Kosova po zbrazet si në kohën e kriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq

Opinione

Kosova po zbrazet si në kohën e kriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 5 prill 2019 Në ora: 15:46
Qytetarët e dëbuar në luftë nga Serbia dhe tash nga Kosova - Foto ilustrim

Kosova po zbrazet, sikurse në kohën e kriminelit të Ballkanit, serbit Sllobodan Millosheviq.

Ishin vitet e 80-ta dhe të 90-ta kur në Kosovë, filloi migrimi drejt shteteve evropiane.

Regjimi i Serbisë i cili vazhdoi kriminalitetin e tyre vite me radhë në Kosovë, konkretisht ndaj shqiptarëve, ishte njëra ndër arsyet pse rinia dhe të përndjekurit e asaj kohe lëshuan Kosovën dhe trojet shqiptare duke migruar në vendet evropiane dhe botërore.

Në atë kohë, të gjithë ata shqiptarë, të cilët vepronin në Lëvizjet ilegale, me të kuptuar nga regjimi serb, fillonin përndjekjet, arrestimet dhe persekutimet ndaj tyre.

Kjo ishte njëra ndër arsyet e shumta që shumë të rinj dhe familjar ikën nga këtu.

Më pastaj, me ardhjen në krye të Serbisë, të kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, filloi edhe spastrimi etnik në Kosovë, dhe në këtë mënyrë i largoi nga Kosova rreth 1 milion shqiptarë.

Shumë prej tyre, me përfundimin e luftës, u kthyen në Kosovë, duke shpresuar për një jetë më të mirë. Shpresa të tilla i kishte çdo shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës, kudo që jetonin dhe vepronin. Por këto shpresa po shuhen 20 vjet pas luftës nga regjimi i politikanëve tanë.

Mjerimi më i madh i kësaj katrahure në Kosovë, është se shumica e liderëve politik që kanë udhëhequr dhe po udhëheqin Kosovë, janë ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në një mënyrë ose tjetër kontribuuan dhe luftuan kundër okupatorit shovinist serb.

Shumë komandantë të luftës, në paqe dështuan! Disa prej tyre, nuk e kishin kapur pushkën në dorë kurrë për të shkrepur një plumb në drejtim të armikut.

Disa ish-përfaqësues politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “luftuan” nga Tirana, konkretisht nga hoteli “Ronger”.

Tanimë, kur Kosova gjendet e pavarur dhe sovrane, e udhëhequr pikërisht nga këta komandantë të UÇK-së po ballafaqohet me migrimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë.

Vetëm në tri vitet e fundit thuhet se Kosovën e lëshuan mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria gjermane muaj më parë kishte treguar shifrat alarmante të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë aplikuar për vizë në këtë shtet.

Ata kanë thënë se, në pritje të një termini për aplikim vize në konsullatën gjermane në Prishtinë janë 79.037 qytetarë, prej tyre 52.968 për termine për aplikim për vizë pune, 11.771 kërkesa termini për aplikim për vizë bashkim familjar dhe 14.298 kërkesa termini për viza Shengen.

Në këtë derexhe, Kosova ka ardhë si pasojë e mos hapjes së vendeve të reja të punës, nepotizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë të institucioneve dhe krerëve politik.

Qytetarët tashmë e kanë humbur shpresën për të jetuar në Kosovë. Shpresat e tyre i vranë politikanët tanë, udhëheqësit e shtetit të Kosovës dhe disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Këta po gëzohen me zbrazjen e Kosovës, ashtu qysh po i gëzohet presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili është pasardhës i kriminelit Millosheviq.

Vuçiq ka thënë se serbët do t’i gëzohen heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, për shkak se me këtë Kosova do të zbrazet nga shqiptarët.

E pabesueshme por e vërtetë! Kjo është Kosova e lirë 20 vjet pas luftës në Kosovë.

Duhet treguar se në një raport të botuar nga gazeta britanike “The Guardian”, Kosova është në vendin e parë në Evropë, mirëpo jo për diçka të mirë.

Ajo është në krye të shteteve evropiane të cilat kanë pasur tkurrje të popullsisë në 10 vitet e fundit.

Me 15.4%, Kosova kryeson listën, e cila vazhdon me vendet e tjera si Lituania, Letonia, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Serbia e të tjerë.

Sipas të dhënave të Eurostatit, Shqipëria është në vendin e nëntë, derisa kjo listë përmbyllet me Moldavinë e cila ka një tkurrje të popullsisë prej 0.9%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat