Kush është për shkëmbim territoresh është kundër UÇK-së, SHBA-ve, NATO-s dhe Shtetit të Kosovës

Opinione

Kush është për shkëmbim territoresh është kundër UÇK-së, SHBA-ve, NATO-s dhe Shtetit të Kosovës

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 11:00
Skënder S.Kapiti

Kosova shqiptare qindra e mijra vjeçare mbushi 11 Vjetorin e Pavarësisë. Sot këtë shkrim të shkurtër në këtë Ditë të Madhe Kombëtare do t‘ia kushtoj faktit të asaj se po flitet e përflitet shumë për mundësinë e korigjimit te kufijve apo të ndarjes së Kosovës.

Ata të cilët janë për ndryshim, korigjim apo shkëmbim territoresh të cilat çojnë në ndarje apo copëtim të Kosovës, ata janë kundër interesave kombëtare shqiptare, janë kundër kombit shqiptar dhe historisë së tij.

Kjo sepse nuk ka asnjë pëllëmbë tokë serbe në Kosovën e sotme të pavarur, por përkundrazi, Serbia ka nën sundimin kolonial të saj akoma edhe shumë troje shqiptare të Toplicës, Kosovën Lindore dhe të Sanxhakut.

Kush është për ndarje të Kosovës dhe për shkëmbim territoresh me Serbinë bën tradhti, pasi shkëmbim territoresh nuk mund të bëhet, sepse nuk mund të shkëmbehen troje  shqiptare të Kosovës shqiptare me troje shqiptare të cilat janë padrejtësisht akoma nën Serbi.

Kush është për shkëmbim trojesh dhe për ndarjen e Kosovës është edhe kundër UÇK-së, kundër luftës së saj e cila lindi si ushtri dhe që luftoi për Çlirimin e Kosovës, pra luftoi për Kosovën dhe jo për një Kosovë të ndarë siç mundohen ta bëjnë armiqte e Kosovës edhe tani pas 20 vitesh të çlirimit të saj.

Kush është për ndarje apo për shkëmbim territoresh është edhe kundër SHBA-ve dhe kundër NATO-s, sepse edhe ato luftuan për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës. Dhe ata të cilët janë për ndarjen e Kosovës apo edhe për shkëmbim territoresh me Serbinë, janë kundër Pavarësisë së Kosovës dhe kundër simbolit të saj, kundër Flamurit të Kosovës, i cili ka hartën e Shtetit të Kosovës, ka kufijtë e saj, të gjithë territorin e saj.

Dhe meqenëse shumica e shteteve e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ata kanë pranuar dhe njohur edhe simbolet e Shtetit të Kosovës, kanë njohur edhe flamurin e saj i cili ka edhe hartën e territorit të shtetit të Kosovës, ka kufijtë e saj. Pra, Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga të gjitha shtetet demokratike të botës, nga shumica e shteteve të BE-së dhe nga shumica e Shteteve të OKB-së dhe për nga rëndësia: së pari është njohur nga SHBA, e cila është superfuqia globale dhe aleati strategjik i deklaruar i shqiptarëve.

Prandaj askujt dhe asnjë politikani e asnjë pushtetari shqiptar nuk duhet, që  as të deklarohet madje, për shkëmbim territoresh, sepse kjo përbën tradhti të rëndë kombëtare.

Nuk është e domosdoshme që Kosova të njihet nga Serbia, sepse Kosova e fitoi luftën kundër saj dhe sot ka shtetin e vet të pavarur.

Edhe poqese Serbia nuk do e njihte kurrë Kosovën, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e saj dhe Kosova nuk duhet që të diskutojë kurrë me Serbinë për kushte dhe për marrëveshje për shkëmbim territoresh, sepse në Kosovë nuk ka asnjë pëllëmbë tokë serbe, por ka vetëm kolonë serbe, të cilët i ka vendosur dhe instaluar aty kolonizatori pushtues dhe genocidist serb.

UÇK, SHBA dhe NATO sollën Lirinë, Pavarësinë dhe Shtetësinë e Kosovës, e cila ka Territorin e vet, ka Parlamentin e vet, ka Kushtetutën e vet, ka Qeverinë e vet dhe ka Flamurin e Ushtrinë e vet.

Pra, askush dhe asnjë politikë, asnje diplomaci dhe asnjë individ as i brendshëm dhe as i jashtëm sado pushtet dhe sado i veshur me pushtet dhe me autoritet që ata të jenë, ata nuk mund të dalin mbi Shtetin e Kosovës, as mbi institucionet e tij dhe as mbi sakrificat, as mbi vullnetin dhe as mbi pushtetin e popullit sovran të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat