Edukimi i fëmijëve ndër shekuj dhe sot

Opinione

Edukimi i fëmijëve ndër shekuj dhe sot

Nga: Ramiz Spahiu Më: 3 prill 2019 Në ora: 07:05
Ramiz Spahiu

Fëmijët jane dhurata me e shtrenjte dhe prinderit duhet te ndjehen te nderuar qe mund t’u ndihmojnë te rriten, t’u ofrojnë sjellje te njerëzishme, edukatë. Ne edukimin e fëmijëve, ndikim vendimtar ka sjellja personale e prindit, figura morale e tij. Fëmijët janë vëzhgues te hollë dhe syrit te tyre nuk i shpëton gjë. Edhe ndryshimet me te vogla fëmija i vëren dhe i ndjen. Sjellja e keqe e prindit mund te ketë pasoja dhe ndikime te fuqishme negative ne edukim, deri ne nivele patologjike. Prandaj Frojdi thotë: “Kush ka kaluar nëpër edukatë të mirë, nuk do të ketë nevojë për psikanalizë”.

Për një edukim të shëndetshëm te femijeve, prindit mund të frymezohen nga letersia, psikologjia e pedagogjia popullore. Por, gjithashtu mund te inspirohen edhe nga literatura shkencore dhe nga Rilindësit tane, te cilet, rolin edukativ të prindërve dhe klimen sociale në familje e shohin si faktor te rëndësishëm në edukim.

Rolin e nënës për ngritjen dhe edukimin e fëmijëve, Naim Frashëri e shtron në kërkesën që “gruaja-nënë të jetë e arsimuar, sepse fëmija së pari mësojnë dhe edukohen nga nëna”. Mandej, sipas Naimit, “edukimi i të vegjëlve nuk mbërrihet me fjalë, se ata bëjnë atë që shohin, dhe thonë atë që dëgjojnë, prandaj marrin gjithë arsimin e vetitë e atyre që kanë pranë”. Dhe, vazhdon me tej: “njëmijë fjalë të mira të mëmës e t’atës nuk vlejnë për fëmijën sa vlen një punë e mirë, ç’e shohin me sytë e vet”. E femijet tane sot shohin sperputhje mes fjaleve e veprave te prinderve te tyre, sjellje te pamira e te shemtuara tu fillu nga akademiket, profesoret, mjeket, mesuesit, komandantet e luftes e te pasluftes, deri te deputetet e ministrat. Femijet tane perdite shohin pervetsim te pasurise, pozita zyrtare dhe favore tjera te paligjshme e te pandershme. Perdit degjojne fjale te medha e te mira, por edhe shohin keso “pune te mira”.

Familja është ngrehina e parë edukative, ku shkon fëmija me të shumtën e jetës se vet, thotë Aleksander Xhuvani. “Nëna me dashurinë e saj e ushqen fëmijën me gjithë ç’ka ajo në veten e vet: me qumështin, mendimet e ndjenjat e veta”. Arti i edukatës, që ushtron mësuesi, thotë Xhuvani, është ma i larti e ma fisniku i arteve. Prandaj, “mësuesi i keq merr në qafë një shkollë, një katund, një qytet, një shtet, një brez njerëzish”. Dhe, do të shtonim ne: edhe prindi i keq e merr në qafë një familje, një shkollë, një fshat, një qytet, një shtet, një brez njerëzish. Pasojat e një keq edukimi prindëror i vuan njerëzimi në mbarë rruzullin. … Dhe, a s’po i vuan njerëzimi sot, pasojat e një edukate të keqe prinderore të diktatorëve të tmerrshëm, … a s’po i vuan njerëzimi pasojat e një edukate të keqe familjare të ekstremistëve te të gjitha ngjyrave?!! Dhe, a s’janë pasojë e keq edukimit prindëror edhe liderët që i fusin popujt në luftëra të pakuptimta, edhe kriminelët që ua nxijnë jetën të tjerëve, narkomanët që kanë mbushur rrugët, prostitucioni i kudogjendshëm, mituraket e martuar-a, abortet, braktisjet e foshnjave, madje edhe hedhja ne kontejnerë bërlloku, shkurorëzimet, vjedhjet, grabitjet e armatosura, braktisja e shkollës, moskujdesi ndaj prindërve të moshuar etj. A s’janë te gjitha këto edhe rezultat i një edukate prindërore.

Gabimet e prindërve veprojnë mbi edukatën e fëmijëve, të cilët ma të shumtën e herës bahen pasqyra e rrojtjes e të sjelljes se prindërve të tyre. E qytetari ynë sot, madje edhe prindi e mësuesi ynë, për ti realizuar interesat e tij, duket se nuk heziton ta shmang sinqeritetin e njerëzinë, dhe ta zgjedh gënjeshtrën, vjedhjen, dredhinë e panjerëzinë. Ndryshe si do te arsyetohet para fëmijëve te tij, para nxënësve te tij, para shokëve te tij, një prind, një mësues, një mjek, një intelektual qe dje, nuk ishte i gatshëm te sakrifikohet ne mbrojtje te atdheut, ndërsa sot, plotëson aplikacion te rrejshëm ne “konkursin” për veteran. E fëmijët një dite, ne mos sot nesër gjithsesi, do ta kuptojnë se ne xhepin e prindit bashkë me kartelën e veteranit, ndodhet edhe kartela e refugjatit, kartela e te burgosurit politik, e ndoshta edhe “nofuska e kuqe”, siç thoshte Lasgushi.

Madje, do t’a kuptojne se ato kartela rastesisht (apo mjerisht) datojne te se njejtes kohe. Me ketë rast do t’u thosha pseudoprindërve, pseudointelektualëve e pseudopatriotëve se, duke u rreshtuar aty ku nuk jemi rreshtuar dje kur ishte koha, duke u rreshtuar aty ku sot nuk e kemi vendin, nuk bëjmë gjë tjetër veçse e qesharakëzojmë vetveten (prindin, mësuesin, intelektualin), luftën e UÇK – se, dhe shoqerine e shtetin tonë.

Në veprat e tij Spasse angazhohej jo vetëm për fëmijë të mësuar, por edhe për popull të edukuar. Dhe që të jetë populli i edukuar, duhet kushtuar rëndësi bazës, edukatës familjare. Afërdita nuk edukonte vetëm nxënës, por edhe familje, se “jeta shoqërore shqiptare, nuk mund të përmirësohet, po s’u fillua përmirësimi nga thelbi i familjes, nga nëna”. Me edukim te drejtë, fëmijët marrin ide te sakta edhe për punën, jetën ekonomike, kursimin dhe administrimin e asaj qe është arritur me djerse. Femija duhet të kuptojë se pasuria duhet të fitohet me djersë. “Kafshorja e lagur me djersën time më ngopë”. Për ndërtimin dhe përparimin e vendit, shpresën me te madhe Spasse e ka tek te rinjtë, te cilët duke menduar sakrificën e prindërve dhe gjyshërve te tyre, qe me gjak e fituan lirinë, nuk duhet te kursejnë djersen për ngritjen dhe përparimin e atdheut. “Ç ‘bere o Ylli, kështu paske hequr dorë nga amaneti im! Unë dhashë gjakun, dhashë jetën, ti përton te japësh vetëm djersen”!

Duke e lexuar sot ketë porosi edukative qe heroi i Spasses i bënte te birit te tij, me vije ndërmend se kjo është edhe porosi aktuale e dëshmorëve te luftës sonë çlirimtare, për ne bijtë e tyre, për ne vëllezërit e tyre, për ne shokët e tyre dhe për fëmijët tanë njekohesisht. Ketë porosi ne nuk e degjojme, se nuk duam te punojme ndershem dhe te djersitemi. Ketë porosi ne nuk kemi kohe ta dëgjojmë, se jemi ne vrap për te përvetësuar gjera qe nuk i meritojmë, pasuri e pozicione zyrtare, te cilat i lakmojmë por janë ne s’përputhje me aftësitë tona dhe te fëmijëve tanë. Prandaj, do te ishte mire te ndërgjegjësohemi dhe te punojmë si njerëzit e botës se qytetëruar.

Pjesë e familjes dhe edukatës familjare janë edhe gjyshi e gjyshja. Disa autor, sot mendojnë se roli i tyre është i dëmshëm, bile e rekomandojnë ndarjen nga pleqtë. Por, pavarësisht mendimeve ndryshe dhe kritikave, mendoj se “prindi – fëmijë” ne procesin e edukimit te fëmijëve te tij, para prindërve te vet (gjyshërve te fëmijës se tij), si para një komisioni hyjnor ka rast te jap provimin me te madh edukativ, provimin e njerëzisë. Prania e gjyshërve e fuqizon ndikimin edukativ, prandaj, do ta quaj pasuri edukative e familjes tradicionale shqiptare.

Shtojme ne fund: Te jemi gjithmonë te sinqertë me fëmijët, vetveten, dhe te tjerët. T’ju ofrojme femijeve edukim te shendetshem. Femijet jane e ardhmeja jone, e ardhmeja e familjes sone, e ardhmeja e shtetit tone. Dhe, perfundojme me nje thënie te Xhon Kenedit: “një fëmijë i edukuar keq, është një fëmijë i humbur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat