Petrit Tanushi, kërkimtari që të fshehtat e natyrës i shndërron në kura shërimtare…

Opinione

Petrit Tanushi, kërkimtari që të fshehtat e natyrës i shndërron në kura shërimtare…

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 23 mars 2019 Në ora: 17:12
Petrit Tanushi

Ishte ende djalosh i njomë, kur pasioni për lulet dhe bimët, për atë shumëllojshmëri speciesh që popullonin fshatin e tij të lindjes, Zall Reçin e Dibrës, një vis piktoresk, si i shkëputur nga pikturat e Salvadore Dalisë, do ta çonte në kërkimin drejt magjive kurative të një bote të panjohur, që shfaqej para syve të tij me një shumëllojshmëri trajtash dhe ngjyrash. I dashuruar me natyrën, me ato trajta të shumëllojta që shfaqnin një madhështi në lulëzim, ai rrekej të gjente ato pika që e bënin krejt të afërt njeriun me ambientin, duke kërkuar melhemin që shëronte sëmundje e mjekonte plagë.

Petrit Tanushi, në mënyrë intuitave po shkonte drejt asaj që sot etiketohet si mjekësia alternative dhe që është një mundësi e shpalosur mbresash dhe emocionesh, me të cilat po ballafaqohet gjithë bota e qytetëruar. Kështu në moshën 20 vjeçare kreu një kualifikim për infermier e që atëherë, gjatë shërbimit ushtarak, në punë e kudo në çdo hap të jetës nuk do t’i ndahej pasionit për t’iu shërbyer të sëmurëve, ku me aq dashuri e përkushtim do të bënte më të mirën e mundshme për t’iu ardhur në ndihmë të pamundurve.

Bir i një familje intelektuale dhe me pasion për dijet, ku i ati Limani, diplomuar në vitin 1963 për gjuhë letërsi, ishte themelues dhe organizues i arsimit në të gjithë trevat e Dibrës, ku shkeli me këmbët e tij çdo fshat, që nga Lura, Reçi, Dardha, Katër Grykët gjer në Maqellarë, Petriti e ka në gjak dashurinë për dijen, dashurinë për librin, dashurinë për natyrën, në thellësitë e të cilës ka gjetur një burim të pashtershëm relaksues, kurativ dhe emancipues.

Petrit Tanushi, me origjinë nga Dibra, banues në Tiranë, që tashmë i ka kapërcyer të pesëdhjetat, ka kaluar një jetë mes bimëve, luleve, mjeteve të infermierit dhe mjekut, por dhe të kërkuesit të përkushtuar në gjirin e natyrës, ku gjenden ilaçet më të vyera të trupit e të shpirtit njerëzor dhe ashtu siç thotë Hipokrati i madh, gjenden të gjitha “enigmat shërimtare” të sëmundjeve tona. Me punë e lodhje të madhe, duke shkuar fshat në fshat për vaksinimin e popullatës, duke mbledhur bimë shëruese e duke komunikuar edukatë shëndetësore me njerëzit që e rrethonin, në vitin 2010 diplomohet në Fakultetin e Infermierisë së Përgjithshme, për të mbaruar në vitin 2012 masterin për menaxhim të Shëndetit Publik.

Ardhja me banim në Tiranë, aty nga fillimi i viteve 2000, iu dha një kuptim të ri kërkimeve të tij, gjersa me punë e pasion, me dije shkencore dhe këmbëngulje të madhe, hapi një punë të tijën, të cilës iu kushtua me kohë të plotë në fushën e Mjekësisë Aletrantive.

Punë intensive, pasion, përkushtim, dashuri, sakrificë, larmi situatash me të sëmurë të të gjitha moshave e llojeve të sëmundjeve, kështu mund të përshkruhet me pak fjalë ecja e këtij njeriu në jetë. Dhe ai, Petrit Tanushi, ashtu i lehtë, i zhdërvjellët, i butë dhe i gjendshëm, kurajoz dhe ëndërrimtar, do të mësonte çdo ditë sekretet e natyrës, magjitë e fshehta që e çojnë një mjek drejt një alternative kurimtare aq të lakmuar sot në botën e civilizuar, e cila gjithnjë e më shumë po i kthehet natyrës dhe pasurive të saj të befta, si një potencial i fuqishëm shërimtar, për të gjitha llojet e sëmundjeve, nga më të lehtat deri tek ata më të rëndat dhe më problematiket.

Banorët e komunitetit, që e rrethojnë në çdo kohë, për halle e sëmundje, shikojnë tek Petriti njeriun e ditur dhe mjekun e pasionuar, kërkuesin këmbëngulës për të dhënë në morinë e diagnozave dhe kurave përkatëse ato më të saktat dhe më rezultativet për një shërim sa më të shpejtë dhe sa më plotë të të sëmurëve.

Janë mbi 150 lloje çajrash bimore me vlera mjekësore, që rekomandohen nga Petriti dhe këto nuk i mban sekret, që të mund t’i shfrytëzojë për të bërë biznes, por ua jep falas atyre që kanë nevojë dhe që besojnë tek mjekësia alternative, që burimet potenciale të kurimit të çdo sëmundje i shikon në fshehtësitë e natyrës, tek bimët, tek lulet, tek kombinimet e mundshme të tyre.

Gjithashtu tek vajrat dhe kremrat bimorë, që janë me dhjetëra e qindra dhe tek përzierjet dhe kombinimet e tyre sipas rastit, llojit të sëmundjes dhe shkallës së sëmundjes, ky specialist i shëndetit publik, shikon, gjen dhe rekomandon mundësitë e një shërimi sa më të shpejtë dhe sa më të plotë të pacientëve, që vuajnë nga sëmundjet e shumta, që nga virozat dhe infeksionet e zakonshme deri tek sëmundjet më të rënda.

Me kohë hobin e tij e ka kthyer në një mënyrë për të mbijetuar, në një punë plot pasion e përkushtim, në të cilën e ndihmojnë tre njerëzit e tij më të afërt, bashkëshortja e tij Fatimja dhe djemtë Alberti dhe Besarti.

-Është e gjithë familja në dispozicion të pasioneve të mia, -thotë Petriti duke qeshur, teksa ndez për qejf një cigare, tymi i së cilës mbështjell me hije e mister shtëpinë e tij të kthyer në një farmaci gjigande. Ata m’i dinë huqet dhe përpiqen që t’i shërbejnë pasionit tim, jo vetëm se me të lidhet jeta ime, rinia dhe të gjitha ditët që kam kaluar deri tani, por dhe se kjo është puna jonë, mbijetesa familjare”.

Njerëz si Petriti që e kanë nisur nga hiçi, që megjithëse të arsimuar kanë bërë punë të rëndomta për të jetuar, dinë që dijet, përkushtimin dhe pasionin e tyre ti vënë në shërbim të njerëzve në nevojë, të të sëmurëve dhe të të pamundurve, që shikojnë tek mjekësia alternative një mundësi për shërimin dhe përmirësimin e jetës së tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat