Shkollat shqip para sfidave të reja

Opinione

Shkollat shqip para sfidave të reja

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 7 mars 2019 Në ora: 11:10
Nexhmedin Saqipi

Sot po mbushen 132 vjet nga dita e parë e hapjes së shkollës shqipe në Korçë, më 7 mars të vitit 1887. Që nga ajo ditë shkronjat shqipe dhe mësuesit e mësim – këndimit, kanë kaluar nëpër periudha të vështira, por krenare për ta mbajtur gjallë frymën e gjuhës shqipe. Ky rrugëtim i diturisë nderohet edhe për mësuesit e Luginës së Preshevës, të cilët kanë dhënë dhe po japin kontribut të çmueshëm për përhapjen e arsimit shqip edhe në këto kushte jo të favorshme me të cilat po përballet arsimi shqip”.

Gjendja e arsimit shqip në Luginën e Preshevës edhe më tej mbetet një sfidë parësore për shoqërinë shqiptare.

Shkollat me mësim në gjuhën shqipe, duke filluar nga Entet parashkollore, ato fillore dhe të mesme, përballen me mungesën e teksteve adekuate, kabineteve dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme për një zhvillim normal të procesit mësimor.

Defekti i mospërparimit të arsimit shqip, i të gjitha niveleve është ngase shkollat shqipe procesin edukativo-mësimor e zhvillojnë me planprogramet të cilat i servon Ministria e Arsimit të Serbisë.

Tekstet mësimore, për shkollat fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, janë të përkthyera keq e me shumë gabime. Nga qarqe të larta të Beogradit nuk lejohen shkollat shqipe të Luginës, të furnizohen me tekste të siguruara nga Prishtina dhe Tirana.

Vitin e kaluar shkollor 2013/2014, u sollën abetaret gjithëkombëtare nga Tirana, mirëpo Ministria e Arsimit të Serbisë, nuk lejoi që ato të përdoren nga nxënësit, duke ofruar abetaren e përgatitur nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës, me plot gabime.

Përkundër përpjekjeve të drejtorëve të shkollave, këshillave të pedagogëve, departamenteve arsimore në kuadër të komunave dhe institucioneve të tjera, për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat po përballet arsimi shqip në Luginë të Preshevës, Beogradi zyrtar nuk tregon vullnet për tejkalimin e këtyre dukurive negative, të cilat prej vitesh e shoqërojnë arsimin shqip. Po ashtu një problem serioz paraqet edhe nostrifikimi i diplomave për studentët, të cilët mbarojnë studimet në Tiranë dhe Prishtinë.

Mungesa e shkollimit të lartë në Luginë të Preshevës, ka bërë që shumë studentë t’ia mësyjnë shkollimit të mëtejmë në Tiranë, Prishtinë e Tetovë e disa të tjerë, për shkak kushteve të vështira materiale edhe të rekrutohen për analfabet.

Politizimi i shkollave

Një dukuri tjetër që e rëndon arsimin shqip në përgjithësi është politizimi i shkollave deri në ekstremitet. Përpjekjet për depolitizimin e shkollave nuk patën sukses. Partitë politikë në pushtet, mundohen që të krijojnë drejtorë politikë në mënyrë që militantët e tyre të punësohen dhe me këtë mënyrë të formojnë fabrika partiake si në komunizëm.

Duke punësuar sa më shumë kuadro joadekuate në arsim, është devalvuar misioni i mësuesit të mirëfilltë. Ka rënë interesimi për mësim si na gana e nxënësit, arsimtarit dhe prindit. Po ashtu duke punësuar sa më shumë kuadro joprofesionale me gjysmë norme në punë, ka ardhur edhe deri te zvogëlimi i të ardhurave të punëtorëve.

Bashkë me këto anomali në mësime, vjen edhe dukuria e zvogëlimit të nxënësve dhe paraleleve nëpër shkolla.

Për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin është rrasur me dy këmbë arsimi shqip, jo vetëm në Luginë, duhet më marrim shembullin e Japonisë. Perandori i Japonisë për t’i ikur këtyre problemeve me të cilat ne tani përballemi seriozisht për gazetarët pat thënë dikur:

  1. E kemi marrë për mik librin para armës;
  2.  E kemi bërë diturinë dhe moralin forcën tonë;
  3. Ia kem dhënë mësuesit, rrogën e ministrit, autoritetin e diplomatit dhe pozitën mbretërore.

Ky shembull i perandorit japonez vlen edhe për ne shqiptarët, të cilët kryeministrit ia bëjnë pagën mujore sa 12 paga të mësuesit.

Një filozof ka thënë: “Shpirtvegjël janë ata që punën e mësuesit e konsiderojnë të vogël”, prandaj duhet vepruar si japonezët, në mënyrë që puna e mësuesit të çmohet dhe vlerësohet si duhet.

Masat preventive

Shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe më tej duhet të angazhon për zhvillimin dhe afirmimin e arsimit shqip, pavarësisht sfidave të reja që i dalin përpara.

Institucionet shqiptare që merren me çështjen e arsimit, duhet të mos heqin dorë nga kërkesa e tyre të ligjshme, kuptohet edhe me ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës, duke i bërë presion Beogradit, në mbështetje të reformave në arsim në përputhshmëri me vlerat dhe standardeve perëndimore.

Arsimi fillor është i domosdoshëm të profilizohet edhe atë pas klasës së katërt nën shembullin e shkollimit perëndimor. Profilizime të ngjashme do të ishte e udhës të praktikohen edhe në shkollimin e mesëm.

Për t’i dhënë fund këtyre problemeve të trashëguara nga e kaluara në fushën e arsimit shqip, janë të domosdoshme reformat në arsim, jo vetëm me planprograme dhe profilizime, por edhe në aspektin e mjeteve të nevojshme sikurse në vendet e Bashkimit Evropian. Këto procese janë jetike për domosdoshmërinë e zhvillimit dhe të prosperimit të individit dhe të shoqërisë në rajonin e Luginës së Preshevës.

Shoqëria shqiptare duhet të angazhohet maksimalisht, që të krijoj kushte për zhvillim normal të procesit edukativo-arsimor. Në këtë drejtim të angazhohet, që shkollat shqipe t’i bëjnë shkolla moderne, të pajisur me kabinete e laborator të niveleve evropiane, kuptohet me ndihmën e institucioneve komunale dhe donatorët e jashtëm.

Objektivat parësore

Për tu realizuar një reformë në bazë të standardeve perëndimore në shkollat shqipe, paraprakisht duhet të realizohen këto objektiva primare:

- zhvillimi i infrastrukturës shkollore dhe reformimin e mësimdhënies:

ngritja profesionale përmes seminareve të rregullta;

- bashkëpunimi i drejtpërdrejt me institucionet arsimore ndërkombëtare e shtetërore;

- përcjellja dhe njohja e literaturës nga vendet që kanë kaluar në këtë fazë tranzitore dhe kanë pasur suksese;

- përgatitja e kuadrit mësimor, e në veçanti njohja me zhvillimet e sistemeve arsimore dhe të arriturave ndërkombëtare në sferën e arsimit etj.

- nxënësit shqiptarë nga Lugina e Preshevës të furnizohen me tekstet mësimore nga Kosova. 

Përpjekjet për ta ngjallur frymën e arsimit shqip  në këtë fazë kur këto vise sa kanë dalë nga lufta, nuk kanë pushuar kurrë. Në këtë rrugë rol të madh do të kishin integrimet kulturore brendashqiptare, pa përfillur kufijtë politikë që na kanë ndarë edhe copëtuar gjithmonë.

Besojmë se në një të ardhme të afërt, në një Evropë të integruar edhe fati i arsimit shqip, në rajonin e Luginës së Preshevës, do të përparohet dhe afirmohet, gjithsesi.

Në fund të këtij Opinioni, kam kënaqësinë të uroj, që ky 7 Mars, të sjell suksese më të mëdha në arsim dhe të frymëzoj gjeneratat e reja të mësimdhënësve për më shumë kualitet dhe profesionalizëm. Besoj fuqishëm që vitet në vijim do të sjellin rezultatet më të lakmueshme dhe që Lugina e Preshevës përmes shkollës shqipe do të ruaj dhe avancoj identitetin kombëtar të shqiptarëve. Me bindje se shkolla shqipe gjithmonë ka qenë themel i progresit dhe prosperimit drejt një të ardhme më të ndritur. Urime dhe Suksese! Gëzuar 7 Marsi Dita e Mësuesit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat