Demonstrimi i sotëm, si një ofertë cinike

Opinione

Demonstrimi i sotëm, si një ofertë cinike

Nga: Mero Baze Më: 23 mars 2019 Në ora: 19:56
Mero Baze

Thelbi i krizës së sotme politike është pafuqia e opozitës për të fituar dhe zhvillimet dëshpëruese për të, lidhur me Reformën në Drejtësi. Për të zgjidhur këtë krizë, minimalisht duhet ti heqim opozitës dy frikëra të mëdha, frikën nga humbja dhe frikën nga drejtësia. Frika nga humbja, është kryesisht problem i Lulzim Bashës, ndërsa  frika nga drejtësia, që ka qenë dhe promotor i krizës, është problem i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Kjo e dyta as negociohet dhe as ka shanse të përdoret për zgjidhjen e krizës, pasi nuk është as në dorë të Edi Ramës, por të Perëndimit që po kontrollon dhe monitoron Reformën. Në dorë të Edi Ramës është oferta politike.

Në këtë pikë ajo që bëri Edi Rama sot në Tiranë, është një axhendë e tij, një demonstrim i fuqisë së shumicës, e cila vlen për të treguar se celsin e krizës e ka ai në dorë, ashu sic vlen për të treguar se me rrugën nuk ka shans askush ta mund.

Hapja e fushatës elektorale për Tiranën, pas Kongresit elektoral të socialistëve, thjesht e bën më të pashpresë fitoren e opozitës.

Për të kuruar frikën e opozitës, për ta bërë atë të ndjehet konkuruese dhe me shpresë në jetën politike të vendit, natyrisht një recetë e mirë do të ishte modestia. Një akt njerëzor ndaj opozitës, do të ishte të mos bëhej miting gjigand si ky i sotmi, të mos demonstrohej fuqia e pushtetit dhe të silleshin si njerëz të mundshëm, për tu konkuruar. Është pak a shumë ajo që Edi Rama bëri përballë revoltës së studentëve në Dhjetor, kur u bë pjesë e betejës së tyre, u përball me ta, u fye nga ata , i bindi ata dhe në fund i bëri pjesë të ndryshimit për Universitetin.

Por askush nuk mund tia heq të drejtën Edi Ramës të demonstroj sa i fort është, siç bëri sot. Në kushtet kur opozita po përqëndrohet vetëm tek dhuna, tek terrori fizik personal ndaj individëve që i kanë ikur nga rreshti dhe tek beteja me Perëndimorët, një demonstrim i tillë i fuqisë politike të shumicës, është një shuplakë dëshpëruese për të., që tejkalon shiringat e bojës, çizmen, apo kapsollat mbi kokat e policëve.

Ndaj nuk ka shumë vlerë të flasim për ofertën reale të Edi Ramës për opozitën. Nuk ka vlerë fakti që ai ëhstë gati të votoj reformën zgjedhore pikë më pikë, siç e propozon OSBE / ODOHR, nuk ka vlerë nëse premton dhe garanton transparencë në zgjedhje dhe shanse të barabarta në to. Fuqia e demonstruar sot, është e frikëshme dhe djeg çdo ofetë. Opozita e kupton që nuk ja del dot kësaj ushtrie njerëzish të angazhuar politikisht, e cila është ushria më e madhe paqësore që ndonjë forcë poltike ka mbledhur këto 30 vjet për të treguar që jemi këtu.

Sot nuk ja vlen të flasim për ofertën e Edi Ramës për opozitën. Sot ai nuk ishte i vedosur ti shtrinte dorën dhe as ta bindënte atë të hynte në zgjedhje, por thjeshtë ti tregonte diferencat. Ishte më shumë nëj shpullë se sa një shtrirje dore.

Kjo e sotmja më shumë tregon se dialogu është larg dhe përpjekjet për ta bërë opozitën të besoj tek gara  , janë vite drite larg. Kjo e sotmja ishte një sinjal se nëse do vazhdoni me forcë, do përballeni me forcën. Dhe kjo do të jetë një humbje afatgjatë për opozitën por dhe për vendin.

Por nga ana tjetër është shumë e vështirë që sot Edi Ramës ti kërkosh të jetë modest, të ndjehet i përulur dhe ta bëj opozitën të ndjehet i barabartë me të. Ai ka disa muaj që përballet me dhunën e saj, me djegien e mandateve dhe me krijimin e një precedenti historik, që do të destabilizonte, jo vetëm Shqipërinë, nëse pranohej, por krejt rajonin, ku opozitat nacionaliste dhe proruse,  po rrijnë në rrugë për të prodhuar kriza sistemi.

Edi Rama më shumë se sa për të zgjidhur krizën, sot demonstroi forcë, për të treguar se pa atë dhe partinë e tij, në këtë vend askush nuk mund të vendos në rrugë. Fuqia e tij sot, është një ofertë cinike për opozitën, por atij vetëm ajo i ka mbetur.

Kur opozita të bindet të ulet në dialog, kur të pranoj këtë fuqi të kundërshtarit  dhe gjendjen e saj aktuale, mund të shikojmë shenjat e para të paqes. Aq më tepër këtë klimë e përkeqësojnë ata, që duan të thonë se sheshin e mbushi pushteti.

Në fakt sheshin e mbushën socialistët që janë edhe në pushtet. Ata kanë plot pakënaqësi ndaj Edi Ramës, plotë mërzi nga lufta e klaneve dhe betejat e brendëshme në pushtet, plot mërzi me hajdutët e tyre, por ata i ka bërë bashkë më shumë se kurrë këto dy muaj, akti i luftës së papërgjegjshme të opozitës.

Edi Rama nuk kishte kurrë shanse ta bënte këtë miting në Nëntor apo Dhjetor. Nuk kishte shanse, pasi përballë ai kishte njerëzit e tij të mërzitur dhe të lodhur nga pushteti gjashtëvjecar. Fal marrëzisë së opozitës, fal djegjes së mandateve, fal përpjekjes për të minuar sistemin, fal dhunës së tyre dhe ndjesisë së çuditëshme që kanë, sikur janë të fort, fal betejës së tyre të çmendur kundër Perëndimit, socialistët i janë rikthyer Edi Ramës falas, pa kushte dhe pa mëdyshje përball opozitës.

Është një ironi e madhe e fatit, por është e vërtet se të vetmit që mund të rehabiltonin autoritetin e plasaritur të Edi Ramës në vjeshtën që shkoi, janë opozitarët tanë dhe aktet e tyre revolucionare. Janë ata që sdi kush ua ka mbush mendjen që bëjnë si të fortë dhe trima, përballë një shumice të heshtur qytetarësh në vend, që mjafton fytyra e sterrosur e Sali Berishës, që kërkon prap pushtet, mjafton pafytyrësia e djalit të tij, që tani duhet të ishte në burg, dhe fytyrat e shumë idjotëve që kanë dal në krye të revolucionit,  për të cilët populli u gëzua që i rrëzoi me 1 milionë vota më 2013,  për ti dal për zot Edi Ramës. Një energji e çuar dëm vetëm për karshillëk. Qoftë dhe në rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat