Amerikanët rrezikuan për Kosovën, Kosova nuk po “rrezikon” për amerikanët

Opinione

Amerikanët rrezikuan për Kosovën, Kosova nuk po “rrezikon” për amerikanët

Nga: Jak Simoni Më: 13 mars 2019 Në ora: 13:45
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të   Amerikës  kanë mbrojtur  Shqipërinë dhe shqiptarët, që kur presidenti Wilson nuk lejoi ndarjen e mëtejshme të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Por ndihma më e madhe ishte në vitin 1999 kur  Shtetet e Bashkuara të   Amerikës  udhëhoqën NATO-n në luftën për çlirimin e Kosovës. Vërtetë në këtë sulm ajror  humbjet në njerëz ishin minimale krahasuar me luftërat e tjera, por kjo nuk do të thotë se shtete e NATO-s me ne krye amerikanët nuk rrezikuan, sepse, siç na mëson historia, çdo akt ushtarak mund të pasohet  me pasoja të paparashikuara. Asnjë garanci nuk kishte atëherë se Rusia nuk do të ndërhynte, por, për fat, mënyra se si ajo u përfshi nuk ndikoi as minimalisht në rezultatin përfundimtar. Amerikanët rrezikuan për Kosovën, ndërsa Kosova nuk po “rrezikon” për amerikanët, kryeministri i saj po kufizohet  në shprehje të  miqësisë me fjalë, por amerikanët kërkojnë vendime dhe veprime. Fillimisht kërkojnë  heqjen e taksës për mallrat serbe. Me sa duket, amerikanët kanë  bindjen se pas një  konflikti të  përgjakshëm  mosmarrëveshja ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk kalohet me taksa e sanksione, por me vullnet reciprok për ta zgjidhur atë .              

Më  mirë  se kosovarët nuk i njeh kush problemet e tyre, por ky interesim i drejtpërdrejtë  i Presidentit Amerikan  kurrsesi nuk mund të anashkalohet. Kosovarët vërtetë  kanë  luftuar dhe sakrifikuar, por çlirimin nga NATO me në  krye amerikanët nuk mund ta harrojnë, sepse historia ka plot shembuj luftërash dhe sakrificash që  nuk janë kurorëzuar me fitore. Pritja për një  moment më  të  mirë  mund të  ketë shumë rreziqe dhe të paparashikuara: së  pari, diasporë dhe diplomaci aktive në Amerikë dhe në  Evropë nuk kanë vetëm shqiptarët,  por dhe serbet; së  dyti, bota është  e madhe dhe mund të  lindin probleme dhe më  të  mëdha se Kosova, sepse ajo mund të  jetë  qendra e shqiptarisë, por nuk është  qendra e botës; së  treti, probleme të  brendshme kanë  filluar në  disa vende dhe kur ke zjarrin tek shtëpia jote nuk shkon të bësh garant për marrëveshjet e tjerëve; së  katërti, duke u marrë  gjithnjë me shqiptarët (1991 ndryshimet e mëdha dhe eksodi, 1997 i venë flakën vendit të tyre, 1999 lufta e Kosovës dhe sa herë ka zgjedhje, sepse nuk u ka mbajtur kush dorën që të dinë ti bëjnë vetë) durimi i ndërkombëtarëve mund të  soset; së  fundmi, ekuilibrat në  Evropë dhe në Botë  janë gjithmonë delikate, siç thoshte I. Kant, janë si një çati që sa të  ulet një zog mbi të shembet.

Marrëveshja me serbët, për të cilën po interesohet personalisht Presidenti i  Amerikës dhe aktorë të tjerë evropianë e më gjerë, po paraqitet  si “rrezik”. Faktori ndërkombëtar është vendimtar, sepse, ashtu si nuk ishte kur u bë lufta, nuk është as kosovar, as shqiptar as ballkanik as evropian, por ndërkombëtar. Një marrëveshje pa faktorin ndërkombëtar do të ishte më delikate se çatia që fermente I. Kant. Marrëveshja, sido që të arrihet me ndërrim apo pa ndërrim kufijsh, nuk ka pse te pengohet nga shqiptarët siç u pengua nga serbet në Rambuje për të cilën paguan shtrenjtë. Në këtë rast pengesa nga ana e shqiptarëve ja kalon dhe një indiference cinike: meqenëse armiqtë e deri tanishëm mund të rregullojnë ndonjë problem të tyrin, le mos të rregullojmë as ne punët tona. Shqiptarët po humbin një mundësi, të cilën  ndërkombëtarët kanë dhe autoritetin ta bëjnë të fundit. Marrëveshja nuk ka  për të  hapur  kutinë e Pandorës, por do të hapë  perspektivën e të  ardhmes së  Kosovës e ndoshta, me një  bashkimi të  mundshëm, dhe  të  Shqipërisë, duke krijuar kështu mundësinë e parë historike të  një  shteti të së drejtës vërtetë  funksional për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në këtë rast, për të ata që nuk duan shtet, ose për ata që duan një shtet, ku secili të korruptojë kë të dojë dhe të korruptohet nga kushdo  do të hapej kutia e Pandorës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat