Flamurit të Skënderbuet i tremben vetëm armiqtë e Shqipërisë Etnike

Opinione

Flamurit të Skënderbuet i tremben vetëm armiqtë e Shqipërisë Etnike

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 4 mars 2019 Në ora: 23:40
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Zgjedhjet për qeverisje lokale demokratike të Tuzit i fitoi koalicioni  “Forumi shqiptar” !

- Urime  fitorja motra dhe  vëllezër   të dashur dhe të shtrenjtë shqiptarë!

Edhe me këto zgjedhje vendore  në Tuz të datës 3 mars 2019, vëllezër e motra shqiptare  i treguat Evropës demokratike dhe të qytetëruar se shqiptarët në Mali të Zi janë tolerantë dhe demokratë të vërtetë, dhe se  i çmojnë dhe i respektojnë lart vlerat e Evropës Perëndimore dhe vlerat universale të bashkësisë ndërkombëtare, se dëshirojnë koekzistencë, reciprocitet, paqe, mirëbesim, drejtësi, tolerancë, mirëkuptim dhe përbashkësi me  malazezët dhe me të tjerët në shtetin multietnik të  Malit të Zi. Kjo është esenca  e  kuptimit domethënë të rezultatit të këtyre zgjedhjeve lokale demokratike në Malësinë e Tuzit si kryeqendër komunale, që u mëvetësua nga komuna e kryeqytetit të Podgoricës në shtatorin e vitit 2018.

Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë pse të turpërohen nga identiti shqiptar, as të frikësohen nga përdorimi i simboleve të tyre kombëtare, sepse janë në tokën e vet autoktone, edhe pse  si rrjedhim i shtypjes dhe  i spastrimit etnik territoret e tyre janë tjetërsuar nga Mali i Zi (1878). Ky është shkaku pse qe 145 vjet shqiptarët si rrjedhim i gjenocidit kolonial  shtetëror malazez kanë ngelur në minoritet nacional prej 10%. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se të gjithë shqiptarët, që me shekuj ndodhen në vende të ndryshme të Evropës, të Amerikës dhe të Australisë, të mos kthehen në atdheun e tyre dhe, të mos të përdorin simbolet e identitetit të tyre kombëtar shqiptar pavarësisht se jetojnë nën jurisdiksionin  e shtetit të Malit të Zi.

Derisa flamuri  malazez, serb, grek, maqedon, turk dhe bullgar valon në Shqipëri, sigurisht se është e logjikshme dhe e ligjshme që, edhe flamuri shqiptar të valojë në Athinë, në Beograd, në Podgoricë, në Soje dhe në Ankara. Ky është reciprocitet i padiskutueshëm sipas Kartës së OKB-së, Kartës së OSBE-së së Helsinikit(1975 dhe sipas së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, fitorja, gëzimi dhe valvitja e flamurit kombëtar nga shqiptarët, të cilët më 3 mars 2019 fituan në zgjedhjet e para lokale në komunën e pavarme të Tuzit dhe në Malësi, duke fituar16 delegatë nga lista e bashkuar e subjekteve politike shqiptare, nuk mund të quhet kurrfarë “folklorizmi” e as “patetizmi” ashtu siç shprehur shkrimtari, poeti, publicisiti  dhe historian i njohur kosovar, Jusuf Buxhovi.

Ja shkrimi i plotë i Jusuf Buxhovit: “ Është mirë që shqiptarët i bashkuan forcat e tyre. Mirëpo, nuk ka nevojë për festë. Mirë që kanë fituar shqiptarët aty. Mirë që janë bashkuar forcat politike, por nuk është mirë që shumë po i japin vrull të madh kësaj ngjarjeje me folklorizëm e patetizëm thua se, shqiptarët e fitun shtetin atje, kur Tuzi është  vetëm një komunë e vogël. Shqiptarët,  veçmas ata të Tuzit, duhet të jenë të kujdesshëm e të vëmendshëm sepse ajo që është fituar dje, mund t’humbet shumë lehtë.” ( Shih në:https://gazetainfokus.com/fitorja-e-shqiptareve-ne-tuz-jusuf-buxhovi-thote-se-ska-ve ).

-JO, këtë të drejtë ligjore dhe demokratike të shqiptarëve të Tuzit,  me mjete paqësore e as me forcë nuk mund t’ua ndalojë regjimi i Malit të Zi, sepse direkt do të konfrontohej me NATO-n, me Amerikën, me BE-në, me OSBE-në dhe me OKB-në për shkak të shkeljes direkte të drejtave dhe lirive të njeriut

Realisht, ky konstatim nuk është objektiv as i qëlluar mbase logjiksht, kur njeriu  fiton ai, edhe ka të drejtën të këndojë qoftë  këngë patriotike kombëtare shqiptare, qoftë këngë kozmopolite ndërkombëtare, qoftë duke e valvitur flamurin kombëtar shqiptar ose duke e valvitur Flamurin amerikan. Kjo është krejtësisht njerëzore, e natyrshme dhe  e drejtë individuale dhe kolektive.

Prandaj, as Jusufi, as unë e as ndonjë tjetër nuk kemi të drejtë që fituesit shqiptarë në zgjedhjet lokale të 3 marsit 2019 për qeverisjen e komunës së tyre në Tuz, t’i këshillojmë, që gjoja të tregohen të përmbajtur në ndarjen e gëzimit dhe të festimit të korrjes së fitores së tyre!? – Kjo është komike dhe tejet naïve, sepse vetëm ata  më së miri  e dinë pse festojnë, këndojnë dhe valvisin flamurin  e tyre kombëtar shqiptar, i cili  nuk rrezikon  interesat  e askujt dhe,  në asnjë formë nuk ndikon  në prishjen e harmonisë ndëretnike e as të rendit dhe të qetësisë së qytetarëve të tjerë në Mal të Zi.

Përkundrazi, kjo fitore e shoqëruar me gëzim , me këngë e me valle kombëtare shqiptare nuk nënkupton urrejtjen dhe intolerancën ndëretnike të përbashkësisë multietnike e as minimin dhe destabilizimin  e rendti politiko-juridik dhe kushtetues të Malit të Zi, por mirëkuptimin, koekzistencën ndëretnike, si dhe forcimin dhe afirmimin e vlerave  demokratike të Malit të Zi, sepse pas 20 vitesh, së fundi, edhe komuna e Tuzit ( e populluar kryesisht me shqiptarë) fitoi cilësinë juridike dhe kushtetuese, të jetë e pavarur sikurse komuna e Ulqinit dhe komunat e tjera të Malit të Zi.

Fitorja është për të qeshur dhe kënduar, JO për të qarë e vajtuar!

Prandaj, fitoren e koalicionit të “Forumit  Shqiptar” në Tuz, askush nuk ka të drejtë ta quajë “retorike”, “folklorike” e as “patetike”, por vetëm realiste, legale, demokratike dhe paqësore.  Ndaj, malësorë të dashur qeshni, këndoni dhe valvitni flamurin e fitores, sepse jeni në dheun dhe në shtëpinë tuaj ! –Mos u frikësoni, por krenohuni dhe mburrni me identitetin dhe me atdheun e juaj mbase  askush nuk ka të drejtë morale e as ligjore t’iu qortojë e as t’iu  akuzojë për fitoren në këto zgjedhje lokale, si dhe për përdorimin e Flamuri të Skënderbeut (që më së shumëti shovinistët serbomëdhnej brenda dhe jashtë Malit të Zi e kanë makth në zemër e halë në sy, jo më pak se 200 vjet, sepse kurrë nuk e kanë njohur kombin shqiptar), sepse këto janë akte të ligjshme ndërkombëtarisht.

Të gjithë ata armiq që tentojnë  t’ua prishin atë gëzim dhe atë fitore të 3 marsit 2019, nuk do të kenë vend as në Mal të Zi, as në NATO, as në BE dhe as në OKB, sepse askush nuk ka të drejtë morale dhe ligjore, që t’i shkelë ligjet, standardet dhe vlerat ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore kudo në botën e sotme të qytetëruar si vlera universale.

Prandaj, malazezët, serbët, bullgarët, grekët, turiqt dhe maqedonët nuk kanë asnjë arsye që të frikësohen nga simbolet nacionale të shqiptarëve, që jetojnë në shtetet e tyre, sepse ato janë të ligjshme dhe të njohura sipas së konventave, rezolutave, protokolleve, marrëveshjeve ndërkombëtare, të dala nga Kombet e Bashkuara dhe nga e drejta ndërkombëtare. Ndaj, çdo mohim dhe injorim i tyre, është vepër penale ndërkombëtare.

Kjo është rruga e ligjshme, demokratike dhe paqësore, që duhet ta ndjekin shtetet multietnike dhe pluraliste në Ballkan, ashtu siç parashikojnë standardet dhe instrumentet juridike ndërkombëtare dhe evropiane, kur është fjala për zbatimin dhe për mbrojtjn e të drejtave dhe lirive të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat