Opozita shqiptare dhe reformimi i saj

Opinione

Opozita shqiptare dhe reformimi i saj

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 prill 2019 Në ora: 19:42
Sherif Ramabaja

Në një shtet demokratik opozita luan një rol shumë të rëndësishëm për mirëvajtjen e shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë. Një opozitë e fortë i cytë proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit. Kryeministri shqiptar Rama duke e parë se opozita shqiptare ndodhet në një krizë të thellë, pa u reformuar dhe pa ide të qarta e vë atë në lojë dhe tallet me te. Kur i rrezikohet karriga, si tash me protesta masovike, e ndërron taktikën dhe opozitën me pinjollët e tij e akuzon edhe si armiqësore. Një  vlerësim i tillë njihen vetëm nga diktaturat komuniste. Në diktaturat e tilla fillonte spastrimi politik, burgosjet, likuidimet, ndjekjet dhe internimet.

 Tash në këtë kohë kur nuk mund të veprohet ashtu, kryeministri Rama bënë spastrime në rradhët e veta. Të gjitha këto i bënë për të lënë përshtypjen se po merr masa për ta përmirësuar gjendjen. Të gjithë ata që nuk janë të një mendje me te i largon. Kërkon vetëm të dëgjueshëm që i duartrokasin dhe i përkulen, në të kundërtën rrezikojnë ta humbin pozitën, punën dhe mundësinë për të bashkqeverisur. Balla dhe Spiropali vendosin, si dhe sa opozita duhet të thith oksigjen. Po urdhëroi shefi i tyre se opozitës duhet ndalur frymën, këta dy zbatojnë urdhrat e tij.

 Suksesi i opozitës shqiptare varet nga reformimi i saj

Shikuar në aspektin afatgjatë opozita shqiptare nuk ka mësuar nga pësimet. PD me mund të madh kishte arritur që ta vendoste një figurë të re në krye të saj. Edhe pse kishte ndodhur kjo, ajo akuzohej se ky ishte vetëm një formalitet taktik, ngase fjalën e parë dhe të fundit e kishte Berisha.

 Berisha ishte një nga figurat vendimtare për rrëzimin e diktaturës komuniste, po nuk duhet harruar se skemat piramidale kishin ndodhur derisa ai ishte në krye të shtetit. Viti 1997 ku shqipëria u zhbë, Berisha ishte po ashtu në krye të shtetit. Të gjitha këto indikacione flasin se ai duhej të ishte personalitet i harruar i politikës shqiptare, përkundër meritave që kishte. Me një fjalë PD i kanë munguar idetë inovative.

 Në Gjermani ish kancelari Helmut Kohl, ishte legjendë e ribashkimit të Gjermanisë, akuza për financim të pa lejuar të partisë CDU i rrinte gjithnjë mbi kokë. Po ashtu ish Kancelari gjerman Gerhard Schrëder vazhdimisht kritikohet për lidhjet e ngushta dhe bizneset me presidentin rus Putin. Tash së fundit kancelarja Merkel vazhdimisht akuzohet për politikën e saj, pro refugjatëve në Gjermani. Ajo nga presioni e dorëzoi postin si kryetare e partisë.

 Kjo flet se politika si veprimtari është e pa mëshirshme ndaj atyre që merren me te. Megjithatë politikanët e rinj, të shkolluar dhe të aftë, do të ishin konkurrues dhe do ta kthenin imazhin e humbur. Kjo nuk duhet të ndodh vetëm në Shqipëri, po ndodh gjithkund në Evropë. Gjithmonë vijnë figura që e shpijnë proceset përpara. Të vjetrit u lëshojnë vend të rinjëve sepse përndryshe do të mungoi suksesi. Zgjedhësit janë ata që tregojnë se si qëndron puna në një parti. Nëse mungon suksesi, menjëherë bëhen lëvizje, pësojnë dorëheqjet. Ky është interesi partiak.

Tash së fundi, po akuzohet opozita se Rusia është duke manipuluar me te, për të krijuar kaos në Shqipëri. Ky është edhe një argument për kryeministrin Rama dhe stafin e tij, Balla dhe Spiropali, për ta akuzuar opozitën për tradhti. Dështimet e tij në çdo aspekt, ai do të përpiqet që t´i mbuloi me akuza të tilla ndaj opozitës. Kjo nuk do të mund të ndodhte sikur me kohë opozita të përgatitej me figura dhe personalitete që reformat do t´i shpinin përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat