Kosova dhe paradigma munguese e Tiranës zyrtare

Opinione

Kosova dhe paradigma munguese e Tiranës zyrtare

Nga: Ditar Kabashi   Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 18:11
Ditar Kabashi  

1.

Përgjatë dekadave të monizmit, shqiptarët e Kosovës jetonin me mirazhin e një Shqipërie të përparuar e të mëkëmbur. S’mund të quheshin të fajshëm; me përjashtim të disa intelektualëve nga Kosova që kishin vizituar Shqipërinë gjatë viteve 70’ të qindvjeçarit të kaluar, e të cilët kishin ndjekur me besnikëri avazin e keqinformimit që bënte makineria propagandistike e nomenklaturës enveriste, pjesa dërrmuese e popullsisë kishte bindjen e palëkundur se atje ishte parajsa e fshehur në sipërfaqen e tokës.

Periudha e kobshme 1998-1999 e agresionit të aparatit shtetëror serb ndaj civilëve të Kosovës që rezultoi me shpërnguljen masive të popullatës për në Shqipëri, mbase ishte edhe tregues i gjendjes reale që mbretëronte atje. I sapodalë nga një çrregullim serioz i rendit kushtetues, shteti shqiptar hapi dyert, kurse populli mikpritës, zemrën.

Krahas kësaj ndodhi edhe një risi: zhveshja e petkut të vendit ideal që bluante kokën e kosovarëve. Këta panë për së afërmi ngecjen e zhvillimit ekonomik dhe atë të sigurisë. Megjithëkëtë, edhe pas kthimit në vendlindjen e çliruar, vazhduan ta përkrahnin Shqipërinë, që nga Kombëtarja e Futbollit e deri në pushimet verore në rivierën shqiptare, madje edhe kur shërbimet ishin pakrahasueshëm më jocilësore se ato të vendeve të rajonit. Kjo provon idilin e çiltër dhe miradijen e thellë.

2.

Themelimi i shtetit të Kosovës nuk prodhoi ftohje në marrëdhëniet me Shqipërinë. Përkundrazi; ndërtimi i autostradës (tash e një kohë, me taksë), hapja e zyrave të partive të caktuara kosovare në Tiranë, ndarja e një pike në Portin e Durrësit për Republikën e Kosovës, mbledhjet e përbashkëta të qeverive (ndonëse solemne), emërimi i disa kosovarëve në Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, tendenca për të njëjtësuar librat shkollorë dhe ca hapa të tjerë me karakter simbolik, janë indikatorë të një bashkëveprimi të ngushtë, por gjithsesi të pamjaftueshëm,  mes dy shteteve.

3.

Përtej këtyre, Kosova, tashmë si republikë, po përjeton situata të vështira. Brishtësia e skenës politike dhe kriza ekonomike jo vetëm se kanë pllakosur qytetarët në një bezdi të pashpresë, por edhe kanë rrezatuar keqas në pozitën ndërkombëtare të shtetit. Me negociatat e panumërta në Bruksel dhe aspak të njohura në përmbajtje për opinionin e gjerë, Kosova ka nisur të pasqyrojë imazhin e një organizmi shtetëror joserioz ndaj botës. Kështu, për faktin se ende mungon uniteti i brendshëm në tema fondamentale si: platforma dhe legjitimiteti i udhëheqjes së dialogut, shkëmbimi i mundshëm i territoreve me Serbinë, mënyra e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe edhe përkundër udhëzimeve në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (lënda: KO 130/15) dhe gjëra të ngjashme, të cilat, në parim, duhej të ishin pjesë e diskutimeve të subjekteve politike dhe vendimeve të institucioneve përkatëse, e jo e kundërta, që a priori të shkohet ne Bruksel pa arritur një ujdi kombëtare. 

4.  

Në këtë pikë të ndjeshme të raportit Kosovë-Serbi, mbetet zhgënjyese edhe pazotësia e Tiranës zyrtare për t’u faktorizuar në Ballkan përmes kontributit në zgjidhjen e këtij problemi. Jo se Shqipëria ka kapacitete të mëdha shtetërore për të luajtur rol kyç në këtë proces delikat, porse ajo ende paraqet “shtetin amë” për shqiptarët kudo. Veçmas, të nxitur nga romantizmi i flaktë i pikëllimit shekullor për dështimin e krijimit të një shteti të përbashkët me bazë një-etnike dhe si pasojë mbetja nën autoritetin shtetëror të një formacioni aspak të natyrshëm për ta, siç ka qenë ish-Jugosllavia, shqiptarët e Kosovës i kishin të kthyer sytë e veshët përherë kah secila lëvizje e valë që vinte tej kufirit të Morinës. Si paradoks, i quajtur edhe “kufiri shqiptaro-shqiptar”.

Për më shumë, takati i një shteti matet edhe me ndikimin e saj jashtë territorit të vet. Duke pasur një Kosovë dashamirëse afër, Shqipëria nuk po i shfrytëzon rastet të cilat do ta bënin aktive në rajon. Thënë troç, as shqiptarët e Maqedonisë nuk është se kanë mundur të llogarisin plotësisht në Tiranën, e cila qe mjaftuar vetëm në fjalë madje edhe për shpërndarjen e abetareve në Luginën e Preshevës pas vizitës formale në Beograd të kryeministrit shqiptar vite më parë, të cilit, atëbotë, pompoziteti ia kalonte edhe shtatgjatësinë mirënjohur. Trevat tjera të banuara me shqiptarë janë në gjendje edhe më të stërkequr.  

Është e kuptueshme se Shqipëria nuk disponon potencial të fuqishëm ekonomik, ushtarak e diplomatik sa për të bartur mbi supet e veta gjithë këto telashe përreth kufijve shtetërorë të saj. As që duhet pritur diç të tillë ngase kjo krijon edhe parazitizëm tek shqiptarët në shtetet tjera. Mirëpo, Shqipëria mund ta bënte më të paktën: të paraqiste shembullin e funksionimit të duhur të shtetit. Nëse do të shpreheshim me terma letrarë të Nolit, “diell për vëllanë, yrnek për fqinë”. Kjo do t’i jepte kurajë Kosovës.

Nga Shqipëria do të duhej të prisnim që të kishte një agjendë të qartë edhe për fazën e të ashtuquajturit proces përmbyllës i raportit të pazgjidhur mes Kosovës e Serbisë. Fundja, përtej ndikimit të etnisë së përbashkët me shumicën e qytetarëve të Kosovës, Shqipëria dhe Kosova janë shtete me aspirata të përbashkëta të integrimit dhe pozicionimit ndërkombëtar. Pra, edhe ky prizëm pragmatist do të ishte i mjaftueshëm për të parë një Tiranë të angazhuar më bujshëm në zgjidhjen e çështjes në fjalë. Si t’i jepet shpjegim faktit që, ta zëmë, përtej retorikës, Shqipëria nuk deklaron një qëndrim zyrtar për idenë e dhënies së territoreve veriore të Kosovës, Serbisë? I vlerëson apo jo si troje shqiptare ato? Një vetëkritikë e mirëpritur për garniturën udhëheqëse të shtetit shqiptar do të ishte trajtimi i pasivitetit karshi krijimit të përshtypjes tek opinioni publik në Kosovë se informacionet dhe pikëpamjet për çështjen e sipërpërmendur, Shqipëria i merr më tepër nga disa eksponentë medialë që operojnë në Kosovë sesa nga vetë shërbimi i inteligjencës shtetërore. Aq më zi, nëse kjo është e vërtetë. 

5.

Për fat të keq, vazhdojmë të jemi spektatorë të përplasjeve arkaike të klasës politike në Shqipëri që po paralizon forcimin e shtetit. Deri diku është e kuptueshme (por assesi e arsyetueshme) që në Kosovë nuk është krijuar hala “mendja e shtetit”, domethënë, strategjitë dhe planifikimet afatshkurtra e afatgjata për arritjen e synimeve në përmbushjen e interesave të shtetit. Kjo për shkak se Kosova ka arritur statusin e shtetësisë jo si rrjedhojë e mendjes autoktone por falë asaj ndërkombëtare dhe se që nga themelimi është udhëhequr me populizëm dhe fare pak me teknokraci. Prandaj s’po del dot nga axhamillëku. Por, Shqipëria me përvojën (mirë a keq) mbi njëqindvjeçare do të duhej të linte gjurmën e një shteti më stabil dhe më influencues tek vendet e rajonit. Përtej fërkimeve partiake e grupore, kur është në pyetje interesi kombëtar jashtë kufijve, të cilët në diskursin nacionalist priren të cilësohen si “londinezë”, ata do të duhej të flisnin njëzëri dhe të kishin një plan konkret veprimi. Bile, vetë Kushtetuta ua ngarkon një detyrim të tillë me një dispozitë simpatike: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” (neni 8.1). Po, po, simpatike se të ngroh shpirtin kur e lexon. Të ngazëllen nga solidarizimi. Po sikur edhe të jetësohej... drithëruese, hatá! E po qe se me “popull shqiptar” konsiderohen vetëm personat që posedojnë pasaportë të Republikës së Shqipërisë, aty ndryshohet muhabeti.

Dhe, për t’i mos lënë vend keqkuptimeve: Kosova nuk ka nevojë për tutelën e Shqipërisë. Juridikisht, ajo është sovrane po aq sa Shqipëria. Krejt çfarë na nevojitet është koordinimi i ndërsjellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke filluar nga Gadishulli Ballkanik.

Sot, me sa duket sheshazi, Kosova mund të mbështetet në bazamentin emocional të vëllazërisë me Shqipërinë, por jo edhe në mendjen shtetërore të saj. Deri sa të vijohet me këtë botëkuptim të prijësve shtetërorë, jo se jo.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat