Nëse bëhet ndarja e Kosovës, atëherë pse u bë lufta!?

Opinione

Nëse bëhet ndarja e Kosovës, atëherë pse u bë lufta!?

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 09:11
Skënder S. Kapiti

Këtë si pyetje po ia drejtoj të gjithë atyre  dhe sidomos politikanëve e pushtetarëve, si p. sh. edhe Presidentit të Kosovës. H.Thaçi dhe Kryeministrit të Shqipërisë E.Rama, pseudohistorianëve e pseudopatriotëve “intelektualë” e “mediatikë” si dhe atyre që tradhtisht hapur e tinëzisht janë për “shkëmbim territoresh” e “ ndryshim  kufijsh” të cilat çojnë në ndarjen e Kosovës. Nuk e di se çfarë kuptojnë ata me shkëmbim territoresh!?

 A mund të ketë shkëmbim territoresh midis shteteve pa u ndarë pjesë të territoreve të tyre të cilat do të shkëmbeheshin?!

Sepse të deklarohesh për ndryshim kufijsh dhe për shkëmbim territoresh dhe të  dekarohesh se nuk  je për ndarje të Kosovës kjo është injorancë e jashtëzaskonshme ,por më sakt  kjo përbën tradhti të maskuar me mashtrim, djallëzi dhe me hipokrizi. Serbia e pushtoi Kosovën në vitin 1912 me ndihmën dhe aprovimin e Rusisë dhe të Europës, e pushtoi  Kosovën për Veriun e Kosovës dhe e shfrytëzoi atë dhe pasuritë e saj për 100 vite. Edhe Lufta më e fundit në Kosovë  Serbia kishte si qëllim final të saj Veriun e Kosovës, pasi nëse Serbia do ta kishte Veriun e Kosovës nën administrimin e saj  siç i kishte dhe siç i ka  akoma Preshevën, Medvegjën e Bujanocin mendoj se nuk do të ishte bërë luftë në Kosovë. Kjo pasi Serbia e Millosheviçit  do ta donte vetëm Veriun e Kosovës ashtu sikurse edhe pasuesit e sotëm të tij, pra Serbia e sotme dhe madje edhe Rusia, do ta njihnin menjëherë Pavarësinë e Kosovës nëse Serbia do të arrinte për të marrë Veriun e Kosovës.

Pra, nëse Serbia merr territoret dhe burimet jetike ujore, ekonomike dhe thesaret e pasuritë minerale të Kosovës që janë në Veriun e Kosovës, pra, nëse Serbia arrin që të marrë Veriun e Kosovës në këmbim të njohjes prej saj të Pavarësisë së Kosovës atëhere pse u bë edhe Lufta, dhe çfarë kuptimi do të kishte edhe shtetësia e pavarësia e Kosovës pa Veriun e saj.

Popullsia, territori, pasuritë tokësore, nëntoksore dhe ujore, pozicioni gjeostrategjik dhe ekonomia janë thelbësoret për mbijetesën, ekzistencën dhe për zhvillimin e një shteti kombëtar.

Pra, në asnjë mynyrë nuk duhet jo vetëm lejuar por as nuk duhet biseduar jo vetëm me serbët por as edhe me asnjë ndërkombëtar, qoftë ai edhe aleat i shqiptarëve për ndarje të Kosovës ,apo sikurse flitet për shkëmbim territoresh. Serbia po mori Veriun e pasur të Kosovës edhe mund ta njohë pastaj Kosovën, edhe Kosova pa Veriun e saj po të bashkohet pastaj me Shqipërinë nuk e shqetëson më as ky fakt Serbinë sepse: kështu Serbisë i jipet mundësia për të formuar Serbinë e madhe brënda së cilës do të ishte edhe Veriu i Kosovës por edhe gjysma e Bosnjës, sepse: po u nda Kosova dhe po mori pjesë të saj Serbia atëhere Serbisë i lind e drejta që të marrë edhe Republikës serbe të Bosnjes, pra do të realizohej Serbia e madhe pikërisht ajo se çfarë kishte synim  edhe Millosheviçi.

Dhe kjo do të ishte humbje e madhe për shqiptarët, por edhe një diskreditim e dështim edhe për perendimin nëse ata e lejojnë dhe e pranojnë këtë projekt serb, atë të  formimit  të Serbisë së Madhe.

Sot sovraniteti dhe pacënueshmëria e territorit të Shtetit të Kosovës po kërcënohen nga Serbia, e cila po përdor të gjithë arsenalin dhe kapacitet ekonomike,politike e diplomatike për ndarjen e Kosovës. Në mbështetje për këtë qëllim Serbia ka edhe shtetet e fuqishme si Rusinë e Kinën, por edhe eksponentë të lartë nga BE si ndërmjetësuesen e BE –së në bisedimet Kosovë-Serbi Federica Mogherini, e cila tashmë është vertetuar se mbështet Serbinë.

Është fat i madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët që sot Kosova ka Kryeministër z. Ramush Haradinaj i cili është kundërshtari më i madh që  kundërshton çdo përpjekje që bëhet për ndarjen e Kosovës, kundër të gjithë atyre që përpiqen për coptimin e saj, pavarësisht se nga vijnë dhe kush janë ata; kundërshton edhe qëndrimet e “çuditshme” edhe të Presidentit Thaçi të Kosovës si dhe të kryeministrit të Shqipërisë E. Rama të cilët janë indirekt për ndarjen e Kosovës me deklarimet  e tyre për “korigjim kufijsh” apo shkëmbim territoresh.

Nuk besohet dhe as nuk mund të justifikohet e të merret seriozisht  as qendrimi i Partisë Demokratike dhe as ai i Sali Berishes të cilët deklarohen se janë kunder korigjimit të kufijve, pasi është akoma i freskët deklarimi i ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj  i ish-qeverisë Berisha, i cili, në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës deklarohej për një “Pavarësi të Kushtëzuar” sipas së cilës legalizohej një shtet “kishtaro-ortodoks” serb brenda Kosovës dhe u jipej komunave serbe e drejta e vetadministrimit dhe e vendimmarrjeve. Pra “Pavarësia e Kushtëzuar”e përkrahur  nga ish-pushteti i Partisë Demokratike, legalizonte formimin e një minishteti serb brenda Kosovës.

Kjo orvajtje antishqiptare dështoi sepse Pavarësinë e Kosovës e siguroi SHBA dhe aleatët e saj  të cilët e çliruan Kosovën por edhe e njohën brënda ditës Pavarësinë e saj, ashtu sikurse është e destinuar që të dështojnë edhe projekti serb i sotëm për ndarjen e Kosovës, projekt i cili fatkeqësisht ka gjetur “mirëkuptim” edhe te disa politikanë e pushtetarë të lartë shqiptarë.

Pra si para Pavarësisë së Kosovës, stadarti i “Pavarësisë së Kushtëzuar” dhe tani, pra sot,  projekti për “shkëmbim territoresh “ apo ndarje të Kosovës janë projekte e plane të  kishës dhe të akademisë serbe dhe plane shtetërore serbo-ruse, por që të dyja këto kanë gjetur mbështetje te politika zyrtare e Tiranës, si atëhere nga ish pushteti PD-ist për Pavarësinë e Kushtëzuar, ashtu edhe sot plani për shkëmbim territoresh nga Kryeministri Rama , i cili arrin deri edhe në ofeza banaliteti ku ai i quan gomarë të gjithë ata të cilët janë kundër Presidentit të Kosovës që kërkon shkëmbim territoresh. Politika e Tiranës asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht shqetësimin per Kosovën, as per Çështjen kombëtare të Bashkimit shqiptar,por politika e Tiranës kur është në opozitë  dhe kur pozita që ka pushtetin kur e shikon se pushteti në Shqipëri po i lëkundet , atëhere dhe vetëm atëhere politika dhe politikanët shqiptarë kujtohen e deklarojnë retorika “patriotike” dhe “Kosovëdashëse”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat