Tallja me komandantin: “Na ke çliru, na ke nimu, na ke ...”

Opinione

Tallja me komandantin: “Na ke çliru, na ke nimu, na ke ...”

Adem Breznica Nga Adem Breznica Më 30 mars 2019 Në ora: 18:10
Tomë Gashi, Nasim Haradinaj

Dje pasdite po prisja "taksi 1" për në Fushë Kosovë. Ishte diku pas orës 17:00. Policia ne udhëkryqin "Te Rilindja", drejtonin trafikun dhe nuk lejonin ndaljen e taksive e as të autobusëve, aty ku stacioni ende është i pa definuar. Kështu, ne si udhëtarë, u detyruam të zhdjergkëshim më poshtë, pikërisht para hyrjes kryesore të pallatit qeveritar. Nuk zgjati shumë, dhe një xhip i zi u ndalë thuajse tek këmbët tona.

Brenda tij dallohej qartë avokati i njohur Tomë Gashi. Ishte në sediljen e parme pranë shoferit. Vetura u ndal në trotuar, ndërsa Toma fliste në telefon. Policia e trafikut, me tiketa në duar, posa e panë 'zekanin' e ndalur kundërligjshëm (para hyrjes së pallatit), shpejtuan tek viktima qe po i sfidonte aq hapur.

Kur, në anën tjetër të rrugës, përballë Rilindjes, po shfaqet një tjetër personazh i njohur, po ashtu shkelës i ligjit. Po priste momentin e duhur për të prerë rrugën, aty ku nuk kishte zebra. Edhe ky ishte i kyçur në bisedë mobile, sakohë që shikonte përvjedhurazi anash dhe përballë.

Kur pa xhipin, ndërpreu bisedën. Shoku që kisha përkrah, me tha: qe ky..., a është ai... - Po, i thash. - Nesimi i veteranëve.

Ndërkohë që Nesim Haradinaj priste çastin të kalonte rrugën, policia e trafikut iu afrua 5-6 metra xhipit zekan. Në këtë trekëndësh skene, papritmas avokati doli nga dera e parme e veturës, ashtu për t'u parë nga të gjithë, duke i bërë shenjë Nesimit me fjalët përcjellëse: "hajde komandant, se na ke çliru, na ke nimu, na ke ...". Pastaj hapi derën e pasme të veturës dhe hyri përkrah komandantit. Sinjali në të majtë, dhe ia brofën diku (më vonë e mora vesh se paskan qenë në një debat televiziv).

Në tërë këtë skenë, policia shmangu nga duart bllokun e tiketave, e vuri nën sqetull atë, dhe vazhdoi rrugën teposhtë, sikur nuk shpejtonte për ta. Nuk iu kthyen më trafikut, por shkuan për të ndjekur krimin drejt kafeneve...

Sigurisht, skene interesante: xhipi i zi sfidon trafikun në sy të policisë; komandantit të shtyrë në peshë iu dhimbsen zebrat për t'i shkelur dhe trupon rrugën duke shmangur tiketat; dhe avokati e pret si shpëtimtar duke u tallur me të, tamam ashtu siç e bëjmë, thuajse të gjithë, jozyrtarisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat