Bobo, çfarë i kemi bërë vetes ne shqiptarët?!

Opinione

Bobo, çfarë i kemi bërë vetes ne shqiptarët?!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 3 prill 2019 Në ora: 07:18
Xhevat Mustafa

“…me këtë tabllo dhe me këto shifra e fakte, bëhet e qartë se parashikimi apo ëndërra jonë për t’u bërë populli më i madh në Ballkan, “u vra” apo “u mbyt” në barkun e nënës dhe “u varros për së gjalli”… Atëherë, logjikshëm, mund të shtrohet pyetja: nga kush e kemi më shumë këtë gjëmë, që nga “parajsë” natyrore prej Zotit, Shqipëria të bëhet një “ferr tokësor” për robt e saj? Nga fqinjët apo nga vetvetja?”

Nëse ju kujtohet, rreth 25 vjet më parë, “të dehur” nga liria e tepëruar pas daljes nga diktatura komuniste si dhe nga milionat e lekëve të fituar fare pa djersë nga “firmat piramidale”, u publikua një “lajm bombastik”, të paktën për Ballkanin. Sipas një studimi ndërkombëtar, me nivelet e larta të martesave, lindëshmërisë, rritjes së popullsisë dhe me nivelet e ulëta të vdekshmërisë, me mbizotërimin e moshave të reja në përbërjen e përgjithshme të popullsisë, shoqëruar paralelisht me mplakjen dhe mpakjen e popullsisë në Serbi e Greqi, aty nga viti 2050, “shqiptarët mund të bëhen populli më i madh në Ballkan”, me rreth 7-8 milionë frymë. Sipas natyrës sonë si popull, “harruam” se ky parashikim, që na kishte lumturuar neve, kishte hidhëruar dhe shqetësuar fqinjët tanë serbë, grekë, maqedonas, malazezë…Në këto kushte, me shumë gjasa secili më vete, i vunë gishtin kokës, vranë mendjen dhe bënë strategji se si ta parandalonin këtë “gjëmë”.

Strategjitë e tyre të reja, mbi stokun e atyre të vjetra e të mykura, mund të jenë ose jo në letër, por, gjithsesi, nga faktet e panumërt të këtyre rreth 25 vjetëve të shkuar si dhe të realitetit të sotëm, nuk është e vështirë për t’i “lexuar” dhe kuptuar mirë në shqip, serbisht, greqisht... Rrugët, mënyrat, format, alternativat për zbatimin e skenarëve të tyre nuk ishin të vështirë për t’u gjendur... Shumica e tyre do të bazoheshin në hapësirat, mundësitë, resurset, kushtet e favorshme që do të “falnin” vetë…shqiptarët. Alternativa e forcës dhe e luftës, e sulmit dhe pushtimit me ushtri, nuk mund të merrej më në konsideratë dhe të zbatohej. Ishte e konsumuar, shumë e kushtueshme, me humbje të mëdha jetesh njerëzorë edhe nga ana e popujve të tyre. Njëkohësisht, merrej me mend se do të kishin kundërshtime të shumta e të forta nga shumica e fuqive të mëdha botërore dhe e organizatave më të fuqishme ndërkombëtare, dëme në imazhin rajonal dhe botëror.. 

Kuptohet se kundërvënia e tyre mund të konkretizohej me masa të rënda dhe shumëformëshe ndëshkuese. Kështu që mbetej si alternativa më e mirë, më e mundshme, më pak e kushtueshme dhe shumë më pak konsumuese dhe e rrezikshme ajo e sprovuara, e “Kalit të Trojës”, e marrjes nga brenda të “kalasë shqiptare”. Edhe më e gëzueshme për ideuesit apo hartuesit e këtij skenari ishte se në “barkun e “Kalit të Trojës” të tyre, të kohës moderne, nuk do të futeshin dhe rrezikoheshin ushtarë serbë e grekë…Rolin dhe punën e tyre do ta bënin vetë…shqiptarët. Më troç apo shqip fare, fjala është për blerjen, financimin, sponsorizimin shumëformësh të tufave apo krerëve nga kopea e politikanëve, qeveritarëve, biznesmenëve, shkencëtarëve, gazetarëve…shqiptarë nga gjaku dhe pasaportat…

Për fatin e mirë të fqinjëve tanë dhe të aleatëve të tyre të lashtë e të sotëm, tregu i spiunëve, mercenarëve, misonarëve në Shqipëri është edhe i pasur si frymë apo koka, edhe i lirë si fatura. Mjafton të kujtojmë vetëm një rast më të freskët. Sipas gazetës sonë “Shekulli”, të dt.22.10.2018, që i referohet gazetës së njohur investigative greke, “iefimerida.gr”, nëpërmjet Fondit Sekret të Kotzias me kodin 0896, rezulton se, “15 milionë euro janë përdorur në Shqipëri për pagesat e mediave, politikanëve, partive, shoqatave, etj., për propagandën filogreke dhe antishqiptare”. Merret me mend se miliona të tjerë duhet të jenë dhënë nga ministria e punëve të brendshme dhe nga shërbimi informativ helen, nga ministria e mbrojtjes…Me shumë gjasa, po kaq apo edhe shumë më të larta,duhet të jenë faturat e financuara apo të dhuruara” nga Serbia.

Sipas gjykimit tim edhe firmat piramidale dhe “fryti i tyre”, 1997-ta, genocidi tejet masiv dhe barbar ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë më 1998-1999, ishin pjesë e këtij skenari. Megjithatë ai do të vazhdonte frontalisht dhe pa u ndalur. Së pari, Shqipërisë me nën dhe mbitokë shumë të pasur i duheshin djegur dhe bërë sa më shumë të pavlevshme apo të paefekshme për zhvillimin dhe fuqizimin e saj ekonomik, social, ushtarak…këto resurse.

Bashkë me këto edhe shumçka e vlefshme dhe e shfrytëzueshme nga trashëgimia e periudhës komuniste, sidomos industria mekanike, ushqimore, tekstile si dhe në formën e armatimeve ushtarake, si tanke, avionë, artileri, uzina, shitur thuajse badiava apo me çmime fare të ulëta për uzinat e metalurgjike në Malin e Zi apo të Kurumit në Elbasan... Domethënë nafta, mineralet, pyjet, pemëtaria dhe industritë e lidhura me ato, privilegjet apo avantazhet e motit, detërat, turizmi me mundësi për shfrtytëzim gjithëvjetor…nuk duhej të lejoheshin ta bënin Shqipërinë një Zvicër në Ballkan, siç e kishin dashur shumë herët shqiptarët e vdekur dhe siç e kishin kërkuar shqiptarët e gjallë në protestat popullore antikomuniste të viteve 1990-1992. Rritja e lindshmërisë dhe e popullsisë tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…mund të ndalej duke i ushqyer me miellra, me mishëra, qumësht e produkte të tyre, me nivele të larta hormonesh, kimikatesh, radioaktiviteti,( sidomos nga afërsia me Çernobilin ukrainas) dhe përbërësish të tjerë të dëmshëm e të rrezikshëm…Mund të kujtojmë se këto vitet e fundit vërtetë janë bllokuar dhjetra tonë mishra për groposje importuar nga Brazili apo miellra e vajra të skaduar ardhur nga Serbia e Greqia, por qindra mijëra tonë të tjerë kanë mundur të kalojnë nga doganat shqiptare dhe të futen në tregjet tona.

Po kështu, nëpër deport e barnave dhe nëpër farmacitë dhe spitalet shqiptare, duhej të futeshin dhe janë futur karvanë me maune mbushur me barna ose të skaduara prej vitesh dhe krejt pa efekte lehtësuese e jo më shëruese, ose me cilësi të dobët dhe me efekte të shumta anësore… Sipas një informacioni fare të freskët nga BIRN, që i referohet edhe hetimit të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, publikuar më 13 mars 2019, “vlera e medikamenteve të skaduara të bllokuara në farmacinë qendrore të QSUT arrin shumën e 7 milionë eurove”. Vetëkuptohet se barna të tilla kanë sjellë rritjen e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë tek të gjitha moshat në Shqipëri; mbipopullimin e spitaleve publike dhe shtetërore; masivizmin e sterilitetit e të divorceve si dhe të mungesës së dëshirës nga moshat e reja për lidhje serioze, për martesë, për lindje të shumë fëmijve…

Një rrugë tjetër shumë e suksesshme për realizimin e skenarit hipotetik dhe real serbo-grek për të mos lejuar “tsnunamin demografik shqiptar” mbi ata, ka rezultuar të jetë dhe duket qartësisht se është, masivizimi dhe rritja e nivelit të korrupsionit në ekipet politike dhe qeverisëse, shoqëruar paralelisht me varfërimin masiv dhe ekstrem të qytetarëve të thjeshtë, me papunësinë e lartë tek moshat e afta për punë dhe sidomos tek moshat e reja…Por, për këtë qëllim ka shërbyer edhe “agresiviteti”, më së shumti fals apo i shtirë mes dy krahëve të politikës; destabiliteti politik thuajse 28 vjeçar, i përforcuar sidomos në prag të ngjarjeve të mëdha për proçeset integruese të vendit si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, hapja e negociatave me atë… Kuptohet se të gjitha këto, pra mungesa e strategjive dhe programeve shkencore dhe afatgjata për shfrytëzimin sa më të lartë të pasurive të shumta natyrore; rritja e vazhdueshme e papunësisë, varfërisë, nivelet e ulëta të pagave dhe pensioneve si dhe të mbështetjes sociale për njerëzit në nevojë dhe fëmijët, e nivelit të korrupsionit dhe kriminalitetetit shumëformësh; kanë sjellë masivizmin tek shqiptarët të bindjes se “këtu nuk jetojet, nuk bëhet shtet, demokraci, mirëqenie, jetë e vërtetë dhe e qetë”, se “këtu do të vazhdojqë që ligji të bëhet nga Maliqi”, se “këtu do të mbretërojnë dëftesa, diploma dhe doktoratura-bleresit, askushët, pakkushët, bosët e politikës, të oligarkisë, kriminalitetit, trafiqeve…”. Rrjedhimisht, të gjitha këto kanë sjellë apo shkaktuar rritjen e pasigurisë për jetën e sotme dhe të skepticizmit e pesimizmit për perspektivën si dhe masivizimin e dëshirës për gjetur punë dhe jetë më të mirë nëpërmjet emigracionit. Është llogaritur përafërsisht se gjatë këtyre 10 viteve të fundit kanë ikur nga vendi si refugjatë dhe emigrantë, në rrugë të ligjshme e të paligjshme, rreth 1 milionë qytetarë shqiptarë. Shumica e tyre janë në mosha të reja.

Sipas një informacioni të botuar në radion “Deutsche Welle”, më 30 tetor 2018, “Shqipëria ishte e para në Evropë dhe e pesta në botë për emigracionin potencial. Rreth gjysma e popullsisë së vendit, kryesisht nga moshat e reja, me arsimim dhe kualifikim të lartë, rreth 70% e mjekëve dhe infermjerëve, dëshirojnë dhe mendojnë që të emigrojnë. Sipas “Monitor”, në vitin 2018, për çdo 1,000 banorë në Shqipëri aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, emigracioni neto vitet e fundit (diferenca mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen) është mesatarisht 15-20 mijë persona në vit që largohen nga vendi. Ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, të cilave u referohet edhe Rtv 21, më 1 prill 2019, brenda 5 viteve, janë larguar si emigrantë mbi 170 mijë qytetarë ose rreth 34.000 në vit. Duke qenë se shumica janë të moshave të reja ikja e tyre ka ndikim në uljen e martesave, të lindshmërisë dhe të rritjes së popullsisë. Kështu, po sipas INSTAT-it, numri i lindjeve në Shqipëri për tremujorin e dytë 2018 ishte 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Ndërsa shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018, pësoi një rënie me 69,9 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Po me përmasa kaq të larta e masive, të frikshme dhe shqetësuese, papunësia, vafëria dhe emigracioni janë në mes të shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc si dhe në Malin e Zi…

Ky emigracion masiv, me tendencë rritjeje, shpjegohet sidomos me nivelin e ulët të të ardhurave dhe të mirëqenies. Shqipëria dhe Kosova renditen të fundit në Europë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë, sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2018. Sipas një studimi të botuar në “Monitor”, më 24.10.2018, për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, kur sot një kg. presh, qepë, patate, mish, një litër ujë, qumësht, mjaltë, lëng frutash, birrë, verë, një biletë avioni, një paketë mujore celulari, interneti…, shiten dhe blihen me çmimet nga më të lartat në rajon dhe Evropë. Nuk është e rastit që raporti 2019 i lumturisë në botë i mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, publikuar më 20 mars 2019, e rendit Shqipërinë afër fundit të listës, në vendin e 106 ndër 156 vendet e analizuara. Kosova, me të ardhura për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a, ndërsa për lumturinë, paradoksalisht e 46-ta. Shumë vende më mirë se ne për lumturinë janë Serbia, në vendin e 70-të, Mali i Zi në të 73, Kroacia në vend të 75, Bosnje dhe Hercegovina në 78-in, Maqedonia në të 84. Kështu, me këtë tabllo dhe me këto shifra e fakte, bëhet e qartë se parashikimi apo ëndërra jonë për t’u bërë populli më i madh në Ballkan, me rreth 7-8 milionë banorë aty nga mesi i shekullit 21, “u vra” apo “u mbyt në barkun e nënës” dhe “u varros për së gjalli”, me shumë gjasa, duke u katandisur në rreth 800-900 mijë banorë… Atëherë, logjikshëm, mund të shtrohen, të paktën katër pyetje: nga kush e kemi më shumë këtë gjëmë, që nga “parajsë” natyrore prej Zotit, Shqipëria të bëhet një “ferr tokësor” për robt e saj ? Nga fqinjët apo nga vetvetja? Nga “gjasme e majta”, që nga 1912-ta ka qeverisur de facto 74 vjet dhe de jure 62 vjet apo nga “gjasme e djathta” e sotme, që ka qeverisur…13 vjet? Shqipëria po “rilind” apo po mplaket, mpaket, braktiset dhe …po ”vdes”?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat