Taksa, fat apo fatkeqësi për Kosovën dhe uniteti politik

Opinione

Taksa, fat apo fatkeqësi për Kosovën dhe uniteti politik

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 20:08
Melihate Tërmkolli

Deklaratat e Kryeministrit se e heqë taksën “ sikur ta dinim kontratën e bisedimeve dhe dialogut, nëse kemi një kontratë për njohjen e Kosovës në kufijtë ekzistues” etj. është veҁ një deklaratë që shpërfaqë një politikë me dy biga, e zhvilluar pothuaj edhe nga të gjithë përfaqësuesit politik e shtetëror të vendit tonë. Kryeministri për t’i ditur këto çështje që i ka shtruar është dashtë të jetë në krye të bisedimeve, si kompetencë të cilën ia mundëson Kushtetuta e vendit. Kryeministri hoqi dorë vullnetarisht nga kryesimi i bisedimeve dhe nga pjesëmarrja në to duke e deklaruar si kompetent për bisedime Presidentin e vendit.

Por pasojat shkojnë përtej raporteve President-Kryeministër ose kushdo qoftë.

Taksa, siç është e ditur, nuk e sjell njohjen e Kosovës nga Serbia.

Në fakt, vënja e taksës për produktet e Serbisë me krejt efektet pozitive të momentit, solli dy të këqia të mëdha: djegien e një aduti të fuqishëm të Kosovës në rast të një kërkese për marrëveshje të papranueshme për Kosovën dhe një nivel të raporteve me SHBA-të, si rast i papresedan në historinë tonë.

Primitivizmi politik dhe mungesa e sensit kohorë për veprime e vendime, qofshin edhe të drejta në një pikëpamje, po kthehet bumerang i madh për interesat tona kombëtare.

Taksa tashmë nuk paraqet një masë kundër Serbisë, edhe ashtu “asnjë” produkt i Serbisë nuk po mungon në tregun e Kosovës. Pushteti duhet ta dijë si dhe pse po ndodhë kjo. Taksa nuk do t’i ndalë bisedimet, vetëm do t’i shtyejë ato duke krijuar një situatë kontradiktore dhe tragjikomike për ne. Sa është e dëmshme ngutia e Presidentit të Kosovës për një marrëveshje me Serbinë, tani po aq e dëmshme del vonesa në pezullimin e taksës.

Përfitues po del të jetë vetëm Serbia.

Taksa nuk është tashmë vetëm zbehje e raporteve me SHBA, por afër një konfrontimi të hapur politik.

Ҫfarë absurdi! Përtej absurdit! Gjithçka përtej absurdit paraqet rrezikshmëri të nivelit të lartë për shtetin dhe popullin tonë. Ne edhe mund të mos pajtohemi me ndonjë qëndrim, qoftë edhe nga ato që vijnë nga SHBA-të, por në një shtet me politikanë serioz dhe të interesuar për interesa të vendit, gjithnjë ekzistojnë mënyra dhe mekanizma për të shprehur mospajtimet dhe për të gjetur zgjidhje.

Shteti dhe kufijtë e Kosovës mbrohen vetëm në bashkëpunim të ngushtë, në radhë të parë me SHBA-të dhe vendet tjera mike e partnere si Gjermania, Britania e Madhe etj.

Para së gjithash, shteti ynë dhe kufijtë mbrohen me unitet politik të brendshëm. Ky unitet po mungon për shkak të pangopshmërisë për pushtet, fatkeqësisht nga të gjithë, pozitë e opozitë.

Nuk e mësuam asnjëherë se pushteti politik nuk është gjithҁka në këtë botë.

Prandaj po pësojmë aq shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat