Barometri diplomatik

Opinione

Barometri diplomatik

Nga: Prof.Dr. Mehdi Hyseni Më: 3 mars 2019 Në ora: 08:59
Prof.Dr. Mehdi Hyseni

Prandaj, fare nuk është e këshillueshme dhe punë e mençur, që të hyhet në asnjë dialog a multidialog me Beogradin zyrtar derisa Serbia  nuk e njeh Kosovën dhe, në anën tjetër, derisa Preshevën, Bujancin dhe Medvegjën i mban dhe i shfrytëzon si koloni të “ligjshme” të  saj (1878-2019).

Pse  Serbia  të mos vazhdojë avazin e vjetër të politikës kolonialiste, kur as  për 3 gjenocidet e fundme të kryera  në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1989-1999) nuk u ndëshkua nga bashkësia ndërkombëtare.  Andaj, pse Serbia  të mos  e kërkojë edhe pjesën veriore të Kosovës shqiptare gjoja në emër të normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën?!

Ndryshe, nuk do të kishte guxuar as në ëndërr t’i shkelte detyrimet dhe përgjegjësitë e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara si anëtare e saj me të drejta dhe detyrime të plota, duke  mbajtur nën sundimin e saj kolonial  shekullor territoret shqiptare: Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Novi Pazari (1878-2019).

Sikur të kishte pasur drejtësi efektive ndërkombëtare, ky problem i Serbisë kolonialiste, do të kishte marrë përgjigjen përkatëse, që në vitet e 50-ta apo të 60 të shekullit XX, kur  dhjetëra e qindra vende të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine janë shkolonizuar pikërisht, duke i falënderuar zbatimit të parimeve dhe të dispozitave të Kartës së OKB-së, si dhe zbatimit të  normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. 

Mirëpo,  në mungesë të reagimit  të  mekanizmave  ligjorë përkatës të bashkësisë ndërkombëtare  për dënimin e krimit kolonial shekullor të Serbisë, Beogradi zyrtar Jo vetëm se nuk heq dorë nga sundimi kolonial i Preshevës, i Bujanicit dhe i Medvegjës shqiptare, por edhe pas kryerjes së gjenocidit të fundit më (1989-1999) në Kosovë, duke vrarë dhe masakruar mbi 12.000 shqiptarë, tani  si kompensim të humbjes së ish-kolonisë së saj po kërkon rikolonizimin dhe ricopëtimin e pjesës veriore të Republikës së Kosovës!

Çfarë kompromisi është ky, Kosova si viktimë e kolonizuar më se një shekull (1912-1999), t’ia cenojë  territorin  e vet verior ish-Serbisë kolonialiste?!

Kësi shembulli negativ antihuman, antiligjor  dhe antidemokratik nuk mund të gjendet në hartën botërore të vendeve të shkolonizuara në Afrikë, në Aiz dhe në Amerikën Latine (1945-2019), që viktima ta shpërblejë ish-shtetin kolonizues, duke i dhënë ndonjë pjesë  të territorit të vet, në mënyrë që të pajtohej me të në kohë paqeje, ashtu siç po kërkon Serbia kolonialiste, duke e kërcënuar Kosovën me copëtimin e territorit verior të saj si kusht për të arritur kompromis paqësor mes dy vendeve.

Jo Serbia, por Kosova ka të drejtë ligjore të kërkojë reparacione nga Serbia për shkak të shfrytëzimit kolonial të Kosovës (1912-1999)

Assesi nuk mund të konsiderohet “Marrëveshje paqësore”, e arritur mes Beogradit dhe Prishtinës në dialogun e Brukselit (2011-2019), nëse ndonjë pjesë e territorit verior të Kosovës, i jepet Serbisë. Po qe se, eventualisht ndodh diç e tillë, kjo do të ishte dhunë, plaçkë dhe ripushtim kolonial i Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë neokolonialiste dhe imperialiste. Për më tepër, kjo do të ishte shkelje flagrante e normave dhe  e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Aleksandar Vuçiq, -na jepni Veriun e Kosovës  me gjithë “Trepçën” dhe me Gazivodën) u japim Preshevën !

-Jo, në asnjë mënyrë, këtë nuk duhet pranuar qeveria dhe parlamenti i Kosovës, sepse tërësia e saj territoriale me burimet e pasura nëntokësore (ari, argjend, plumb, bakër, zink,  feronikel, boksit, qymyr dhe me minerale të tjera), që nga Serbia është eksploatuar për 100 vjet, duhet me çdo kusht të mbetet baza kryesore e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror e Kosovës së pavarur.

Prandaj, kërkesa për ndarjen e Kosovës, në emër të arritjes së ndonjë “marrëveshjeje paqësore” mes Serbisë dhe Kosovës, është manovër politike  me rrezik të madh për copëtimin e territorit të Kosovës gjë që kjo është në shpërputhje flagrante me parimin  e respektimit konsekuent të integritetit territorial të shteteve sovrane sipas së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë kontekst, OKB-ja e ka për detyrë që në çdo mënyrë ta parandalojë përpjekjen arbitrare të Serbisë, që të mos cenojë kufijtë territorialë të Republikës së Kosovës mbase kjo si shtet i pavarur gëzon të drejtën e plotë sovrane që t’i shfrytëzojë pasuritë dhe burimet natyrore, të cilat si pjesë përbërëse të përmbajtjes  të së drejtës së vetëvendosjes kontribuojnë në sigurimin e zhvillimit të saj ekonomik të pavarur. Mbi këtë bazë të ligjshme juridike të së drejtës ndërkombëtare, Kosova gëzon të drejtën e plotë që të gjitha pasuritë dhe burimet e saj nëntokësore dhe mbitokësore t’i zotërojë dhe t’i shfrytëzojë në mënyrë të lirë dhe sovrane në tërë territorin e saj brenda kufijve të përcaktuar me Kushtetutë (2008).

Nuk mund të lidhet kurrfarë Traktati miqësor e as paqësor me Serbinë derisa Serbia me Kushtetutë Kosovën e konsideron “provincë të saj !

Mirëpo, ky nonsens   politiko-diplomatik, juridik dhe kushtetues, deri tani nuk është bërë çeshtje debati në shkallë ndërkombëtare, as nga ana e Prishtinës zyrtare, as nga BE-ja, as nga OKB-ja e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse Kosova sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë së vitit 2006, “është provincë e Serbisë”?!

Kësi shembulli precedent të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rendit të Ri Botëror, nuk ka në asnjë shtet anëtar të Kombeve të Bashkuara! Së këndejmi, ky paradoks juridik ndërkombëtar dhe kushtetues i Serbisë, përgenjshtron këtë konstatim të kryeministrit Hashim Thaçi: “Marrëveshja e nënshkruar midis dy shteteve, do të thotë se Serbia de jure e ka njohur Kosovën.”

Përkundrazi, Serbia as de fakto e as de jure nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, ndryshe Kosova nuk do të figuronte në Kushtetutën e Republikës së Serbisë (2006) e as nuk do të zhvillohej Dialogu famëkeq tetëvjeçar në Bruksel (2011-2019)

Mirëpo, si duket ky defekt paradoksal, që është në kundërshtim me objektivat dhe me parimet e Kartës se Kombeve te Bashkuara, si dhe me parimet dhe me normat e se drejtës ndërkombëtare, nuk është kurrfarë pengese për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Për më tepër, këtë e provon edhe “ Marrëveshja historike” Thaçi – Daçiq, e bërë në Bruksel nën ndërmjetësimin e kryeshefes se për politike të jashtme të BE-së, Catherine Ashton (19 prill 2013).

Duke qenë se të gjithë faktorët e mësimpërme, janë dakorduar, që Prishtina dhe Beogradi, të hyjnë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve (Serbisë dhe Kosovës), atëherë, shtrohet pyetja, pse Beogradi ta njohe Kosovën, kur qeveria dhe parlamenti me  Hashim Thaçi në krye(kryeministër) dhe me Jakup Krasniqi (kryetar), me Edita Tahirin (zëvendësministre), si me Enver Hoxhajn, ministër i Jashtëm i Kosovës, kanë pranuar të negociojnë me Serbinë, pa e njohur Serbia Kosovën. Me këtë politikë dhe diplomaci të Prishtinës zyrtare është pajtuar edhe BE-ja, e cila, me te drejtë nuk i ka vënë kurrfarë kushti Serbisë, që ta njihte Kosovën. Kështu, Serbia mori statusin kandidat për të aderuar në BE, me 2 mars 2012.

Ndërkaq, Shqipëria dhe Kosova, “le t'i bijne kavallit”, le te presin derisa Serbia. t'i fitoje statusin-anëtar me te drejta dhe detyrime te plota ne BE. Ne rastin konkret, diplomacia e Serbisë, është në Epërsi e jo as ajo Tiranës, as e Prishtinës.

Atëherë, pse Serbia, ta njohe Kosovën, kur ajo ne Preambulën e Kushtetues se vet te vitit 2006, e ka sanksionuar “klauzolën juridike” se "Kosova është Serbi". Kështu, si Tomislav Nikoliqi (ish-president), ashtu edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe Ivicia Daciq (nënkryeminister dhe ministër i Jashtëm) te Serbisë, po e respektojnë Kushtetutën e vet sikurse qeveria dhe parlamenti i Serbisë.

Ndërkaq, pushtetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, me "të dy këmbët" kanë shkelur kushtetuat e tyre, që me çdo kusht të hyjnë në negociata me Beogradin, pa njohur Kosovën.

Këtë edhe e kanë fituar. Këtë BE-ja e di, për këtë arsye disa herë rresht Shqipërisë ia ka refuzuar statusin e kandidatit, kurse Kosovën e ka lënë në "geto", pa njohjen e së drejtës së liberalizimit të vizave.

Kush është fajtor për këtë "politikë dhe diplomaci të hollë" si do ta quante Avni Rrustemi, duke kritikuar bartësit e tyre më në krye Esat Pashë Toptanin? - Sille nga ta sillesh, fajin nuk e ka Evropa, por vetë politika e jashtme dhe diplomacia "e lartë" e dishepujve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që kanë pranuar të hyjnë në negociata me Beogradin, para se të njihej Kosova nga ana e Serbisë.

Derisa as Prishtina zyrtare, as BE-ja e as Kombet e Bashkuara, nuk kërkojnë që Beogradi zyrtar ta ndryshojë Kushtetutën në fuqi (2006), Serbia më në krye Vuçiqët dhe me Daçiqët, nuk do ta ndryshojnë atë, e as kursin politik për ndarjen e teritorit të Republikës së Kosovës , në mënyrë që minoritetit serb në Kosovë, t’i sigurojë një autonomi politike territoriale, duke filluar, së pari në veriun e Kosovës, pasi të jetë nënshkruar Marrëveshja Thaçi-Vuçiq në Bruksel nën patronatin e BE-së.

Mirëpo, qeveria dhe parlamenti i Kosovës nuk duhet të pranojnë dhe të miratojnë asnjë vendim qoftë për “korrigjimin”, qoftë për “shkëmbimin” e  kufijve territorialë të Kosovës, që do të thotë ndarjen-copëtimin e  tërësisë së territorit të Kosovës.

Liderët tanë politikë të Kosovës nuk do të duhej të tregohen aq “humanë”, “zemërgjerë, “dorëlirë”  e “largpamës”, që të blejnë paqe nga Serbia, duke i falur territor të Kosovës. –Por, të këmbëngulin që asnjë pëllëmbë tokë të mos ia falin e as të mos ia shesin Serbisë si kundërkompensim gjoja për njohjen e Kosovës, sepse nuk ka asnjë shtet në botë që për ndonjë marrëveshje paqësore të imponuar ta ketë shitur territorin ose ta ketë falur territorin e vet, ashtu siç po pretendon presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, se gjoja për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën ta japë veriun e Kosovës, pjesën më të pasur të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike. Kjo do të ishte katastrofa gjeopolitike, gjeostrategjike, ekonomike dhe e mirëqenies së gjithë Kosovës, përkatësisht së gjithë Shqipërisë Etnike. Prandaj, me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet e ligjshme juridike dhe kushtetuese, duhet të parandalohet copëtimi, rikolonizimi dhe  ripushtimi i territorit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat