23 Mars 1989 - 23 Mars 2019!

Opinione

23 Mars 1989 - 23 Mars 2019!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 23 mars 2019 Në ora: 14:42
Melihate Tërmkolli

Në datën e sotme, 30 vite më parë, më 23 Mars 1989, Serbia me trysninë e tankeve të ushtrisë jugosllave dhe terrorin e tejskajshëm të policisë, suprimoi autonominë e Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën shqiptarët kishin fituar statusin më të lartë politik e juridik deri atëherë në kuadër të federatës jugosllave. Ky status iu garantonte shqiptarëve të Kosovës, si shumicë absolute, një autonomi të lartë dhe statusin e njësisë federale, njësoj si njësitë tjera përbërëse të saj.

Nën masat e “gjendjes së jashtëzakonshme” në të cilat gjendej Kosova, një masë e cila ishte vendosur nga organet më të larta partiake e shtetërore jugosllave, pas grevës historike të minatorëve dhe protestave masive të shqiptarëve në mbrojtje të kushtetutës, Kuvendi i Kosovës më 23 Mars 1989, me shumë parregullësi procedurale e përmbajtësore, miratoi amandamentet kushtetuese të Kushtetutës së Serbisë. Me këtë akt, dhe me miratimin e amandamenteve edhe nga Kuvendi i Serbisë, de facto dhe de iure Serbia okupoi Kosovën. Qytetarët tanë, shqiptarët, u ngritën në demonstrata të fuqishme kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe në mbrojtje të të drejtave  e lirive kombëtare. Protestat u shtypën në mënyrën më barabare nga policia federative duke vrarë 21 shqiptarë, shumica e tyre të rinj nën moshën madhore, madje edhe fëmijë.

Derisa Kosova jonë dhe shqiptarët po përjetonim tmerr të shumëfishtë, republikat tjera po bënin sehir. Bota demokratike perëndimore, për herë të parë e pa sheshazi se si po shtypej një popull sepse donte barazi e liri si gjithë popujt tjerë.

Me këto ndryshime kushtetuese dhe okupimin e Kosovës, Serbia në krye me Millosheviqin arriti kulmin e fillimit të politikës hegjemoniste pasojat e së cilës i përjetuan edhe popujt tjerë për të përfunduar në luftëra, spastrim etnik e deri në gjenocid në Bosnjë e Kosovë.

Si delegate e Kuvendit të Kosovës në periudhën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989 dhe pjesëmarrëse e proceseve politike e tjera deri sot, e ndjej të nevojshme që përveҁ kujtimit për një kohë të rëndë me ngjarje dramatike për Kosovën dhe shqiptarët, të shprehë shqetësim të madh për gjendjen në të cilën jemi sot e më shumë se dhjetë vite. 

Ҫka mësuam! Pothuajse asgjë!

Edhe pa 10 vitet e terrorit serb kundër shqiptarëve dhe luftën e golgotën që pësuam në veҁanti në vitet 1998-1999 deri në ndërhyrjen e NATO-s, do të ishte e mjaftueshme periudha e ndyshimeve kushtetuese për poltikën që të marrë mësimet e duhura. 

Serbia, ndaj Kosovës dhe shqiptarëve ka pasur dhe vazhdon të ketë dy qëllime kryesore:

Grabitjen e pasurisë së saj dhe zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët.

Qe një kohë relativisht të gjatë, ndonëse jemi shtet i pavarur, si pasojë e politikave të dëmshme të përfaqësuesve të shtetit tonë, pandalshëm gati po realizohen të dyja këto qëllime. 

A duhen edhe më argumente për të rifilluar një politikë të re nacionale!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat