Ikja si pasojë e nepotizmit

Opinione

Ikja si pasojë e nepotizmit

Mirsad Voca Nga Mirsad Voca Më 28 mars 2019 Në ora: 22:37
Foto ilustrim

Shoqëria e Kosovës mbetet e kapluar masivisht nga grupe politike mafioze dhe nuk ka ndonjë shpresë se kjo garniturë politike do të ndryshohet për një periudhë të pacaktuarë.

Mendohet shpesh se aty ku orientohen të mirat materiale apo parat, aty natyrisht ka dhe zhvillim. Në Kosovë ndodh e kundërta. Nëse shikohet se ku është investuar që nga paslufta e deri më sot, nuk do mendje, do të shihet thjeshtë dhe qartë se çfarë zhvillimi ka pësuar vendi. Janë pasuruar e zhvilluar vetëm grupe politike siç ua do atyre qejfi.

Krahas korrupsionit, servilizmit dhe nepotizmit në vend, në masë të madhe ka edhe keqmenaxhim të paskrupullt. Pa humbur kohë në renditjen e mbrapshtë të investimeve, në Kosovë bëhen shpesh edhe investime të duhura si për shembull në arsim apo shëndetësi mirëpo injorohet ndoshta plotësisht drejtimi se si dhe ku duhet tē investohet. Menaxhimi i projekteve nacionale deri tani ka dështuar. Për shembull, nuk mund të ketë zhvillim në pikën B pa u investuar në pikën A. Nëse investohet, ta zëmë, në arsim në ndonjë projekt për ngritjen e cilësisë dhe prapë cilësia qalon problemi duhet të kërkohet tek personat që kanë organizuar, projektuar e ekzekutuar projektin.

Fokusimi do të duhet të ishte në pikën A në mënyrë që fillimisht të përforcohet themeli i projektit e pastaj të kalohet tek pika B. Thënë shkurt, aktualisht vendi gjendet në një situatë regresi, dhe jo vetëm stagnimi pa ndonjë shpresë për shkak se mungojnë mekanizma të mirëfilltë ekzekutues.

Në Kosovë, zhvatja e kapja e Shtetit, ka bërë që të mungojnë menaxher kompetentë, projekt ekzekutes të mirëfilltë, drejtorë kreativ, njerëz me vizione.

Nëse u lihen në dorë, sikur deri më tani, projekte me peshë kombëtare siç është Arsimi, Shëndetësia, Mjedisi etj, njerëzve jo kompetent, sharlatanëve, e mafiozëve natyrisht që projekti dështon që në fillim dhe njëkohësisht edhe ngritja e cilësisë.

Problemi qëndron në atë se partitë politike në aktuale dhe në Pushtet si duket nuk e kanë prioritet zhvillimin e mekanizmave të mirëfilltë ekzekutues. A priori dhe ligjërisht ata ekzistojne mirëpo vetëm figurojnë sipërfaqësisht sa për tu mbuluar përball administratës e ligjit shtetëror.

Në institucionet e Kosovës lirisht mund të konkludohet se «shërbyesit e Shtetit» janë shëndrruar në « servilët e Pushtetit». Njerëz të tillë servil i ke kudo dhe plotë, nga doktori te profesori univerzitar, nga korieri deri tek drejtori i Shkollës, nga biznesmeni deri tek punëtori i thjeshtë.

Përmes një politike populliste ka patur një politizim të thellë të shoqërisë dhe ata që janë jashtë këtyre grupeve të interesit, janë ose të varfër ose të përbuzur, ose të shantazhuar ose të mlleffosur e të rraskapitur nga ky sistem i cili po sjellë vetëm varfëri intelektuale, regres politik, social e ekonomik.

Dhe nga e tërë kjo rrethanë politike, jashtëzakonisht e degraduar, po ndodhë sistematikisht dhe masivisht Ikja e popullatës.

Ikja

Nga viti 2015 e deri me tani nga Kosova kanë ikur mbi 170 mij persona. Një ikje e tillë është më tepër se dramatike për një shoqëri që ka rreth 1.7 milion banorë. I bie që Kosovën e kanë braktisur sigurisht ose më shumë se 10% të popullatës vetëm këtyre viteve të fundit.

Kjo përbën një shifër marramendës për një vend që për qëllim ka integrimin në gjirin e BE ku për t’u integruar do të duhej që Kosova të krijojë kushte ekonomike të krahasueshme me vendet anëtare.

Ndërsa ikja po bëhet pikërisht për shkak të kushteve të mjerueshme politike e ekonomike në vend, qeverisë i ngutet duke kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Në njërën anë, jam absolutisht për liberalizim vizash mirëpo vetëm mbi parimin e lirisë së qarkullimit.
Në anën tjetër, Qeverisë aktuale, e përbërë nga grupe interesi, klanesh dhe mafioze, sigurisht që mund t’i konvenoj një zbrazje edhe më e thellë e vendit e sidomos të të rinjëve padyshim si e ardhmja e Kosovës.

Me këtë lloj politikbërje, tani e qartë për shumëkënd, krijohen rrethana të favorshme për zgjatjen e jetës politike të grupeve klanore e mafioze në Kosovë për këto arsye :

-Kjo ikje e zbut fillimisht çështjen e papunësisë,

-Në opinion kjo mund të shihet edhe si punë e mirë nga ana e Pushtetit

-Me ikje të popullatës edhe remitencat nga diaspora do të rriten,

-Sektori privat dobësohet edhe më shumë pas ikjes

-Dhe kështu do të përforcohet edhe më tej ky lloj monopoli në sektorin publik ku të gjithë do të kërkojnë punësim.

-Dhe meqë sektori publik bëhet sigurisht sektori i pakonkurrencë për punësim, grupeve politiko-mafioze iu përforcohet edhe më tej pozita për të vazhduar me pushtetin, zhvatjen dhe zhbërjen institucionale të Kosovës.

Pushteti ka bërë dhe po bën një lojë hipokrite të paparë duke patur parasysh se njëkohësisht bën thirrje për mosikje nga vendi dhe i njëjti pushtet i rehaton familjarët duke i punësuar në pozita të larta dhe tjera të ndryshme. Pastaj, duhet ta theksojmë po ashtu se vendi ka edhe vende të lira pune mirëpo këto vende mbahen shpesh nga i njëjti individ (shih rastin e kryeprokurorit të Shtetit, shih ministrat, etj) duke mbajtur të kapura deri në pesë apo gjashtë pozita pune.

Këto grupe klanesh e mafioze, nuk dijnë, nuk dojnë dhe injorojnë plotësisht zhvillimin e mirëfilltë të vendit, pra interesin e përgjithshëm.

Prioriteti do të duhej të ishte thirrja për zhvillim të brendshëm dhe jo të kërkohet kaq shumë liberalizimi i cili nuk po ndodh për shkak se Shoqëria nuk e mertion mirëpo për arsye se vendi nuk po tregon shenja të zhvillimit ekonomik, të luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Barra për liberalizim vizash i mbetet pa asnjë dyshim këtyre që kanë kap pushtetin.

Ky mjerim ekonomiko-politik e social po ndodh fatkeqësisht për shkak të kapjes së Institucioneve më të larta shtetërore nga njerëz sharlatanë, mafioz, injorantë, servilë, të papërgjegjshëm sepse nuk kanë intencë ta kuptojne përgjegjësinë si sakrificë për t’i shërbyer Shoqërisë por si një pozitë nga e cila ata pasurohen duke u shëndrruar në milionerë brenda periudhave paimagjinueshëm të shkurtra. Duke u nisur nga kjo paradigmë këta individë e grupe janë të bindur se Shteti qëndron mirë sepse ata vet qëndrojnë bukurmirë. Siç duket ata e identifikojnë vetveten me Shtetin edhe pse janë të vetëdijshëm që e kanë kap Pushtetin kurse Shtetin e kanë denigruar thellë.

Të jesh në Pushtet nuk nënkupton se mund dhe duhesh ta shpërdorësh atë për interesa personale e klanore dhe një qëndrim i tillë politik të cilin e përqafuakanë shumica e grupeve partiake e politike në Kosovë duhet absolutisht të marrë fund në mënyrë që Shoqëria, Kombi të frymojë më shumë demokraci, zhvillim e prosperitet. Ai që ka pushtetin dhe që është në shërbim të Shtetit nuk do mend se duhet t’i shërbej Shoqërisë dhe vetëm Shoqërisë, kjo do duhej të ishte intenca primordiale e çdo figure politike që mëton ti futet këtij profesioni i cili do të duhet të konsiderohej më shumë si sakrificë për Shtetin e Kombin e jo sikur një pasurim e rehati personale, familjare, klanore e partiake. Megjithatë, kjo situatë zhgënjyese dhe e brishtë, nuk duhet pritur të ndryshoj nga po të njëjtit që e krijuan atë.

Autiori PhD në Marrëdhenie ndërkombëtare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat