Shqipëria që s’duam!

Opinione

Shqipëria që s’duam!

Nga: Leonora Laçi Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 22:30
Leonora Laçi

Shqipëria që duam, Bashkia që duam, partia që duam, gënjeshtra që duam, kryetari që duam, media që duam, policia që duam!!!

 Por vërtetë a e duam atë që qeveria do për ne, a i vjen përshtat ajo interesave tona apo interesave të veta?! 

Slogane të tilla që nuk i beson dot as ai që i promovon.

Shqipëria që s’duam! 

Është një vend që ngjarjet tragjike harrohen me të ndodhur, e skandalet politike mbyllen me të tretat, por keq qeverisja zgjatë përtej parashikimeve.

Shqipëria që s’duam!

Është një vend ku vrasjet e femrave nuk të bëjnë më përshtypje, grushtat e dheut i hidhen me shpejtësi viktimave sikur secili do të mbulojë mekatet e veta. 

Shqipëria që s’duam!

Një vend që vakia dhe dasma bëhen një, përcjellja është kryefjalë e ngjarjeve të tilla.

Shqipëria që s’duam!

Është një vend që emigrantët e viteve të fundit janë elita intelektuale.Truri vrapon në skutat e botës për të shpëtuar sa më parë dhe ai.

Shqipëria që s’duam!

Një vend ku në burg shkojnë të varfrit që nuk e blejnë dot lirinë, e krimineli vertetë i kryen shërbime partisë. Sa më i madh krimi, aq më lart ngjitesh në rangje pushteti.

Shqipëria që s’duam!

Vendi ku opozita si e tillë me mungesën e saj në kuvend nuk  sjellë asnjë dëm a dobi.

Shqipëria që s’duam!

Vendi ku miti i këmbëve të shkurtra të genjeshtrës bie.

Një vend ku realiteti prodhon gënjeshtra apo anasjelltas,  gënjeshtra që riprodhohet me shpejtësi duke iu veshur a ngjeshur  fakti si vërtetësi. Një vend ku demokracia është tradhtuar që në gjenezë. 

Shqipëria që s’duam!

Një vend ku qeveria është e  papërmbajtshme në hajni e llomotitje deri në shpërfytyrim. 

Në një vend ku gënjeshtrat elektorale po na i quajnë premtime, gënjeshtrat për të ardhmen quhen besimdhënie, gënjeshtrat e së kaluarës po na i quajnë histori. 

Gënjeshtra është ulur këmbëkryq në këtë qyqe Shqipëri, e leksione mbanë free.

Shpesh herë na kanë gënjyer, kemi dashur të gënjehemi, kemi gënjyer, gënjeshtra dashamirëse apo dashakeqëse, gënjeshtra që kanë qenë një domosdoshmëri, ashtu siç i thuhen atij që është në prag të vdekjes, do jetosh, do të jetosh edhe ti.

Gjithçka po na bëhet fakt i kryer, e ne spektatorë kalimtarë ! Edhe sikur mos ta duam ne, e do pushteti, e merr pushteti pushtetin, e merr pushti shtetin.

Kjo është Shqipëria që s’duam sot as nesër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat