Na kapluan ethet e takimit të territ

Opinione

Na kapluan ethet e takimit të territ

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 shkurt 2019 Në ora: 09:01
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Qytetarët dhe Kosova si shtet, nuk kanë kujtime të mira nga takimet apo koalicionet e territ. Kjo është absolutisht e ditur dhe e vërtetuar.

Sa herë që ka rënë muzgu mbi shtetin tonë dhe ka pasur takime të fshehta mes disa partive të skenës sonë politike, e që më vonë janë zbuluar, Kosova ka pësuar dëme të mëdha.

Me marrëveshjet e orëve të vona të natës, padyshim që dikush mbeti i tradhtuar e dikush tradhtoi, dikush përfitoi politikisht e gjithashtu edhe karriga shtetërore, mirëpo në fund të fundit, vetë shteti i Kosovës nuk fitoi asgjë.

Ne njihemi me “koalicionin e territ”, kur LDK-ja tradhtoi fshehurazi në orët e vona të natës Lëvizjen Vetëvendosje, AAK-në dhe NISMA-në, për t’iu bashkangjitur Hashim Thaçit të PDK-së. E sigurisht që koalicioni me një dinak si Thaçi, do të ishte fatal për LDK-në, e cila në fund ra në grackën e PDK-së dhe vetë kjo e fundit e rrëzoi Isa Mustafën nga kryeministri, në një rrëzim qeverie në mënyrën “kamikaze”.

E për t’i mbetur hatri edhe më shumë LDK-së për gabimin e bërë, Thaçi mbeti president i Kosovës me votat e LDK-së, ndërsa kjo e fundit u kthye kokëulur në opozitë, ndërsa u tregua shumë e zëshme duke kritikuar Thaçin dhe PDK-në vazhdimisht, e madje edhe duke u penduar me veprimet e tyre të vjetra.

Mirëpo, dy javët e fundit ka ndryshuar gjithçka.

Një deklaratë e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa se janë të gatshëm të futen në një qeveri gjithëpërfshirëse dhe vizita e presidentit Thaçi në shtëpinë e Isa Mustafës të mërkurën mbrëma, ngjallin dyshime të mëdha, sidomos takimi Thaçi-Mustafa në orët e vona të natës, e ku dihet se gjatë ditës në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan ku patën një takim me krerët e shtetit tonë.

Padyshim se ky nuk është takim miqsh e as takim “President-Këshilltar”.

Ftohja e raporteve ndërmjet kryeministrisë dhe presidencës për shkak të qëndrimeve të kundërta për idenë e korrigjimit të kufijve, e madje edhe prishja e raporteve mes “dy të fortëve” të koalicionit aktual, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, mund ta lënë këtë të fundit jashtë qeverisë, me një “tradhti të lehtë” e të zakonshme.

Siç duket Kadri Veseli nuk po i kryen mirë punët si kryetar i PDK-së dhe presidenti Thaçi e ka marrë vetë në dorë “reahtimin” e qeverisë që të mos ketë pengesa në rrugën e tij drejtë arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Takimi Thaçi-Mustafa padyshim që është një takim për mundësinë e afrimit të LDK-së në qeveri, e madje edhe për ta tradhtuar Haradinajn, që po del të jetë pengesë dhe “arrë e fortë” për PDK-në dhe Thaçin.

Asnjëherë si më parë, LDK-ja dhe Isa Mustafa nuk guxojnë ta bëjnë gabimin e disa viteve më parë, nuk guxojnë të bien në grackën e Thaçit.

Futja e LDK-së në qeveri në këtë kohë për shkak të një kërkese të Thaçit që sigurisht erdhi pas takimit me Mustafën, do të ishte fatale për LDK-në, e cila do të humbiste elektorat të madh dhe në fund do të tradhtohej prapë nga PDK-ja, pasi presidenti Thaçi ta nënshkruaj dhe ta votojë në Kuvend marrëveshjen e ndarjes(hipotetike) të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat