Masakrat e Krushës së Madhe dhe Anadrinisë janë krime të pandëshkura!

Opinione

Masakrat e Krushës së Madhe dhe Anadrinisë janë krime të pandëshkura!

Nga: Haki Latifi Më: 26 mars 2019 Në ora: 10:35
Haki Latifi

Masakra e Krushës së Madhe 20 vjet më parë, është një nga masakrat më të turpshme me përmasa gjenocidi e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.
Në këtë fshat, nga forca e armikut, janë vrarë dhe masakruar mbi 400 civilë, 241 nga Krusha e Madhe, kurse të tjerët nga fshatrat përreth. 
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

Ata ranë në altarin e lirisë për të qenë dëshmorë e martir të kombit. Me jetën, gjakun dhe veprën e tyre, ata i shtuan historisë sonë një faqe të re, një faqe të lavdishme e cila në kujtesën e brezave të ardhshëm do të jehojë zëshëm si porosi jetësore se si duhet jetuar e si duhet vdekur, duke mos pranuar robërinë.

Të pafajshëm ishin që të gjithë, jo vetëm në Krushë të Madhe, në Anadrini dhe në gjithë Kosovën, që u masakruan pamëshirshëm. Krushjanët dhe zemra e familjarëve të vrarë qëndron e ftohtë sot e atëherë, që nga kriminelët serbë askush su dënua !
Martirët dhe dëshmorët janë drita e lirisë, Ata janë themeli i pavarësisë, Ata janë arsyeja pse ne sot jetojmë të lirë, Ata janë feniksët e këtij dheu, Janë më të dashurit tonë, janë simbol i këtij atdheu.
Nuk ka detyrë më të rëndë se të flasësh për ata që jetën e tyre e shkruan me gjakun e tyre dhe që sot na flasin me mungesën e tyre.
Siq dihet, krimet në Kosovë ishin të planifikuar dhe u kryen në emër të një plani kolektiv shtetëror të Serbisë, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar "Potkovica" - Plani "PATKOI! 
Vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegjja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërgulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale - spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Pra, krimet dhe gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror serbë, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar "Potkovica" - Plani "PATKOI". 
Krusha e Madhe dhe Anadrinia nuk kishte faj as atëherë kur iu krijua plaga .
Krusha e Madhe dhe Anadrinia nuk ka faj as tash kur u ngacmohet ajo plagë.
Lavdi për gjithë martirët dhe dëshmorëve e Krushës së Madhe!
Rënia e tyre u bë motiv shtesë për brezat që kishin ideal çlirimin e Kosovës.
U qoftë i lehtë dheu i Dardanisë antike!

26 mars 2019
Haki Latifi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat