Adem Jashari në Kosovën e pasluftës

Opinione

Adem Jashari në Kosovën e pasluftës

Nga: Jusuf Buxhovi Më: 5 mars 2019 Në ora: 12:36
Jusuf Buxhovi

Opinioni i Kosovës sot është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik. Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik? Dy janë pozicionet reale: a)Madhështia e sakrificës, dhe b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake. Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal.

Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton.

Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike. Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetë në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera. U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore. LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak.

Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet. Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës.

Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve. Roli i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë.

E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake. Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën. Dihet mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë. Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por cenohet në të gjitha mënyrat. Vetëm me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë. Vepra dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore. Prandaj ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e vrullshme.

U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të shpëtimit të një populli nga gjenocidi. E vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore. Kështu, Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që duhet të jetë shenjtëri. Klasa e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet fundi. Me tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit, me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës . Ky vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë historike. Ridimensionimi i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet. Vetë kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale. Herëdokur do t'iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat