Kryeministër, bëhu burrë, shkarkoje Pal Lekajn sikurse Vesna Mikiqin!

Opinione

Kryeministër, bëhu burrë, shkarkoje Pal Lekajn sikurse Vesna Mikiqin!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 29 mars 2019 Në ora: 15:12
Nehat Shaqiri

Kryeministri Ramush Haradinaj, e tregoi forcën e tij ndaj zëvendësministres serbe, Vesna Mikiq e cila deklaroi se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Haradinaj brenda 24 orëve, arriti që ta mbledhë gjithë forcën e tij ndaj Mikiqit, e cila ishte pjesë e Listës Serbe në Kuvendin e Republikë së Kosovës.

Shkarkimi i saj, i dha një forcë Haradinajt, madje morri edhe përkrahje të madhe prej qytetarëve dhe shumë deputetëve dhe përfaqësuesve të popullit.

Mirëpo këtë forcën dhe trimërinë e tij, Haradinaj duhet të tregoj edhe me ministrat e subjektit të tij, në këtë rast ndaj Pal Lekajt, i cili dyshohet për zhvatje të milionëve me vendimin për Bechtel Enkën.

Por, zhvatja e milionëve nuk është gjë e madhe për këtë Qeveri dhe koalicionin e saj, atëherë Lekaj duhet të shkarkohet për deklaratën e tij ndaj ambasadorit të Zvicrës në Kosovë.

Ne e dimë se shkarkimi për zhvatje të pushteti në Kosovë është i pamundur, të paktën derisa t’i bëjnë kah 2-3 milionë sikurse Xhavit Haliti. Por dikush prej tyre ka bërë dhjetëra milionë dhe sot vazhdon të punoj nëpër institucionet e Republikës së Kosovës, madje edhe “shesin” mend tek populli sikurse të ishin  “pejgamberë”.

Duhet me ia rikujtua kryeministrit se “trimërinë” e tij nuk mundet me shitë vetëm ndaj serbëve, por duhet me pas pak guxim edhe ndaj bashkpartiakëve të tij, të cilët bëjnë deklarata të pamatura ndaj miqve tanë ndërkombëtare, deklarata këto që mund të rrezikojnë raportet Kosovë-Zvicër apo cilindo shtet tjerët që ka dhënë kontribut për Kosovën.

Haradinaj gjatë ditës së djeshme, bashkëpartiakët e tij, përsëri e ngritën në “qiell” pasi ligji për ndalimin e lojërave të fatit u votua në Kuvendin e Kosovës. E ky vendim nga shumë përfaqësues politik është quajtur hap i mirë për Kosovën dhe vet Ramush Haradinaj, pasi gjithmonë është kritikuar se qëndron pas lojërave të fatit dhe kazinove në Kosovë.

Por, as kjo nuk e bënë më “trim” Haradinajn ndaj Pal Lekës.

“Leka i Madh” kështu është quajtur ministri i Infrastrukturës, i cili morri guximin e tij të kundërshtoj një mik të madh të Kosovës, ambasadorin zviceran, shtet ky që mbanë mbi 300 mijë shqiptarë dhe ka ndihmuar Kosovën me të gjitha kapacitetet e saj, që sot ne të jetojmë në paqe dhe në liri.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në Skenderaj ishte treguar i ashpër për numrin e madh të veteranëve, ku shtoi se nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Por nuk ishte vetëm kjo, ambasadori kritikoi institucionet e Kosovës edhe për numrin e madh të shërbyesve civil, ku deklaroi se numri i tyre është tri herë më i madhe se në vendet e rajonit.

E ndoshta ndaj numrit të madh të veteranëve është prekur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është i bindur se në Kosovë kanë qenë rreth 60 mijë veteranë.

Nëse, Haradinaj e shkarkon Pal Lekajn, natyrisht se do të binte një barrë edhe ndaj vet kryeministrit, nga i cili u shtuan shumica e veteranëve në Kosovë, e normalisht kjo do ta qitke para aktit të kryer se në Kosovë nuk ka më shumë se 13 mijë veteranë të vërtetë të luftës çlirimtare të Kosovës.

Ramush Haradinaj dhe familja e tij kanë dhënë kontribut të madh dhe janë ndër familjet e rralla në Kosovë, pas familjes së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij, që luftuan karshi okupatorit serb. Mirëpo, trimërinë e treguar në luftë së bashku me vëllezërit dhe familjen e tij, e tregoi edhe ndaj Mikiqit ku e shkarkoi për një fjalë. E ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa shkarkimin edhe të ministrit Pal Lekaj për deklaratë fyese ndaj ambasadori të Zvicrës në Kosovë.

Andaj kryeministër, bëhu burrë, shkarkoje Lekajn dhe tregu trim në paqe ashtu siç ishte edhe në luftë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat