Rreth pesëmbëdhjetë mijë vende pune më pak!

Opinione

Rreth pesëmbëdhjetë mijë vende pune më pak!

Nga: Dren Dushi Më: 1 prill 2019 Në ora: 09:43
Dren Dushi

Një kriminel ordiner, nuk ka rëndësi me apo pa uniformë policore, ish apo jo ish ushtar i UÇK-së, militant i një partie politike që, “nuk ka rëndësi” nëse është në pushtet apo në opozitë, qe bërë gati të shkoj e të marr ca (siç njihet në gjuhën popullore) “harraq”, në një kazino të Kosovës, kjo tentativë fatkeqësisht përfundoj me vrasjen e një punëtori, dhe pastaj me një veprim reaktiv të Kuvendit të Kosovës, që ka nxjerë një Qeveri si kjo, Qeveri banditësh.

Harraqi është një “dhuratë” e sundimit osman gati 5 shekullor në Ballkan, sidomos në trevat shqiptare. Përmes harraqit, sidomos ndaj jo-muslimanëve që në fillim ishin shumë, Perandoria osmane krijonte fonde për luftërat që i bënte në Azi, Afrikë e Evropë. Harraqi u bë gjë normale te shoqëria shqiptare nën perandorinë osmane pas një kohe të gjatë sundimi, me harraq mbahej sistemi, me harraq sundohej. Shqiptarët jepnin harraqe edhe për të siguruar tokat, religjionin e të parëve të tyre, madje edhe fëmijët e tyre, që fare lehtë mund të përfundonin të masakruar në ndonjë betejë në Ukrainë, Siri apo gjetkë.

Rreth 500 vite më vonë, gjejmë shoqërinë tonë që ende nuk ka braktisur mendësinë dhe “standardin” e harraqit. Parti politike me bazë feudale dhe fisnore, të sistemit të “zadrugës”(ky i fundit i marrë jo nga otomanët por nga serbët), vazhdojnë edhe sot këtë sistem/mendësi, pra vazhdojnë ende harraqin. Ato përmes harraqit financojnë “jeniqerët” e tyre, të cilët janë të gatshëm të shkojnë e dhunojnë biznese, të dhunojnë persona zyrtarë, qofshin ata edhe gjyqtarë e prokurorë, të kryejnë vrasje nëse nevojitet, të kërcënojnë gazetarë e publicistë, të shpallin UDB-asha ata që janë ndryshe nga ta, të vjedhin zgjedhje e të kërcënojnë ndërkombëtarët me destabilitet të vendit nëse këta të fundit nuk i amnistojnë.

Kështu vijnë te ditët e sotme, ngjarjet e sotme, përditshmëria jonë, e deri te rasti i tentim marrjes së harraqit në një kazino të Kosovës, ku për fat të keq humbi jetën një puntor i thjeshtë. Sipas disa burimeve jo të sigurta, rreth 15 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët nuk njohin banditë që kanë kapur shtetin, të cilët nuk janë klientelë servile pakurrizore, punojnë në lojërat e fatit. Lojërat e fatit lulëzojnë në vende si Kosova, vende nga të cilat pothuajse të gjithë duan të ikin, apo të provojnë fatin në bastore e kazino, por ekziston një sekret te ata që luajnë këto lojëra: Sekreti qëndron te çështja se kush luan më shumë në lojëra të fatit në Kosovë?

Po që se nisemi nga një logjikë e thjeshtë, del që klientela që luan këto lojëra është e përbëra nga dy grupe; grupi i të mjerëve që luajnë me nga një apo gjysmë euro, dhe grupi i “bijëve të baballarëve”, pra përgjithësisht bijve të ministrave, deputetëve, biznesmenëve të lidhur me parti politike, pra grupi i (përgjithësisht) elitës politike që dhunon shtetin dhe shoqërinë e Kosovës tash e dy dekada. Këta të fundit janë ata që financojnë lojërat e fatit në Kosovë, këta luajnë me nga njëqind euro dorën, këta i lënë në kazino edhe me mijëra euro për një natë, pasi të kenë mbushur hundët mirë. E kuptueshme kjo dekadencë për ta, nga të qenit varfnjakë në të bërit milionerë brenda një periudhe aq të shkurtër saqë vetëm fitorja në ndonjë lojë fati e mundëson, për ironi.

Nga studimet filozofike, psikologjike e sociologjike (antropologjike) si rrjedhojë, kuptojmë dekadencën e shoqërive të tilla, por kuptojmë edhe shfrenimin dhe sjelljen e natyrshme të shoqërisë. Darvini na mëson ca gjëra, që natyra ka ligje të pa cënueshme të cilat çdo krijese të saj i cakton rendin dhe vendin, dhe ka momente kur ky rend/vend modifikohet përkohësisht për tu kthyer prap në gjendjen e natyrshme standarde. Bijtë e baballarëve banditë, mund të jenë aksidentalisht tashmë milionerë, por ata këto para i shpërdorojnë shpejtë, nëse jo në kazino diku tjetër. Andaj kjo ç’farë ndodhi në Kosovë, është më shumë një mbrojtje për sojiin e bijëve të baballarëve se e qytetarëve të thjeshtë. Me shpjegime darviniane, bijt jepnin para te rreth 15 mijë punëtorë të thjeshtë që punojnë në lojërat e fatit, në mesin e të cilëve ka edhe intelektualë, që nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e klientelës që derivon këtë elitë politike me mendësi mesjetare.

Në mesin e këtyre 15 mijë punëtorëve në lojëra fati, ka edhe studentë që financojnë studime, familjarë që financojnë familje, të rinjë të dëshpëruar, të vjetër të dëshpëruar, të cilët mund të mbeten në rrugë meqë elita jonë politike mendon reaktivisht dhe jo aktivisht. Banditët nuk preken nga ndalesa apsurde e lojërave të fatit, ata do të bëjnë ndonjë dredhi siç dijnë të bëjnë dhe do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre me lojëra të fatit, vetëm se pas kësaj dredhie do të kenë edhe një përparësi, kapjen edhe të lojërave të fatit, pra kapjen edhe të këtyre 15 mijë punëtorëve për veshi, t’i bëjnë ata pjesë e klientelës politike. Nëse ndonjë inspeksion do të dalë t’i pengojë, banditët do të thërrasin ndonjë kunatë, mbesë, nip apo kushëri që e kanë punësuar në inspektorat, dhe puna kryhet, inspeksioni shkon dhe e mbyllë konkurrencën jo legjitime, dhe i lë të punojnë vetëm lojërat e fatit që janë pjesë e “llozhës”.

Si përfundim, mund të thuhet se lojërat e fatit po që kanë një fuqi financiare të madhe, ato financojnë edhe grupe banditësh, por kjo e keqe ka edhe dy të mirat e kuptueshme; punësimin e 15 mijë njerëzve dhe “mjeljen” e “bijëve të baballarëve” si lojtarët më serioz dekadentë.

Ajo ç’farë ndodhi së fundi me tentim “mbylljen” e tyre vetëm se do krijoj monopol, klientelë të re, eventualisht ç’taksim për një periudhë derisa të kryhet tranzicioni dhe punë në të zezën që do rrisë edhe më shumë papërgjegjësinë ndaj këtyre 15 mijë punëtorëve. Pra të gjithë fitojnë, që janë në politikë kuptohet, dikush ndonjë votë, dikush ndonjë biznes, dhe të gjithë humbin, që nuk janë në politikë, dikush ndonjë vend pune, dikush integritetin individual..., dhe stabiliteti vazdhon, për aq sa ka aditiv që hidhet në bukë, dhe e bën atë nga 20 centimetër në 50.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat