Vlerat e arsimit dhe sfidat e përditshme

Opinione

Vlerat e arsimit dhe sfidat e përditshme

Nga: Xhevahire Krasniqi Podvorica Më: 30 mars 2019 Në ora: 14:59
Xhevahire Krasniqi Podvorica

“Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”

Një konstatim i këtillë i Naim Frashërit, i shqiptuar mëse njëqind e njëzet vjet më parë, më së miri e ilustron dhe determinon rolin, rëndësinë dhe fuqinë që e sjell arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj po edhe i popullatës në përgjithësi. Duke u nisur nga ky konstatim dhe nga të mirat evidente të cilat arsimimi i drejtë pa dyshim i ka sjellë dhe vazhdon të sjellë për një shoqëri të shëndetshme, përparimtare dhe me synime të qarta për të ardhmen e vet, konsideroj se kësaj qështje dhe kësaj fushe, si ndër më të rëndësishmet të shoqërisë sonë, duhet kushtuar një vëmendje më e madhe dhe një qasje më serioze.

Shikuar historikisht, nga e kaluara e jonë e vështirë por edhe duke biseduar me familjarë e miq të moshuar, vetëranë të arsimit, mësojmë për  vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar arsimi shqip në Kosovë, duke e ndarë fatin me të gjitha veprimtaritë tjera politike, shoqërore e ekonomike të vendit. E gjendur në situatë kur shqiptarët e Kosovës nuk vendosnin gjithmonë për fatin e tyre, ata, ndër vite qenë të detyruar të gjejnë zgjidhje e mundësi tjera alternative për arsimimin e shkollimin e fëmijëve të tyre.

Këto ditë takova një të moshuar i cili kujtonte ditët e para pas Luftës së Dytë Botërore dhe në Kosovë kishin arrijtë abetaret e para, të cilat ata i blenin me nga një vezë që ua jepte gjyshja ose duke shitur kallijtë e grurit të mbledhur nëpër arat e korrura. Pastaj u botuan abetaret e para në Kosovë dhe kështu me radhë deri te themelimi i Universitetit, Akademisë së Arteve dhe Shkencave, Institutet e institucionet tjera arsimore, shkencore, kulturore… Sot, kur tanimë jemi të lirë dhe për fatin tonë vendosim vetë, me gjithë mangësitë e atë këtushme, për të cilat prapë fajin e kemi ne, gjërat kanë ndryshuar për së mbari; tanimë të gjithë shkollohen, brenda dhe jashtë Kosovës, në bazë të mundësive që kanë dhe zgjedhjes që bëjnë, kudo në rajon janë hapur institucione të larta arsimore e shkencore në gjuhen shqipe ndërsa veprimtaria botuese ka shpërthyer gjithandej. Mu për këtë arsye, këta tregues pozitiv dhe këto trende të mbara që po zhvillohen këtu te ne dhe kudo në trojet shqiptare, janë indikatorë dhe sinjal i mire se edhe ne më në fund kemi krijuar kushte për tu renditur përkrah vendeve me sisteme më të avansuara arsimore e shkencore.

Duke shetitur shpesh në Shqipëri me familjen time dhe në Maqedoninë e Veriut ku po përfundoj studimet e doktoratures, me sa vërej vetë, por edhe gjatë bisedave me miqë të shumtë gjithandej, vërej se kushtet e punës këtu te ne janë shumëfish më të mira, qofshin këto për arsimtarët po ashtu edhe për nxënësit. Infrastruktura rrugore dhe transporti deri në shkollë është në nivel të mirë, shkollat në të shumten e rasteve të meremetuara e me pajisje solide për zhvillimin e mësimit, pagat të cila realisht janë më të larta se në këto dy shtete fqinje dhe një sërë faktorësh tjerë duhet të jenë motivues për një angazhim më të madh në punën tonë.

Gjithsei, një vështrim i përgjithësuar imi, gazetaresk dhe pa pretendime për tu konsideruar si një studim në bazë të ndonjë hulumtimi cilësor, kursesi nuk arsyeton mangësitë dhe veprimet devijante të cilat kanë ndodhë dhe vazhdojnë të kryhen në këtë fushë. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për anomalitë të cilat ndër vite po e përcjellin arsimin këtu te ne, duke filluar prej nivelit parashkollor dhe deri te ai universitar. Megjithate, kushtet që këto devijime e anomali të evitohen dhe të zhduken tërësisht, janë krijuar dhe ato janë në duart tona. Duke filluar prej programeve të stërngarkuara, posaqërisht në arsimin fillor, për të vazhduar pastaj me kurikulat, numrin e orëve për nxënës,  korrupcioni në disa segmente të caktuara të arsimit të lartë, punësimet e avansimet pa kritere të besueshme, nepotizmi I theksuar e ndonjë anomali tjetër, janë vetëm disa prej dukurive negative me të cilat duhet të mirren organet kompetente, por, thënë në përgjithësi, ne nuk jemi edhe aq keq. Megjithëse mundemi edhe më shumë.

(Autorja është kandidate për doktorante në Universitetin shtetëror “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat