Xhemajl Hyseni ishte njeri i përgjigjeve të prera

Opinione

Xhemajl Hyseni ishte njeri i përgjigjeve të prera

Ilmi Musliu Nga Ilmi Musliu Më 8 mars 2019 Në ora: 09:26
Xhemajl Hyseni

Sot, 8 mars 2019, bëhen tetë vjet që kur Xhemajl Hyseni (1956) ndërroi jetë në moshën 55-vjeçe. Hyseni ka qenë njëri nga tre kryetarët e deritashëm të Komunës së Gjilanit, pas luftës, për më shumë se dy vjet.
Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Xhemajl Hyseni, së fundi ishte nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), të cilës i ishte bashkuar që në fillimet e saj, pas ndarjes së madhe që ndodhi në LDK.

Hyseni ishte kryetari i vetëm i një Komune që vendosi të rreshtohet përkrah Nexhat Dacit, me të cilin, në fund, sipas bashkëpunëtorëve të tij të afërt, kishte shprehur mospajtime rreth mënyrës së udhëheqjes së partisë, e cila dita-ditës po rrënohej.    

Hyseni, aktivitetin politik e kishte filluar në fund të viteve të 90-ta, si veprimtar i LDK-së. Më pas ishte kryetar i Këshillit Komunal për Financim, ndërkohë që në zgjedhjet e para lokale ishte zgjedhur nënkryetar i Komunës së Gjilanit, post të cilin e mbajti në dy mandate.

Në vitin 2004, pas shkuarjes së kryetarit Lutfi Haziri (LDK) në qeverinë e Kosovës, ai u zgjodh kryetar i Komunës së Gjilanit, post ky të cilin e ushtroi për më tepër se dy vite.

Duke qenë në LDD, ai ishte kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, edhe në vitin 2007, por e humbi garën nga Qemajl Mustafa (PDK), ndërsa në zgjedhjet nacionale, ishte kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës.

Hyseni është cilësuar nga bashkëpunëtorët e tij, madje dhe nga rivalët politikë, si njeri i guximshëm dhe që ka lënë gjurmë në jetën politike, institucionale e atdhetare.

Ai njihet për këmbëngulësinë që kishte në mbrojtjen e parimeve të veta.                     

Hyseni është përshkruar nga kronistët si njeri që fliste pak dhe qartë, që ishte i prerë dhe burrëror, që thoshte “po” ose “jo”. Në retorikën e tij nuk kishte përgjigje asnjanëse.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat