Pendarovski, pasojë e opozitës shqiptare

Opinione

Pendarovski, pasojë e opozitës shqiptare

Nga: Alpin Ollogu Më: 2 mars 2019 Në ora: 19:18
Alpin Ollogu

Opozita shqiptare e kryesuar nga Sela dhe Kasami, detyruan partitë shqiptare në qeveri, të mbështesin kandidatin konsensual të koalicionit qeverisës me LSDM-në, një figurë e etnisë maqedonase, të paktën në rrethin e parë zgjedhor. Ky detyrim erdhi si pasojë e mosrënies dakord për një kandidat të përbashkët shqiptar, pasojë e refuzimit të thirrjes nga BDI-ja e Ahmetit, për bashkim shqiptar, si partia më e madhe të cilës edhe i takonte moralisht një thirrje e këtillë.

I gjendur në këto rrethana refuzimi nga opozita shqiptare, BDI-ja, bashkë me Alternativën e Gashit dhe PDSH-në e Thaçit, u detyruan që në rrethin e parë zgjedhor të koalicionojnë dhe pranojnë rrethanat e një kandidati joshqiptar për president. U detyruan për një kandidat joshqiptar me partinë e Zaevit, për arsye se nuk e panë të arsyeshme të dalin me kandidat të vetin shqiptar, ndoshta nga frika momentale e matjes së votës, e cila mund të jetë në rënie për shkak të konsumimit qeverisës; akuzave për korrupsionin e padënuar; apo mos marrjen në opinion të disa meritave të ndryshimeve pozitive qeverisëse, të cilat propagandohen si meritë e plotë e partisë së Zaevit dhe partive kontribuese në rrëzimin e qeverisë Gruevski, dhe të tjera arsye që opozita mund të ketë menduar të fus në kurth elektoral – pozitë të palakmueshme elektorale, partitë qeverisëse shqiptare, veçanërisht BDI-në. Për të gjitha këto arsye, opozita shfrytëzoi momentin politik dhe qëllimisht nuk j’u përgjigj pozitivisht thirrjes së Ahmetit për kandidat shqiptar të përbashkët. Kjo, me arsyetime të njohura të refuzimit, pavarësisht se këto arsyetime nuk u potencuan deri në refuzim bashkëqeverisje, atëherë kur u bënë pjesëmarrës në qeverisje ku bënte pjesa edhe BDI-ja, gjendje kjo e cila shpjegon taktizimin e opozitës për ta parë garën presidenciale si përfitim politik, e asgjë më shumë nga prapagandimi i tanishëm “shqiptarët smund të jenë vetëm votues, por edhe të votuar”.

Opozita shqiptare me propagandën zgjedhore, për atë se shqiptarët duhet të jenë edhe të votuar, dhe jo vetëm votues për të tjerët - për postin e presidentit, me këtë shkas ata mbështesin kandidatin e pavarur shqiptar Blerim Rekën, kundrejt atij maqedonas, Stevo Pendarovski, si kandidat konsensual i koalicionit qeverisës. Ndërsa në anën tjetër ishte vetë opozita që për shkaqet e lartëpërmendura, pamundësoi një kandidat shqiptar për partitë shqiptare në qeveri, të paktën në rrethin e parë zgjedhor, kandidat i përbashkët i cili ndër të tjerash do të maksimalizonte votën shqiptare, sigurisht duke shkëputur vota edhe nga shqiptarët e LSDM-së. Një bashkim i tillë mund edhe të detyronte koalicionin qeverisës me LSDM-në, në një kandidat shqiptar, pse jo, mund të shihej dhe të sprovohej koncepti qytetar i saj, edhe pas dy viteve qeverisje.

E gjithë kjo është një taktizim politik i rëndomtë dhe i dukshëm i opozitës, e cila me propagandën e sapongritur për votë ndaj kandidatit shqiptar, kërkon të marrë sa më tepër vota dhe të demonstrojë fuqinë politike për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vota këto që do ti demonstrojë në kandidatin e pavarur Blerim Rekën. Ka taktizuar në atë mënyrë duke llogaritur se me koalicionim e mundshëm me BDI-në dhe dy partite e tjera shqiptare në qeverisje, ndër të tjerash, e amnistonte pjesëmarrjen e tyre në qeverisjen aktuale, ku një pjesë e elektoratit që nuk është në gjendje apo mundësi të përceptojë drejt rrethanat e krijuara, gjithmonë nisur nga paraqitja etnike e kandidatëve, euforia nacionaliste dhe refuzimi taktik me të “keqin”, detyrimisht do të çonte ujë në mullirin opozitar.

Opozita është humbëse morale e kësaj beteje, edhe nëse arrin të tubojë më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara. Anashkalojmë BDI-në e akuzuar dhe sulmuar për korrupsion dhe qeverisjen e keqe me VMRO-në. Le të hhohim si qëndron puna me partinë Alternativa, a është opozita më patriote se partia e Gashit, për të mos votuar një kandidat maqedonas të koalicionit qeverisës?! Pak e pabesueshme. A është partia e Kasamit më shumë “Lëvizje Besa” sesa Altrenativa e Gashit?! Edhe kjo e pakuptimtë, kur dihet se figurat më me potenciale të ideologjisë së Lëvizjes Besa (Besës së atëhershme), janë pikërisht personalitetet politike të partisë “Alternativa”. E fakte të tjera që ngrenë dyshimin serioz të propagandës opozitare të kandidatit shqiptar, si kalë beteje zgjedhore.

Opozita humbi mundësinë ti shtojë kurorës së saj të sukseseve politike (që pas rrëzimit të gruevskit), edhe një gur shumë të çmuar, atë të kandidatit të përbashkët shqiptar për president shteti. Ajo u bë peng i lojërave politike për të arritur pushtet nëpërmjet metodologjisë makiaveliste – qëllimi arsyeton mjetin, dhe jo nëpërmjet sinqeritetit dhe tejkalimit të politikave ditore. Fatkeqësisht po ndjek shembujt e paraardhësve të saj. Humbi mundësinë e maksimalizimit të votës shqiptare me një kandidat të përbashkët, në mos më shumë, në rrethin e dytë zgjedhor, shqiptarët e bashkuar mund të detyronin Kryeministrin Zaev në marrjen e më shumë posteve të rëndësishme, si p.sh Prokurorin e përgjithshëm; Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese; Këshillit Gjyqësor, Ministrin e Financave, etj, për një balancim sa më të drejtë pushtetesh në përfaqësim etnik.

Përsa i përket kandidimit të Blerim Rekës, kuptohet se është një kandidim paraprakisht i dakorduar me opozitën, me qëllim që ai të mos dalë nga asnjëra nga këto parti dhe kështu të ketë mundësi të marrë vota edhe nga target grupe tjera politike shqiptare, por edhe të mos etiketohet me prapavijë politike të caktuar, pas mbarimit të garës zgjedhore. Eshtë i dakorduar sepse Reka nëse sdo të kishte mbeshtetjen paraprake të opozitës, nuk do të kandidonte për asnjë arsye që ngërthen personaliteti i tij prej profesori universitar dhe njohës i politikës, nuk mund të turpërohej me pak vota, si kandidat i pavarur. Parë nga mbështetja opozitare dhe llogaritë e votave që pritet të marrë, e ka parë mundësinë e protagonizmit dhe faktorizimit, e cila mund ti shërbente në të ardhmen si kapital i mundshëm politik ose jo.

Shqiptarët përsëri humbën. Ata as në këto zgjedhje nuk mundën të dalin me një kandidat të përbashkët dhe një frymë të vetme shqiptare, për një çështje jo vetëm simbolike, por edhe për efekt mobilizimi shqiptar me aspirata më të mëdha shtetformuese. Inatet dhe konkurrenca politike mbisunduan mbi të mirën e përgjithshme shqiptare, dhe jo vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat