Shqipëria dhe Kosova, dy shtete sovrane me pushtete profane!

Opinione

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete sovrane me pushtete profane!

Nga: Dedë Preqi Më: 24 mars 2019 Në ora: 12:51
Dedë Preqi

Nëse kemi parasysh dy shtete me shumicë shqiptare, sikur që janë Shqipëria dhe Kosova, padyshim vërejmë se jemi para  një fuqie dhe vullneti të shumicës, sovraniteti i të cilëve merr edhe formën e pushtetit të shumicës, duke pranuar dhe respektuar të gjitha të drejtat e pakicave që gjinden brenda territorit të tyre.

Prandaj, nëse e kemi parasysh këtë gjë, duhet edhe ta provojmë dhe ta përjetojmë, qoftë edhe si një kërkim për një qeverisje më të mirë, duke gjet një figurë apo figura të sinqerta dhe serioze, për të udhëheqë shtetin. Edhe pse nganjëherë na duket se gjetëm figurën e duhur, por kjo ndodh vetëm kur në themel të kërkimit kemi venë kritere të drejta të veprimit shoqëror e politik, kritere të kulturës njerëzore dhe të besimit.

Koha që kemi përpara në lidhje me këto çështje po na jep qartësi të frikshme dhe na kërcënohet me joshjet e veta, të cilën e kanë krijuar njerëzit e pushteteve që kanë mangësi diturie dhe ndërvepruese për të udhëhequr pushtetin dhe shtetin, energjia e të cilëve shpenzohet për qëllimet e tyre egoiste që shumë pak kanë prirje  në zhvillimin dhe ndërtimin e vendeve  dhe në përmirësimin e mirëqenës qytetare.

Edhe shteti e merr domethënien e vet të vlerave, përmes njeriut të ndërgjegjshëm që merr mbi vete përgjegjësinë për të udhëheqë shtetin, dhe që i jep llogari secilit qytetar të vendit. Pikërisht këtu qëndron edhe krenaria e një udhëheqësi të vendit, aq më shumë shtohet kjo krenari kur qytetari i vendit të nderon dhe të përgëzon për perspektiven dhe mirëqenien e vet qytetare.

Nuk duhet të anashkalojmë optimizmin, por është diçka në thellësi të kësaj çështje, intimiteti i secilës është i zbuluar, apo nuk është i zbuluar akoma, i cili po ndikon në çrregullimin e marrëdhënieve në mes këtij kombi, që nuk po mundet, apo nuk po dinë me qeverisë vetveten.

Çfarë lakmie do marrim sot nga udhëheqja e kryeministrit të Shqipërisë dhe çfarë do marrim nga udhëheqja e kryeministrit të Kosovës??

Mjafton të shohim ditë përditë tubimet e qytetarëve të revoltuar para Parlamentit shqiptar, të cilët së paku kanë një hall të tyre, kanë diçka për të thënë dhe për të demonstruar se në një udhëheqje të tillë, të një pushteti të korruptuar, të dirigjuar nga droga dhe mafia e saj dhe një pushteti që vijimin e mashtrimeve dhe divergjencave të tilla e mbron nëpër gjykata, kërkohet një urgjencë e domosdoshme, dhe një pushteti të tillë duhet të i gjindet ilaçi, duke organizuar zgjedhje të reja.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqjen e qeverisë së Kosovës, duke përjetuar momentet më të pa favorshme dhe më kontradikte, diçka e pa kuptueshme dhe ogurzeze, nga udhëheqja e individëve që kanë më shumë përvoja të luftës, dhe në këto rrethana edhe pushteti është i lidhur nga zingjiri i njerëzve të tillë në qeverisje, e cila përditë e më shumë e merr peshën e vet negative.

Nuk ia vlen të diskutohet për nivelin dhe krijimin e një riorganizimi të ri, apo të presim ndonjë  qeverisje sukseseve nga qeveritë dhe udhëheqjet e tilla me udhëheqës të këtij rrafshi të gjymtë politik dhe pushteti gjysmak, kur kemi me qindra akademik shqiptarë dhe njerëz të karrierës, të cilët dallohen edhe me njohuri shkencore, për të marrë timonin e qeverisjes. Nuk ka arsye dhe as frytshmëri që më heqë populli dhe shteti për shkak të këtyre praktikave të dështuara, duke marrë parasysh se përballë vetës kemi plot sfida dhe rreziqe që nuk mund të tejkalohen në këto kushte.

Shqiptarët kurrë më mirë nuk kanë qenë më të liberalizuar se në këto periudha, do të thoshte një mik, apo edhe një armik i yni, por në një këndvështrim më real dhe më të përpiktë do të thoshte se, kurrë shqiptarët nuk kanë rënë më poshtë se sot, dhe asnjëherë nuk janë abuzuar më keq nga vetvetja se në të tanishmen, sikur ta kishte braktisur ndjenja morale dhe ndjesia e njeriut të veçantë.

Shteti nuk ekziston për hirë të individit, por për hirë të popullit dhe atëherë përçka populli i nënshtrohet pushtetit dhe individëve që ushtrojnë  pushtetin e korrupsionit, pushtetin e drogës, pushtetin e krimit, pushtetin e zgjedhës dhe pushtetin e kundër ekzistencës së tij dhe më në fund, të gjitha këto karaktere negative bëhen të pa drejta në emër të demokracisë.

Do të ishte pakëz më vështirë të flasim për diçka që ka zënë fillin e saj të shtetit, sikur që është Kosova, por kur flasim për Republikën e Shqipërisë, e cila i ka kaluar njëqind vjet pavarësi dhe akoma nuk është në gjendje ta udhëheq dhe ta zotëroj si duhet vendin e vet, nga e cila ka pritë shumë edhe Kosova, mbas pavarësisë së saj, që të shkëmbejnë përvoja të mira shtetërore me njëra-tjetrën, por për fat të keq, përshtypjet janë ato që janë, të cilat e tregojnë gjendjen reale të njërës dhe tjetrës.

Çfarë ka mbetur e pa cenuar, në rend të parë shteti juridik e ka humbur fuqinë e vet ekzekutive dhe ligjore, nga papërgjegjësia dhe ndërgjegjja e pushteteve të tilla?  A mos vallë krimi i organizuar, korrupsioni, droga, nepotizmi, qëndrojnë mbi shtetin ligjor, dhe janë bërë një qëndrim e një hallke të vazhdueshme, që nuk vihen fare nën kontroll përmes forcës së ligjeve, por e marrin formën e tyre edhe më të shëmtuar, duke e dirigjuar shtetin dhe fatin e këtij populli.

Deri kur të kemi pushtete të tilla që nuk përcaktohen nga përgjegjësia morale dhe nuk kontrollohen nga respekt i thellë njerëzor, që do të thotë ekzistenca e tyre pa ekuilibruar dhe përmbajtje ligjore, shkakton defekte të rënda  shtetërore dhe në këtë mënyrë shkatërron edhe njerëzoren pa mëshirë.

Kryeministër Edi Rama, largohu vet dhe mos e ngritë kokën me këtë trajtim të shtetit shqiptarë, të tregosh interesat e popullit dhe shtetit, përkundrazi qëndrojnë faktet dhe qëndrojnë modelet e juaja të shëmtuara, të cilat në këtë mënyrë nuk e ndërtojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e këtij populli, por e degradojnë dhe e rrezikojnë sovranitetin e këtij shteti dhe këtij populli.

Kryeministër Ramush Haradinaj, keni merita të mëdha për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por këto merita mos i ço dëm në luftën e lirisë dhe demokracisë së këtij populli, sepse ky popull është mjaftë i ndjeshëm dhe i lënduar, prandaj me pushtetin e juaj duhet të afroni mundësi tjera dhe të reja, sipas të cilit gjithçka do të lëvizte drejt një pikësynimi tjetër për zgjedhjen e problemit të këtij populli dhe këtij shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat