reagimet e tyre të ashpra nuk kanë të bëjnë me Partinë Demokratike, por me lidershipin e saj.

Thirrja e SHBA, e cila ishte ajo që duket se ka tërbuar më shumë klanin Berisha brenda Partisë Demokratike, ju drejtohet deputetëve të PD, që të mos i binden urdhërit për djegien e mandateve, duke konsideruar se lidershipi i Partisë Demokratike nuk është ende i lirë për të marrë vendimet e veta, pa pyetur Sali Berishën.

Reagimi i Bashkimit Europian i shkon dhe më afër të vërtetës, pasi e lidh vendimin e PD-LSI, me përpjekjen për të refuzuar reformën në drejtësi, kundërshtari më i vendosur i së cilës vazhdon të mbetet Sali Berisha.

Pra në një farë mënyre, reagimet e ashpra perëndimore, kanë të bëjnë me përpjekjen për të ndarë Partinë Demokratike, nga një proces në të cilën po tenton ta fusë Sali Berisha, i cili në thelb është BERxiti shqiptar.

Ky proces kërkon nxjerrjen e opozitës shqiptare nga sistemi legjitim i demokracisë shqiptare, për ta shantazhuar atë dhe për të prodhuar një precedent të rrezikshëm, për të ardhmen e demokracisë.

BERxiti shqiptar ka disa tipare që dallohen që larg që janë simptoma personale të Sali Berishës.

Ajo që Berisha po përpiqet të bëjë me PD-në, është ta fshehë pikërisht procesin e BERxitit, dhe ta maskojë atë me populizëm. Sali Berisha kërkon që të marrë me vete PD-në në daljen e tij nga politika, dhe të shpikë arsye të tjera, përveç atyre që ai ka për këtë akt politik të PD.

Të shtunën para Kryeministrisë, ai u përpoq sa mundi të prodhonte vrasje politike, por nuk ja doli.

Të enjten do të përpiqet përsëri. Siç po merret vesh, protesta do të jetë shumë më e vogël, por PD po përgatit grupe speciale me kundragaz të përballojnë ndërhyjen e policies, dhe pse jo, të shkaktojnë viktima.

Procesi i BERxitit është një proces që mbështetet mbi keqkuptime dhe konspiracionin kundër Perëndimit. Sulmet e paguaar mbi faqen e Ambasadës së SHBA në Tiranë, sulmet ndaj Bashkimit Europian dhe përpjekja për të krijuar një konspiriacion të Perëndimit mbi PD, janë në vetvete një strategji për t’u ndjerë të viktimizuar nga Perëndimi, ndërkohë që janë realisht të viktimizuar nga Berisha.

Një gjë vulgare është për shembull, përpjekja për të quajtur qëndrime zyrtare të SHBA ndonjë raport kritik të “Zërit të Amerikës” dhe t’i quajnë ato argumente për të dalë nga Parlamenti, ndërsa të quajnë qëndrime personale qëndrimet e Ambasadës së SHBA dhe ta sulmojnë atë publikisht.

Kontigjenti i BERxitit vazhon të personalizojë sulmet zyrtare dhe të zyrtarizojë raportet personale të mediave që kanë pavarësinë e tyre.

PD përsëri mendon se edhe ambasadori i ri i BE është si Vlahutini, dhe ambasadorja e re e SHBA, është si ambasadori Lu (në fakt ashtu duhet të jenë), dhe kanë qëndrime personale kundër tyre dhe jo zyrtare, ndërsa “Zëri i Amerikës”, sipas tyre, megjithëse është medie dhe jo zyrë shteti, ka qëndrime zyrtare.

Është njësoj sikur të çmendej ndonjë nga Partia Socialiste dhe të thoshet që meqë drejtoi i seksionit shqip të VOA-s, është kushëriri i Erisa Xhixhos, VOA-n e drejton LSI, ndërkohë që në atë studio, njeriu që e ka ndjerë veten më keq, është Ilir Meta.

Nën presionin e BERxitit shqipar, është lidershipi i Partisë Demokratike dhe aleatët e vegjël. LSI është në të njëjtën gjatësi vale për të njëjtin hall të lidershipit të saj. Gjithë këtë presion Lulzim Basha po përpiqet ta përballojë, duke ua paraqitur deputetëve të tjerë dhe aleatëve gjithë këtë qëndrim, si një përpjekje për të gjunjëzuar qeverinë.

Djegia e mandateve nga politikanët është një akt madhor dhe vendim personal, kur njeriu e ka kuptuar që nuk bën dot më asgjë në këtë sistem politik, dhe në këtë aspect, ata mund ta bëjnë këtë.

Por përpjekja për të bërë sikur do djegin mandatet për të kërkuar pushtet në tavolinë, është vazhdimi i përpjekjes për të viktimizuar njerëz në protesta, që pëfundon me viktimizimin e sistemit. Dhe në këtë pike, BERxiti shqiptar po përdor bashkë në një front, ata që bëjnë sikur duan shembjen e kësaj klase politike, me ata që janë gati të vdesin për Berishën.

Dhe në fund, BERxiti shqiptar është një proces, i cili në vend të ndajë Shqipërinë nga Perëndimi, do pastrojë politikën shqiptare nga të rrezikuarit prej Perëndimit.

Ai do të marrë me vete, vetëm ata që rruga perëndimore e Shqipërisë nuk i çon në Perëndim, por para drejtësisë. Dhe këtë më të qartë se kushdo tjetër, e ka vetë Brukslei dhe SHBA.

Ndaj thirrjet e tyre nuk janë për Berishën, as për Ilir Metën, as për të deleguarit e tyre, Monikën dhe Lulzimin. Janë për deputetët e emëruar të tyre. Ata duhet të zgjedhin të jenë pjesë e BERxitit, apo pjesë e Perëndimit në shoqërin shqiptare.

BERxiti është ikja e berishizimit nga politika shqitare dhe si çdo gjë që ka sunduar gjatë dhe me dhunë, nuk do iki kaq lehtë. Dhe akullnaja kur shkrin nga shtrati i saj i vjetër, merr gurë dhe pyje me vete.

BERxiti ynë nuk do iki pa kosto. Por do iki!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat