Viktima të shumëfishta të krimit pa alibi

Opinione

Viktima të shumëfishta të krimit pa alibi

Nga: Av. Serxhio Mazreku Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 14:48
Av. Serxhio Mazreku

Asnjëherë më shumë se tani, gjatë këtij tranzicioni të gjatë dhe të vështirë shoqëria shqiptare nuk është gjendur më e zbuluar dhe më e pambrojtur nga bota e krimit dhe keqbërjes. Varfëria, rrënimi ekonomik, pamundësia e një jete tëçliruar e dinjitoze ka mundësuar që kriminaliteti të rritet në shifra të frikshme, alarmante. Shoqëria shqiptare, e lodhur, e varfëruar, e stresuar, është mbërthyer në darët e një krize të rëndë dhe pa alibi, krizën e të drejtës së jetës dhe pronës, të dhunuara në mënyrën më flagrante të mundshme nga bota e krimit dhe oligarkia politike e lidhur me krimin. Nuk është diçka e re kur themi me bindje se sot shteti dhe institucionet shqiptare të së drejtës merren me gjithçka, por jo me një plagë si Kanuni, ose më saktë të krimeve që i adresohen atij, nga grupe kriminale që kërkojnë të mbajnë peng të tjerët, të ngujojnë e të përndjekin deri dhe fëmijë e gra, me mënyra jashtëkanunore dhe mbi të gjitha të dënueshme nga ana ligjore. Arkitipi i keqbërjes dhe krimit, si pasojë e devijimeve dhe çrregullimeve të personalitetit, kushtëzohet nga shumë faktorë, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjeruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet.

Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangut e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni duhet të kishte vetëm vlera muzeale. Mbijetesa e Kanunit në Shqipëri, edhe në kushtet e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, ka të bëjë me qasjen e grupeve kriminale ndaj traditës, për të   gjetur tek disa elementë të saj, strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen e tyre.

Nevoja e bandave dhe grupeve kriminale për t’u mbështetur tek Kanuni ka qenë një nevojë e ngutshme, por ky nuk ka qenë një kanun real, por një kanun i modifikuar, sipas nevojës së tyre për të mbijetuar në terrenin e vështirë shqiptar.

Sot edhe grabitjet, pengmarrjet, vjedhjet me pasoja të rënda kriminale shpesh bëhen në emërtë Kanunit dhe kjo tregon se jetojmë në një anarki të organizuar në bazë të modeleve më të errëta të traditës, të cilën grupet krimianle e kanë kthyer me kokë poshtë dhe po e përdorin për qëllime krimi dhe keqbërje. Marian Marku nga Lezha ndihet i kërcënuar me jetë për shkak të një “kanuni” të “çekulibruar”, që ka në themel presionin deri në eleminim fizik të tij dhe familjes, për shkak të psikozave delirante dhe abuzive. Në Lezhë, para disa viteve, ndodhi një ngjarje e rëndë: i ati i Marianit, kryefamiljari Arben Marku, për shkak të një borxhi prej 20 milion lekë të vjetra, që i detyrohej familjes Mnela, të cilat nuk po ia dilte dot t’i lante, në prezencë të fëmijve dhe bashkëshortes vret veten. Me 14 shkurt 2005 dhe 14 maj 2016, banesa e të ndjerit Arben Marku grabitet dy herë, në një diferencë kohe prej 11 vitesh. Grabitësit në të dy rastet kanë lidhur e terrorizuar familjarët, duke marre me vete gjithçka. Me 20.05.2016 , hadutet e paguar nga familja Mnela (sipas dyshimit të viktimave të grabitura dhe dhunuara) rifuten në banesë me dhunë dhe të maskuar godasin e rrahin barbarisht bashkëshorten e të ndjerit, Bardhen, duke e dëmtuar rëndë me sende të forta në kolonën vertebrale, çfarë solli pasoja të rënda në jetën e saj. Ajo qëndroi në spital 10 ditë, por edhe sot nuk është rehabilituar ploëtsisht nga kjo traumë fizkike dhe shpirtërore. Ajo dhe viktimat e tjera të kësaj dhune dhe grabitjeje, njohën nga zëri njërin nga dhunuesit, por edhe pse deponimi në polici qe mëse i mjatueshëm për të nisur një hetim serioz dhe me prova, nuk u muar asnjë masë për gjetjen e autoërve. Në këto rrethana, Mariani dhe familjarët e tij janë larguar drejt Evropës për të mbrojtur jetën e tij dhe të familjarëve.

Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre

Sot kur oferta e dyerve të Brukselit për Shqipërinë është më afër se kurrë, duket paradoksale dhe anakronike që në emër të Kanunit të kryhen grabitje e dhunime, në emër të Kanunit të përdoren mënyra mafioze të gjobëvënies e pengmarrjes. Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar. Shoqëria ndihet e pambrojtur nga ky presion criminal, viktimat janë njerëzit e thjeshtë, të varfërit, të pamundurit, ata që të zhytur në borxhe, varfëri e dëshpërim kthehen në viktima të shumëfishta të krimit dhe hakmarrjes.Kjo tablo e trishtë, tregon se shteti, me strukturat e tij lokale e qendrore, kanë falimentuar përballë krimit dhe gjakmarrjes, shteti është gjunjëzuar përballë akteve makabre dhe të paprecedentë të krimit ordiner të përzier me “afera” gjakmarrje dhe hakmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat