Shteti i së drejtës dhe burokratët shqiptar

Opinione

Shteti i së drejtës dhe burokratët shqiptar

Nga: Adriana Istrefi Më: 4 mars 2019 Në ora: 17:08
Adriana Istrefi

 Flasim pambarimisht, flasim aq shumë, flasim dhe nuk dimë për çka. Sërish dhe sërish nuk reshtim së foluri, aq shumë në podiume të larta, në sheshe e mitingje, në tavolina dhe pijetore dhe prapë nuk kuptuam kurrë nëse ne flasim për veten apo për tjetrin. Po,po ne rrotullohemi rreth heroit pa flamur, politikanit pa këllqe, dështakut me sukses dhe në momentin tonë të delirit ne shpërthejmë si një bombë në tavolinat ku serviren lemonada europiane.

Ekzistenca e hierarkive mbi normat institucionale përbën vetë atë çfarë shteti i së drejtës garanton përmes funksionalitetit dhe ndarjes së pushteteve. Teoria e ndarjes së pushteteve sipas Aristotelit e brendëson më së miri atë për çfarë ne sot përballemi, me patericat e një pushteti që ngatërrohet me këmbët e veta. Sigurisht që faji peshon tek ne dhe tek mënyra e mendësisë sesi demokracia na serviret sot, në një pjatë të ftohtë nga Perëndimi që është kthyer ëndrra e çdo foshnje që pa lindur.

A kemi të bëjmë me një krizë identiteti ? Sot sindroma e burokratit shqiptar është ndërfutur aq thellë sa jemi përballë vetvetes të braktisur nga vlerat e shoqërisë. Shoqëria shqiptare jeton në demokraci pa demokraci, jeton me zyrat shtetërore që kontrollojnë me levat e pushtetit aq thellë sa mustaqet e përdredhura të pushtetit bëjnë hije edhe në oborret tona.

Një shtet i së drejtës i nënshtrohet vetë parimit të barazisë duke vendosur në thelb individin mbi të mirën e përbashkët,ndërkohë teoritë moderne na kanë mësuar se individi është më tepër se kaq… Ne flasim për një humane vetëm në sferën teorike, ne harrojmë se humania është përtej miopit pushtetar. A vuajmë  nga mungesa e kapitalit human?

Shoqëria shqiptare po pëson transformime vlerash, ne po harrojmë vetveten me pushtetin e bashkë me të po provojmë një komunizëm të dytë dhe më keq. Një ´´komunizëm mendor´´ që po na mbyt si një virus që është përhapur në qytetarizmin që po shuhet ngadalë. Ne nuk po prodhojmë më modele, ne nuk po prodhojmë më individë të shoqërisë, por pjella të tranzicionit të egër që promovojnë një injorancë në tymnajat e politikave të kurrkundit.

Zgjedhjet e këqija po katapultohen që në thelb të parimeve që mbeten veçse në fletë të bardhë. Sot burokratët dynden zyrave, rrugëve, qyteteve dhe fshatrave dhe njihen nga aroma e servilizmit që përdhos denjësisht qytetarin e lirë.  Sot e drejta është përdhunuar nga fantazmat që prodhon sistemi i keq ku çdo gjë rrotullohet rreth ngjyrave të pushtetit.

Ku mbeti shteti i së drejtës?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat