Çfarë po bëhet me Statujën monumentale të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu?!...

Opinione

Çfarë po bëhet me Statujën monumentale të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu?!...

Nga: Paulin Z.Zefi Më: 1 prill 2019 Në ora: 13:17
Skenderbeu

Me dt.12.03.2019, ditë e martë, ora 15:00, është zhvilluar mbledhja e parë e KKR(Këshilli Kombërar i Restaurimit) ku është diskutuar mbi projektpropozimin e Bashkisë së Lezhës në IMK(Instituti i Monumenteve të Kulturës), pranë Ministrisë së Kulturës. Si përfaqësues zyrtar nga ana e Bashkisë Lezhë ishim unë, Paulin Zefi, dhe Drejtori i Planifikimit Urban Z.Sokol Toma. Në këtë mbledhje përveç drejtoreshës së IMK, Znj.Arta Dollani dhe 5 anëtarëve të KKR, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të A.SH.A(Agjensia e Shërbimit Arkeologjik). Kërkesa jonë për ta vendosur Statujën monumentale të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në pjesën veriore të Sheshit "Gjergj Kastrioti", u hodh poshtë nga pjesa më e madhe e anëtarëve të KKR dhe përfaqësuesit e tjerë të Ministrisë së Kulturës me të vetmin argument se "aty është Zona A e Parkut Arkeologjik të Lezhës".

Ata, nga ana e tyre kërkuan që ne ta vendosim Statujën në hyrje të qytetit të Lezhës, pra te kryqëzimi i autostradës Tiranë-Shkodër me rrugën Lezhë-Shëngjin!... Kulmi i Groteskut!... Pas ndërhyrjes nga ana ime u ndez edhe debati në këtë mbledhje, sepse me këtë lloj "sugjerimi" i binte të talleshin me figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës së bashku me anëtarët e KKR "miratuan në heshtje" vendosjen e Statujës "diku në Sheshin Gjergj Kastrioti", por kurrsesi aty ku e kërkojmë ne, si Bashki e Lezhës. Më pas ndërhyri Z.Sokol Toma, i cili u kërkoi drejtuesve të lartë të Ministrisë së Kulturës që të vijnë dhe ta shohin në terren, sepse nuk mjafton vetëm gjykimi a-priori i planvendosjes që kemi depozituar në IMK dhe ASHA. Diskutimi vazhdoi të sillet rreth së njëjtës pikë, debatuam pak dhe mbledhja u zgjat në kohë, por përsëri nuk u arrit në një vendim përfundimtar. Sidoqoftë, anëtarët e KKR pranuan që statuja të vendoset në Sheshin "Gjergj Kastrioti", por kurrsesi aty ku e kërkojmë ne. Prandaj mbledhja u shty dhe takimi i rradhës u la për ditën e nesërme me dt.13.03.2019 në orën 15:00. Të nesërmen në mëngjes, sekretarja e IMK, përfaqësuesi i A.SH.A. dhe njëri nga anëtarët e nderuar të KKR më morën në tel. njëri pas tjetrit për të më njoftuar se mbledhja është shtyrë për ditën e martë me dt.19.03.2019 për arsye se Ministrja Znj.Elva Margariti nuk mund të ishte e pranishme me dt.13.03.2019. Pra, ditën e martë, me dt.19.03.2019, në orën 16:30, u zhvillua mbledhja e dytë dhe e fundit në KKR, ku në cilësinë e Kryetares së KKR, ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës Znj.Elva Margariti. Normalisht që të pranishmit na kërkuan që të sjellim një "Variant B", gjë të cilën ma kishin kërkuar vazhdimisht edhe gjatë komunikimeve nëpërmjet cel., por pas konsultimeve me Kryetarin e Bashkisë Lezhë Z.Fran Frrokaj, ne as nuk kemi paraqitur dhe as nuk do të paraqesim një "Variant B" për vendosjen e Statujës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, sepse pjesa veriore e Sheshit "Gjergj Kastrioti" është dhe mbetet vendi i vetëm dhe më i përsosur për ta hijeshuar Lezhën me këtë Monument madhështor.

Justikimi për të mos na lejuar ta vendosim këtu, me të vetmin argument "non sens", që kjo është brenda "Zonës A" dhe i bllokon pamjen Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendores së Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, as nuk qëndron dhe as nuk i bën nder askujt që e mbron këtë lloj pretendimi. Duke qenë se 1/3 e qytetit të Lezhës shtrihet brenda hapësirës integrale të Zonës A dhe Zonës B të Parkut Arkeologjik Lezhë, dhe sidomos kur të "3 Variantet e propozuara", ose më mirë të thuash, "të diktuara" të KKR, janë në zemër të Zonës A; atëherë pse vetëm në pjesën veriore të Sheshit qenka kaq problem vendosja e Statujës?!... Po ashtu, përveç I.M.K., as A.SH.A., ska pse të kundërshtojë, pasi këtu nuk ka nevojë që të kryhet ndonjë sondazh arkeologjik, sepse bazamenti do të vendoset mbi gurët e kalldrëmit të Sheshit "Gjergj Kastrioti", shtresë kjo e vendosur mbi betonin e shtruar gjatë viteve 2014-2015. Siç e theksova në mbledhjen e fundit kur ju drejtova personalisht Ministres së re të Kulturës, Znj.E.Margariti, dhe po e shpreh këtu: A është kjo po e njëjta A.SH.A., e cila kur unë në vitet 2014-2015 i kam bllokuar punimet "plot 6 herë" ndërkohë që po betonizoheshin rrënojat antike ilire, romake e bizantine që dolën në dritë pranë qendrës së qytetit të Lezhës dhe ishte pikërisht A.SH.A. që mori vendim për të vijuar punimet, duke varrosur Historinë e qytetit tonë?!... Tani, nga na dolën këto profesionistë kaq të ndjeshëm të cilëve u prish punë vendosja e Statujës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu mbi betonin që kanë hedhur vetë, duke mos kursyer as Nekropolin e vogël të periudhës bizantine, i cili ndodhet përreth rrënojave të Bazilikës Paleokristiane të shek.V-VI?!.... Pse nuk prishkan punë dy statujat e vendosura përballë Bibliotekës Publike "Gjergj Fishta"; At Gjergj Fishta dhe "Atlasi nudist", vepra të skulptorit Ilmi Kasemi?!... Ata ndodhen vetëm 30 m. larg nga "vendi që po kërkojmë ne", bazamenti i tyre është prej betoni dhe i futur 1 m nën tokë, e ndërsa piedestali i Statujës së GJ.K.S. do të vendoset mbi sipërfaqen ekzistuese pa patur nevojë për të bërë gërmime, sepse këtë "detaj" e kemi përllogaritur që në fillim.

Si ka mundësi që vendosja e kësaj Statuje pikërisht në vendin që i takon, mundet të shkaktojë dëme më shumë se sa "Veliera e Durrësit" apo "Betonizimi i pamëshirshëm i Butrintit" etj.etj.?!.... Këto të fundit, sipas optikës së Drejtuesve të Ministrisë së Kulturës, nuk e dëmtojnë aspak Arkeologjinë dhe Hapësirat Muzeale respektive, por "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" me lartësi prej 5.62 m, një kryevepër arti e punuar nga duart e arta të skulptorit Ardian Pepa, e financuar nga Bashkia Lezhë dhe donatorët e ndryshëm, shkakton dëme të jashtëzakonshme!!!.... Prandaj, pikërisht këtu ndahet koncepti "Ministri e Kulturës dhe Ministri e Anti-Kulturës", institucion, i cili punon me dy standarde, që i dikton vetëm politika dhe jo profesionalizmi dhe as atdhedashuria apo respekti për figurën e shenjtë të "Më të Madhit të të Mëdhenjëve, Heroit tonë Kombëtar dhe Ndërkombëtar; GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU". Ne, Bashkia Lezhë, nuk do të negociojmë për vendin dhe kjo as që bëhet fjalë. Ndërkohë që po presim vendimin zyrtar që do të merret në mbledhjen e rradhës së KKR në IMK, deri atëherë "Statuja e Heroit tonë Kombëtar" nuk do të çlirohet prej "pengmarrjes nga Ministria e Kulturës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat