“Katër thikat e të majtës shqiptare në prapa-shpinën e Kosovës”!

Opinione

“Katër thikat e të majtës shqiptare në prapa-shpinën e Kosovës”!

Nga: Jakup Azemi Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 18:48
Jakup Azemi

Nga autori: Ben Andoni, botuar në Koha Ditore e dates 25/02/2019

Teksti im në fakt nuk është reagim, por një përpjekje për plotësim – pra është bashkëbisedim. Ndaj, së pari e falënderoj autorin për spikatjen e kësaj teme.

Thelbi i artikullit të cilin autori Andoni e trajton lidhet me një sondazh, të cilin ai e citon në fillim të artikullit, i realizuar nga Instituti Kërkimor për Zhvillimin dhe Çështjet Evropiane, me një mostër prej 1110, në të cilin rezultonte se, vetëm 43 % e popullsisë së Kosovës e dëshironin bashkimin me Shqipërinë!

Z. Andoni bën një përmbledhje të përgjithëshme të fakteve dhe faktorëve që e mbështesin/arsyetojnë numrin 43% të sondazhit, por kur lexohet një paragraf tjetër, gadi nga fundi i artikullit të tij, duket se disa qështje mbesin pa u trajtuar të cilat dëshiroj t’i plotësoj, në mëyrë që të kemi një pasqyrë sa më të kjartë se, përse vetëm 43 % të popullsisë në Kosovë mbështesin bashkimin (hipotetik) me Shqipërinë. Pra, paragrafi në fjalë thot: “Kosova i ka thënë lamtumirë Serbisë, por me sa duket, po ndahet paqësisht edhe me Shqipërinë, sepse këto dy dekada na mësuan që të kuptonim diferencat por edhe predispozitat e elitave të dy vendeve, që e diktojnë këtë ndarje.”

Eshtë fakt shumë mirë i spikatur nga autori se këto njëzet vite i kanë mësuar shqiptarët e të dy vendeve të i kuptojnë diferencat midis tyre, të cilat kanë ekzistuar pothuajse përherë. Ajo çka i ka relativizua, dukshëm ato, ka qenë dashuria romantike e shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë, duke pas jetuar me përceptime të ndërtuara nga efektet e propagandës komuniste të Enver Hoxhës. Por, këto dallime, të cilat mundë t’i quajmë edhe kulturore, edhe kanë mundë të minimizohen, po të kishim një rol më konstruktiv të elitave politike, (do shtuar edhe intelektuale) në funksion të relativizimit të atyre dallimeve, qoftë me programe zhvillimore, qoftë atyre të mirëfillta me karakter kulturor dhe fusha tjera. Por ato kanë munguar në masën më të madhe.

Meqenëse autori në fjalë nuk na sjellë ndonjë sondazh nga Shqipëria, atëhere në trajtimin më poshtë do të mundë të fokusohemi në vetëm njërin drejtim – atë nga Kosova, respektivisht do të provojmë për të shpjeguar faktorët shtesë, të arsyeve të vërteta të mungesës së prirjes për bashkim!

Faktori dominant lidhet me sjelljet e politikës së qeverive të Shqipërisë, kryesisht të majta, në raport me Kosovën që nga Lufta e Dyte Botërore, e shumë më pak, nëse fare, të atyre të Kosovës! Në mënyrë të përgjithësuar, janë së paku katër periudha në të cilat qeveritë e Shqipërisë kanë luajtur rol negativ në raport me Kosovën. Në një gjuhë metaforike ato mundë të kuakifikohen si “Katër Thikat e të Majtës Shqipëtare në Prapa-shpinën e Kosovës”!

E para “thikë” sipas perceptimeve në Kosovë, ndodhi gjat Luftës së Dytë Botërore. Kjo shpjegohet me disa fakte historike, por mbi të gjitha faktorë dominant mbetet sjellja e lidershipit komunist në Shqipëri, respektivisht Enver Hoxhës. Neglizhenca e tij, nëse dëshirojmë të përdorim terma të butë, u manifestua me faktin që ai nuk bëri mjaft për të mbajtur bashkë Shqipërinë dhe Kosovën të cilën gjë e bëri fashizmi Gjermano-Italian. Lufta e tij e pa-kompromis kundër forcave nacinaliste shqiptare deri tek eliminimi i tyre, si dhe roli i tij në Konferencën e Bujanit, si dhe luajaliteti i tij ndaj lidershipit komunist Jugosllav/serb, janë të dhëna të mjaftueshme historike të cilat deri sot, historiografia e mirëfillt nuk ka arritur t’i kundërshtoj bindëshëm.

“Thika e dytë” lidhet me me periudhën gjatë dhe pas vitit 1981. Edhe në këto ngarje roli i Shqipërisë zyrtare mbetet i pa-shtjelluar deri në fund, por minimumi i asaj çka dihet, me siguri, është roli i Tiranës duke e ushqyer një ndjenjë false, të shpresës së popullsisë së Kosovës, sidomos të gjeneratës së re studentore, për të qëndruar në diskursin “patriotik” për të realizuar ëndërrën për republikë apo bashkim me Shqipërinë, të cilin bashkim kjo e dyta nuk e kishte dashtë edhe ashtu. Na mbetet për detyrë ta vërtetojmë nëse Tirana zyrtare do të ketë pasë një rol të drejtpërdrejtë apo të tërthort në ngjarjet e 1981, por atë që e dijmë sigurtë është se Shqipëria kishte nevojë të tërhiqte vëmendjen nga gjendja e mjerë ekonomike në të cilën ai regjim e kishte katandisur duke e bartë atë diku gjetkë. A u krijua Kosova si rast më 1981 për ta bartur atë vëmendje, apo ngjarjet atje u shfrytëzuan për të njejtin qëllim duke e kondicionuar diskursin (fals) nacionalist në Kosovë edhe përkundër lidershipit kosovar, mbetet ende të shihet. Prose, në cilin do rast sjellja e Tiranës zyrtare është konsideruar si tejet e dëmshme për Kosovën – kanë qenë edhe një “thikë pas shpine”.

Menaxhimi i klasës “revolucionare” të krijuar gjatë të 80-ve, siç do të shohim në vazhdim do të ketë pasë efekte tragjike, dhe gati fatale për Kosovën. Janë koncesionet dhe kultura kësaj klase të prodhuar nga e majta shqiptare, që vazhdon të krijoj paradokset më bizare në Kosovë. Njohësit më të mire të këtij lidershipi, përfshirë Veton Surroin, kanë tërhjekë vëmendjen vazhdimisht mbi recidivitetin e presidentit të Kosovës, i cili është protagonisti kryesor i këtij diskursi sot.

Se nuk ka pasë kurrë një sentiment ekuivalent nga e majta shqiptare ndaj kërkesave dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës u vërtetua edhe gjatë viteve të 90-ta. Flirtimet dhe vizitat e qevertitarëve dhe partiakëve nga PS me Serbinë dhe Beogradin kishin qenë karakteristikë që nga fillimi i të 90-ve, duke mos përfillë gjendjen në Kosovë. Më vonë kulmi do arrihej me raportet e dyshimta të ish-kryeminstrit Nano, me Beogradin dhe takimi i tij me Milosheviqin, deri sa e detyroj ish presidentin Rugova të aplikoj taktin e tij më sublim - refuzimin e takimeve me lidership qeveritar socialist.

Afirmimi gjithnjë e më i madh i Rugovës dhe vet Kosovës, çoi deri tek një ballancim i qendrave te vendosjes mbi hapësirën shqiptare, fenomen që pjesërisht mundë ta ketë nxitë një qëndrim akoma më të animuar të së majtës shqiptare në qeveri. Për një kohë, edhe qeveria e djathtë në kohën e Berishës, pati një rol të diskutueshëm kurë e barti mbështetjen nga Rugova tek Demaqi, por pas dështimit të kësaj përpjekjeje, ky fenomen nuk është hetuar tek e djathta, andaj kjo na bën të mendojmë se e djathta shqiptare nuk i bartë të njejtat mëkate si ajo e majtë.

Por kulmi i “thikës” nga e majta shqiptare politike dhe intelektuale ndaj Kosovës, anipse ajo do të bëhej nën petkun e mbështetjes së UçK-s do të arrihej kur LDK dhe Rugova do të sabotoheshin në vitet e fundit te 90-ve, si në formë diplomatike ashtu edhe me hapa në rrafshin ushtarak duke mos garantuar sigurinë e krahut ushtarak të LDK-s – FARKU-t, respektivisht me eliminimin fizik të Kolonel Ahmet Krasniqit. E majta shqiptare, gjatë kësaj periudhe ri-aktivizoj mbështetjen, dhe pse jo edhe menaxhimin manipulativ, të produktit të saj (LPK-s), dhe transformimit të saj në formë të UçK-s, duke kompensuar kësisoj, përmes kësaj të fundit, ndikimin e saj në Kosovë. Duhet një sqarim këtu: sukseset e UçK-s nuk janë rezultat i së majtës shqiptare, por me një menaxhim të mirëfillt të produktit të saj, rezultatet mbase do të kishin qenë fare tjera – shumë më pozitive. Shumë nga ngjarjet në Kosovë të pas 1999-s do të kenë qenë rezultate negative të simotrës të së majtës shqiptare në Kosovë.

Dhe kështu, vijmë tek episodi më i ri - roli i kryeminstrit të tanishëm të majt shqiptar Edi Rama, në plasimin në treg të opcionit Serb të ndarjes së Kosovës, i cili pa dyshim përbën rastin e “thikës” së katërt prapa shpinës së Kosovës. Sipas të gjitha analizave, kjo ishte bërë kur qeverisja e tij ndodhej në një krizë të thellë, dhe sikur në rastin e Enver Hoxhes, vëmendja do duhej bartur në Kosovë, qoftë edhe me çmimin e sakrificave të interesave fundamentale të Kosovës? Pa dyshim, se mungesa e sentimentit të tij pro-Kosovë duhet të ketë qenë faktorë dominant i qasjes se tij! Kujtojmë këtu çmimin e famshëm të çelësit të Tiranës një këngëtari nacionalist serb para një dekade!

Misioni i kryeministrit të majt shqiptarë, do të jetë realizuar në kohën kurë në Kosovë pushtetin e mbajnë de faqto produkti ideologjik i së majtës shqiptare me në krye Hashim Thaqin, ndërsa ai vet ballafaqohet me krizë pas krize në qeverisjen e tij. Rejtingu shumë i ulët i Thaqit, por edhe i Ramës në Kosovë, të cilin fakt autori e pohon, është konfirmimi më i sakt i perceptimit negativ të kësaj ndër-lidhjeje historike.

Prandaj, për të përmbyllë këtë dialog me autorin Andoni, dëshiroj të theksoj se arsye themelore për një deficit të këtillë përqindjeje në Kosovë për bashkim me Shqipërinë, duhet të kërkohet në këtë histori raportesh tejet problematike, të cilat konfirmojnë një postulat themelor, se ku ka tradhti, nuk ka dashuri, dhe aty ku nuk ka dashuri nuk ka bashkim! E majta shqiptare, politike dhe intelektuale duhet të dëshmojnë të kundërtën, duke ri-shikuar pozicionin e tyre urgjentisht në raport me Kosovën, me veprime aktive!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat