Përdorimi i plagës çame për përfitime politike është vetvrasje kombëtare

Opinione

Përdorimi i plagës çame për përfitime politike është vetvrasje kombëtare

Nga: Fahri Dahri Më: 4 prill 2019 Në ora: 09:53
Fahri Dahri

Pjesa II

Në ritualin e përkujtimit të banorëve të Çamërisë, të cilëve kockat u gjenden në nënëdhéun e Kllogjerit të Konispolit, të datës 24 qershor 2018, disa prej deklarimeve të mitingmbajtësve, mendoj se duhet t’u bëhen disa sqarime plotësuese për të vendosur drejtësi, korrektësi dhe për të mbajtur parasysh domosdoshmërinë e të qenurit të kujdesshëm ndaj ngjarjeve, të cilat për nga rëndësia e madhe, përfshihen në histori.

Në deklarimet e Kllogjerit, në gjykimin tim, hasim disa qëndrime të pa goditura dhe që largojnë nga synimet për të siguruar gjetjen e zgjidhjes së problemit kombëtar, të njohur tashmë me emërtimin “Çështja Çame”. Analizojmë disa nga ato deklarime: Sipas gazetës shqiptare news 55, atje ështe deklaruar: “Qeveria tradhtoi çështjen Çame”, e Diel, 24 June 2018 . “Kryetari i PDIU-së, ..ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Kllogjerit në Konispol. Në këtë vend më shumë se 2.900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri nga Greqia. Në atë takim, mes të tjerash u deklaruat se: “çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria”.

Në këto të shprehura vrehen disa nuanca të dyshimta, të cilat përpiqen të bejnë diferencën mes etnisë shqiptare në tërësi, duke e vënë theksin se gjoja ai komunitet i dhimbset, apo duhet ta mbrojë vetëm Shoqata Çamëria dhe PDIU. Duke ecur në “linjën e veçimit”, u deklarua dhe u mohua puna e madhe diplomatike e shtetit Shqiptar, i cili gjatë dekadës së dytë dhe të tretë të shekullit të kaluar, ka mbrojtur vendosmërisht çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.

Në atë homazh, përfaqësues të PDIU-së, u shprehën se të parët nuk harrohen dhe se çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria”. “Sovraniteti Kombëtar, Çamëria e identiteti kombëtar nuk negociohen, por zgjidhen me reciprocitet e dinjitet. Që të zgjidhet çështja çame duhet të jenë në tryezë vetë çamët, Shoqata “Çamëria” e PDIU, se na është dashur t’ju mësonim dhe historinë e Çamërisë, ngaqë nuk e kishit haberin… e pastaj do ta gjeni dhe forcën dhe argumentin. Kështu duan të na e vrasin xhixhon dhe nunë, duke ju harruar emrin! Por, pse mund të harrohen të rënët tanë që vijmë i takojmë përvit këtu në Kllogjer!”, u shpreh kreu i PDIU-së.

Të tilla qendrime dhe deklarime, parashtrojnë dëshira individësh që nesër historia të shkruhet duke u atribuar njohja e historisë së Çamërisë vetëm këtyre afro 14 viteve të krijimit të PDIU-së dhe se para kësaj partie, sipas tyre, ajo histori nuk njihej dhe nuk e kishin haberin. Projektime të tilla ideshë janë të padrejta, të pasakta, të cilat shfaqin vese të mendjemadhësisë, injorime të së djeshmes me qellim për të lartësuar dhe vetëlavdëruar pa arritjet e sotme!.

Nuk mund të shpërfillen përpjekjet serioze të bëra në të gjitha takimet ndërkombëtare. Është e pa pranuar që sjellja jonë e sotme, të mos njohë dhe të mos nderojë mbrojtjen kombëtare që është bërë në kohën e Mbretërisë së Ahmet Zogut dhe gjatë qeverisjes së Fan Nolit. Është i pavënd dhe i padrejtë deklarimi …”se sot Shqoqata Çamëria dhe PDIU u paska dashur t’u a mësojnë historinë e Çamërisë atyre, apo shtetit të sotëm Shqiptar, i cili e zgjoi nga harresa dhe heshtja”. “Ju mësuam historinë se nuk e kishin haberin”,  

Këto qëndrime, nuk kanë kuptim tjetër përveç qëllimeve për të mohuar dhe hedhur poshtë gjihçka që është bërë nga paraardhësit, si autoritetet shtetërore shqiptare dhe atdhetarët çamë (kur keta, drejtuesit e sotëm, nuk kishin lindur). Me deklarime të tilla se, para PDIU-së me drejtuesat e sotëm të saj, nuk njihej historia e Çamërisë, hidhen mendime me ndikim negativ, duke përligjur edhe idetë se gjoja “Çështja Çame”, ashtu siç pretendohet nga dashakeqët, mat’anë dhe kët’anë kufinjëve, na paska lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur problemi i ka rrënjët tek strategjita e “Megalloidesë”.

Nëse kjo alternativë është mision i partisë që e deklaron, në mënyrë kategorike nuk përkon me pikëpamjet e popullit shqiptar në përgjithësi dhe hidhet poshtë me indinjatë (indignation) nga komuniteti shqiptar i Çamërisë.

Jo zotërinj!. Këto thënie janë të pasakta. Përkundrazi, është detyrim dhe në nderin tonë përulja me respekt dhe nderim para veprës së paraardhësve tanë si dhe detyrimi për të bërë përpjekje serioze, me përkushtim në ndikim të zgjidhjes së “Çështjes Çame” dhe dënimin e gjenocidit grek ndaj popullsisë së pambrojtur të shqiptarëve të Çamërisë, probleme kryesore këto të kombit shqiptar.

Drejtuesit e SHPAÇ të pas 2004-trës dhe PDIU po të vazhdonin punën e drejtuesave të SHPAÇ, të krijuar në vitin 1991 e deri në vitin 2004, të cilët ndoqën programin e njohjes me fakte për të vërtetat e “Çështjes Çame”, pa u prirur për interesa partiake dhe pretendime se “ata po u mësonin historinë e Çamërisë të tjerëve dhe shtetit shqiptar”, sot numuri i deputetëve që u zgjodhën si fryt i punës drejtuese dymbëdhjetë vjeçare (1991-2003), do të ishte dyfishuar. Por me ndryshimin e programit nga “njohja dhe sensibilizimi i “Çështjes”, në marrjen përsipër të zgjidhjes së “Çështjes” nga vetë subjekti politik i ashtuquajtur “Parti e Çamëve”, me pretendimin edhe të zgjerimit politik deri në përfaqësim mbarëkombëtar, tregoi se subjekti politik nuk ishte ngritur për të ndihmuar dhe ndikuar në zgjidhjen e problemit, por u krijua politikisht për interesa partiake dhe jo vetëm.

Ky konkluzion është rrjedhojë e situatës në të cilën ndodhet ai subjekt politik.  

Me qënëse po afrojnë zgjedhjet vendore dhe partive politike u a ka ënda disa poste pushtetesh, fillojnë e na nxjerin “kumbulla”, të cilat ndikojnë hapur negativisht kundër vetvetes, por dhe institucioneve shtetërore të cilat kanë detyrime kushtetuese.

Mbrojtja e territorit, e sovranitetit dhe e bashkombasve të një vendi bëhet nga shteti përkatës. Shteti përbëhet strukturalisht nga institucionet shtetërore të përcaktuara kushtetuese, me të drejta dhe detyra të shprehura qartë. Në rastin e shqiptarëve të Çamërisë(të krishterë dhe myslimanë) institucioni kushtetues që mbron të drejtat e bashkëkombësve të tij është Shteti Shqiptar nëpërmjet Qeverisë Shqiptare.

Mirëpo, një zë i panevojshëm, i palogjikshëm, i pa konceptueshëm vazhdon të dëgjohet duke bërë demagogji në një nga strukturat e partisë humbëse, jo vetëm në zgjedhjet parlamentare, por dhe tek militantët e saj, si efekt i dobësive të thella në keq menaxhimin politik dhe social të atij grupimit politik.

Sigurisht është në karakterin, parimet dhe statutet përkatëse të ç’fardo partie të hyjë e të ç’hyjë në cilindo koalicion partiak, por nuk ka aspak të drejta të ligjshme të ndërhyjë në punët e çdo institucioni shtetëror për ta penguar në plotësimin e detyrave kushtetuese. Çdo parti ka kufij të caktuar ligjor për të drejta dhe detyra dhe kur ndonjë grup partiak kërkon të dalë mbi kompetencat e saj ligjore dhe akoma më shumë ti atribuojë vetes ngarkesa që nuk i takojnë, logjikisht ai grup politik, i vetëmbivlerësuar është i destinuar të vazhdojë të jetë dështak, humbës dhe vetë koha e nxjerr jashtë loje!.

Ndaj këtyre qendrimeve aspak të ligjshme dhe morale, kërkohet shumë kujdes që institucionet kushtetuese, në rastin tonë Qeveria Shqiptare, të mos bjerë pré e këtyre thirrjeve acaruese dhe provokative; të mos ndërpresë vijimin e negociatave, të vazhdohen negociatat. Të nënvleftësohen deklarimet e pamatura të disave, të mos përfillen përpjekjet për të krijuar pengesa dhe ndërhyrje të padrejta, por të vazhdohet me përkushtim plotësimi i detyrave, të qartësohen me durim problemet, deri në arritjen e zgjidhjeve përfundimtare, qofshin të brendshme apo me shtetet fqinje.

Askush nuk i autorizon kryetarët e ç’fardo partie, të marrin përsipër të vetpushtojnë dhe akoma më shumë të deklarohen se ata janë primarë të dhënies besim ose jo për zgjidhje të çështjeve të mëdha kombëtare, pikërisht ndaj institucionit përkatës kushtetues (Qeverisë Shqiptare).

Që partitë nuk kanë rol ekzekutiv në çështjet kombëtare, vërtetohet edhe me Partinë Republikane. Kaluan po thuaj 30 vjet që kjo parti është krijuar për të realizuar dhënien e të drejtës së pronarëve, por ende problemi i pronave nuk është zgjidhur. Ka 30 vjet e krijuar SHPAÇ dhe 14 vjet PDIU, por subjekte politike hapin e kanë deri tek bërja të njohur problemet dhe sensibilizimin.Partia kryesore që fiton zgjedhjet, merr qeverisjen e vendit, realizon marrjen dhe ekzekutimin e vendimeve me anë të institucioneve përkatëse shtetërore.

Zgjedhësit tashmë i kuptojnë këto “pelivanllëqe” dhe nuk ka pse të rimashtrohen nga propaganda elektorale se gjoja ky apo ai grup politik na qenka shpëtimtar i këtij apo atij problemi që ligjërisht nuk i përket. Është theksuar disa herë se Partitë politike për zgjidhjen e problemeve kombëtare kanë të drejtë të ngrejë zërin e sensibilizimit dhe të bëjnë opozitë të fortë që, qeveritë të merren seriozisht me zgjidhjen e problemeve.

Gjatë muajve të verës të vitit të kaluar, në shtypin e ditës (onlain) flitej se një parti politike, deri tash në koalicion me PS-në, po përgaditej për tu bashkuar sërish në koalicion me Partinë Demokratike. Është e drejtë esaj, por na duhet të analizojmë arësyetimin e atij veprimi, i cili ishte se: “.....Pasi mendova dhe besova se do e çonim para kauzën tonë me këtë maxhorancë”. Gjithashtu drejtuesi i asaj partie paska deklaruar edhe se: “....gaboi që i besoi Ramës dhe qeverisë së majtë zgjidhjen e çështjes Çame”. U arrit deri edhe atje sa qeveria u akuzua se paska tradhëtuar “Çështjen Çame”, etj. Ndaj këtij qendrimi, mendoj se duhet të poziciohemi, mbasi disa nga mendimet e hedhura lindin debate përsa i përket kornizave ligjore Kushtetuese dhe konkretisht:

a.- U citua në fillim se detyra e drejtëpërdrejtë për mbrojtjen e bashkëkombasve, bazuar në Kushtetutën e R.Sh., është e Qeveria. Ndërsa duke i u referuar Nenit 9 të Kushtetutës, ku trajtohen Partitë politike thuhet:

1. “Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike”.

2. “Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit”.

Citimi i këtij neni kushtetues sqaron se partitë politike nuk kanë të drejtë të nxisin apo të përkrahin kundërshti të ndryshme, apo të ndikojnë në politikën shtetërore, kur institucionet shtetërore kryejnë detyrat kushtetuese. Partitë politike kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, të siguruar nga zgjedhjet parlamentare, të cilët ndikojnë me aftësitë e tyre cilësore dhe sasiore.

b.- “Çështja Çame”, tashmë është kuptuar nga i madh e i vogël, pushtetar ose jo, se nuk është çështje që i takon një komuniteti të caktuar, por është dhe trajtohet si çështje kombëtare e shtetit Shqiptar dhe për nga rëndësia e zbatimit të Konventave e Ligjeve Ndërkombëtare, ajo është çështje tepër e ndjeshme dhe detyron për zgjidhje duke u përfshirë në agjendat zyrtare të Institucioneve përkatëse Ndërkombëtare.

c.- Është jashtë normave ligjore, etike dhe morale që “Çështja Çame” të trajtohet si problem që i takon një partie dhe bëhet akoma më e pakuptimtë kur çështja shtrohet si pronë e një partie. E papranueshme është edhe kur kjo çështje kombëtare, përdoret nga ndonjë parti politike, si kërcënim me kushtëzim në përfshirjen ose jo në këtë apo atë koalicion zgjedhor!. Koalicionet zgjedhore krijohen para dhe pas zgjedhjeve sipas interesave dhe të përbashkëtat e programeve partiake. Ndërsa përballë problemev e të kombit, cilido koalicion fitues i qeverisjes obligohet tërësisht në ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e vendit. Përballë problemeve kombëtare qëndron shteti, i cili ka detyrim zbatimin e Kushtetutës së vendit të tij.

Në demokraci, ndryshe nga rendet politike të tjera, për gabimet që kryhen dhe vërtetohen, vepron institucioni i “dorëheqjes pa kushte”. Veprim i cili duhej të ishte zbatuar edhe në rastin e zgjedhjeve të shkuara parlamentare, bazuar në rezultatet negative të atij proçesi. Mos zbatimi i këtij kriteri, si dhe mos pranimi i humbjes (me argumente si vjedhje votash apo ndërhyrjeve nga jashtë), që çuan në daljen nga parlamenti të partisë që ka lëvizur sa djathtas-majtas, nuk kanë dhënë efekte pozitive, në të kundërt kanë ndikuar negativisht prej disa vitesh në ngadalsimin e “Çështjes Çame”.

Elektorati shqiptar (përfshi dhe nënshtetasit shqiptarë të farës çame) i ka tejkaluar zërat që buçasin si përherë në prag zgjedhjesh, bile sa më të forta të jenë zërat dhe këmbanat, aq më qesharake ndjehen tek reflektimi para kutive të votimit. Të shprehurit se dikush qenka “gabuar që i besoi Kryeministrit dhe maxhorancës zgjidhjen e kësaj çështjeje”, qoftë edhe si e shprehur politikisht, është një shkarje nga realiteti, tregon mosnjohje të akteve ligjore, e personalizon “Çështjen Çame”, kur askush nga elektorati shqiptar në përgjithësi dhe ai çam në veçanti, këto deklarata abuzive nuk i vlerëson dhe as u kushton vemendje. Ato deklarime nuk i vlejnë askujt.

Gjithshka dhe gjithkush që ndjen përgjegjësi dhe që i ndërgjegjshëm merr përsipër rolin e udhëheqësit, apo të drejtuesit, e ka detyrim ligjor, etik dhe moral të mbrohet nga përfshirja në konflikt interesi. Të sigurojë dhe të plotësojë me çdo kusht devotshmërinë në kryerjen e detyrave të caktuara nga Kushtetuta, Ligjet shtetërore dhe ato Ndërkombëtare.

 Çdo Kryetar partie është në të drejtën e tij dhe të partisë që drejton, të deklarojë mendimet, veprimet dhe taktikat që përdor apo do përdorë nga partia e tij, po ashtu edhe në pagëzimin e emrit të partisë. Sikundër është detyrë ligjore dhe kushtetuese e Institucioneve përkatëse për pranimin ose jo të rregjistrimit të partisë, të cilat janë mbrojtëse të interesave të shtetit Shqiptar, të aspiratave të shqiptarëve në tërësi dhe, në rastin konkret të komunitetit shqiptar të Çamërisë (për vetë specifikën historike të tij).

  1. shqiptar në tërësi, përfshi dhe shqiptarët e Çamërisë, pavarësisht rezidencave, shprehin nderimin dhe përgëzimet më të sinqerta ndaj qeverive shqiptare të djeshme dhe të sotme, të cilat janë ngritur në nivelin e duhur kushtetues në mbrojtje të të drejtave kombëtare.

Kjo është e vërteta e Thesproti/Çamërisë. Por ja që ka dhe gënjeshtra, mashtrime, shpifje që ndërthuren me endje, tregëtohen me dinakëri e dhunë për të ndryshuar identitetin e prejardhur nga lashtësia para Homerike, që të tjetërsohen si territore të ardhësve aziatikë gjatë shekullit XX”.

Së fundi nuk mund të mos shpreh gjykimin tim lidhur me dhembjet e thella që mbartin në shpirtin dhe zemrat e tyre, ata pleq e plaka çame, që aktualisht janë 75 vjeç e sipër, që i kanë të gjalla mizoritë e kryera nga gjenocidi grek ndaj prindërve, vllezërve, motrave të tyre.

Vllezër dhe motra dhe ju dëshmitarë të kasaphanës greke ndaj nesh, mos u ligështoni nga këto sjellje çnjerëzore që na bëhen edhe në ditët e sotme. Qoftë për ndalimin e shkuarjen në vendilindje, qoftë për mos dhënien e pasaportave; përkundrazi të jemi krenarë se veprimet e padenja të drejtuesave të sotëm europianë ndaj nesh, tregojnë zbrazëti shpirtërore, dashakeqësi, urrejtje, frikë, të cilat janë rrjedhojë që ngacmojnë dhe rëndojnë ndërgjegjen e tyre në mos gjykimin e gjenocidit të kryer në gjysmën e parë të shek. XX-të.

Sot me veprimet që kryehen ndaj nesh, zbulohet hipokrizia e diplomacisë së sotme e shteteve europiane. Zbulohet fallsiteti i deklarateve, konventave, marrëveshjeve qofshin bilateriale apo multiraterale, zbulohet cektësia ndaj qendrimeve humane, korrekte që kërkohet të mbahet ndaj “NJERIUT”.

Mos u zhgënjeni! Me kohë jemi 75 vite mbas gjenocidit, por qendrimet e pushtetarëve, bazuar në veprimet e tyre, na çojnë përsëri në vitet 1944-1945.

Fatkeqësia jonë i përshtatet thenieve të Volterit: “E keqja është kur populli ka të drejtë, por qeveritë e kanë gabim”.                                                                   

Vëmëndje me fenomenin “E përbashkëta e mendimit publik”

Koha na ka vendosur përballë disa metodave të reja, që në thellësi të synimeve të tyre, me (pa) dashje na shpien në drejtime të padëshiruara. Sot ndodhemi përpara fenomeneve, që në dukje të parë na shfaqen tepër dashamirëse, tepër popullore, na jepet të kuptojmë se kemi siguruar “të përbashkëtën” e mendimit politik, dhe akoma më shumë paskemi plotësuar “të përbashkëtën” e mendimit popullor. Pikërisht këtu qëndron mashtrimi i madh që politika, me anë të medies dhe jo vetëm, na fusin në “tru” se kemi fituar të drejtën e fjalës, të mendimit, por realisht janë këto metoda që indirekt lejojnë pakicën të përfitojë gjoja nga “bërja e qejfit” të shumicës popullore.

Kjo, gjoja arritje, na është ofruar nga disa subjekte, por kryesisht vihet re tek deklaratat e politikanëve, sepse siç po dëgjojmë, politikanët na japin përshtypjen se janë “njëzëri” në mendimet e tyre rreth bërjes së Reformës në drejtësi, apo dhe për plotësimin e detyrave të shtëpisë për të na u hapur dyer e Bashkimit Europian.

Po ku shikohet kjo gjetje? Pikërisht tek ajo që emërtohet “Polikat kontrolluese?”. Me pak vemendje, këtë e gjejmë kudo, në parlament, në medie, në të gjitha institucionet shtetërore, në partitë politike dhe në subjektet juridike të Sh.A.-ve. Dhe, për realizimin e këtyre uniteteve, mjeshtërisht janë rrjeshtuar të gjitha llojet e medieve, të cilat na sundojnë duke u “futur” në trurin tonë, pa pushim nga mëngjesi deri në darkë.

Edhe një herë cili është ky fenomen, që qenka kaq i maskuar? E thjeshtë dhe e drejtëpërdrejtë, është gjetja e epokës që jetojmë, është institucioni “Marrëdhënia me publikun”. Është mendimi unik shoqëror, ose kolektiv, që përgaditet nga mediet dhe nga e ashtuquajtura shkenca “Publik Relation”, të cilat veprojnë tek ne me shumë aftësi profesionale. Si një perde e padukshme (osé hi syve) mbulon mendjet tona, të ngriturit me “zë të fortë”, gjoja për të kundërtat mes parlamentarëve çdo ditë të enjte, për transparencat e deklarimit të pasurive të krijuara nga burime informale, kur në realitet ndodh ndryshe. Ato “Zëra”, duke mos u shoqëruar me përgjegjësitë penale dhe me sekuestrimin e pasurive, veçse ligjërojnë pronësitë duke i kthyer nga informale në pasuri formale. Forma të tilla, të cilat përfshihen në “thesin” e “marrëdhënieve me publikun”, aktualisht tek ne gjenden të shtrira gjërësisht, horizontalisht dhe vertikalisht në politikë, në sistemin e drejtësisë, të ekonomisë, shëndetësisë, pa përjashtim gjithandej.

(*) Kjo trajtesë nuk ka qëllim për kundërvënie personale ndaj askujt. Është rrjedhojë e detyrimit moral për të reflektuar drejtë dhe saktë ndaj të vërtetave të djeshme dhe të sotme. Gjithashtu dëshiroj të shërbejë edhe si zë, që vjen nga një dëshmitarë i gjallë, i një të mbijetuari prej masakrave ç’njerëzore të shtetit ortodoks grek. Është detyrim për të vërtetuar se banorët e rajonit të Çamërisë, myslimanë dhe ortodoksë, janë gjallë. Çamëria rron dhe nuk shuhet prej askujt nga historia dhe gjeogrfia.

Shënim: Në përkujtim të 75 vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të rajonit të Çamërisë, publikohen pjesë nga Libri: “ENIGMA E ÇAMËRISË”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat